Komunistët e Elbasanit i vënë flakën librit “Enver Hoxha”

Edhe pse në temperatura të ulëta, simpatizantët e ish-diktatorit Enver Hoxha janë mbledhur në shesh, ku edhe kanë djegur në mënyrë demonstrative librin e shkruar nga Fevziu. Gjatë fjalës së tij, anëtari i Komitetit të PSSH-së, Gjon Gjergji, e ka cilësuar këtë libër si një nga poshtërsitë më të mëdha që i bëhet historisë sonë të Luftës, asaj të ndërtimit të socializmit, figurës së Enver Hoxhës e mbi të gjitha historisë sonë kombëtare.
“I shpjegoj opinionit publik elbasanas të vërtetat publike të Blendi Fevziut. Ne kemi dalë në këtë tubim për të deponuar rreth historisë sonë kombëtare dhe jo të Enver Hoxhës”, tha në fjalën e tij Gjergji. Sipas tij “është deformuar historia me qëllim të caktuar, sepse Blendi Fevziu, si përfaqësues i të dështuarve në Luftën II Botërore, ka marrë përsipër që t’i denigrojë të gjitha figurat e PKSH–së dhe Enver Hoxhën; ta kthejë Luftën Nacionalçlirimtare në një luftë civile që nuk ka qenë e tillë, si edhe për të mohuar luftën.
Ne japim vetëm sinjalin që ky nuk është një libër që nxin vetëm Blendi Fevziun, por përfaqëson elitën e sotme borgjeze, e cila me qëllim të caktuar ka deformuar historinë”, tha Gjergji.