E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon në Australi

Besart Berisha e ka ndërmend ta vazhdojë karrierën në Australi. Sulmuesi kosovar është përshtatur mjaft mirë me jetën atje dhe në ekipin Brisbane Roar. 26 vjeçari planifikon ta vazhdojë kontratën me klubin australian, edhe pse ka oferta të ndryshme. Ai ka folur edhe për eksperiencat dështuese që pati në Evropë, por edhe për periudhën më të mirë të karrierës që e kaloi në Hamburg.

Besart Berisha e ka gjetur rehatinë në Australi. Edhe pse ndodhet shumë larg vendit ku e kaloi pjesën më të madhe të jetës, sulmuesi kosovar thotë se është përshtatur mirë në kampionatin australian dhe me jetën në këtë kontinent.

26 vjeçari iu bashkua ekipit Brisbane Roar gjatë verës së vitit që shkoi. Ai e riktheu formën e dikurshme dhe u bë lojtar i rëndësishëm, jo vetëm i klubit të ri, por edhe i kampionatit australian në përgjithësi.

Për këtë, drejtuesit e Roar po planifikojnë ta vazhdojnë bashkëpunimin me ish përfaqësuesin shqiptar. Edhe pse ka oferta nga Azia dhe Evropa, futbollisti kosovar e ka ndërmend ta vazhdojë eksperiencën në kontinentin e ‘Kangurëve’.

“Kanë mbetur edhe disa detaje të vogla për t’u zgjidhur, por dëshiroj të jetoj këtu. Familja ime është përshtatur këtu dhe jemi të rrethuar nga njerëz të mirë dhe të dashur. Ndihem rehat në këtë klub, të cilin e vlerësoj shumë. Po ashtu, edhe drejtuesit e klubit e kanë ndërmend të më mbajnë”, theksoi Berisha për ueb faqen gjermane sport.t-online.de.

Ai ndihet i lumtur me ecurinë e sezonit të ekipit Brisbane dhe të tij personale. “Gjërat po shkojnë mjaft mirë. Unë këtu e ndiej besimin dhe mund t’i shfaq vlerat e mia. Ne po ashtu luajmë me një sistem, i cili më përshtatet mua. Loja jonë është e përqendruar në mbajtjen e topit. Duhet ta qarkullojmë atë dhe kolegët gjithmonë e zhvendosin topin tek unë”, vazhdoi Berisha i cili realizoi 11 gola në fanellën e Brisbane.

“Kualiteti i jetës dhe kënaqësia që e ndiej në futboll peshojnë më së shumti. Shpirti i skuadrës është me të vërtetë i shkëlqyeshëm. Këtu nuk ekziston egoizmi dhe puna e përditshme dhe e njëjtë si në Bundesliga. Këtu nuk ka rëndësi fare se kush shënon”, shtoi ai. Berisha e ka lavdëruar edhe trajnerin Ange Postecoglou, për të cilin thotë se është fantastik në punë dhe një person mjaft human.

Ai kishte kaluar disa sezone të errëta në futbollin evropian, ku nuk mundi të luante rregullisht, siç ishte rasti i fundit në Arminia Bielefeld. Prishtinasi thotë se ato momente ishin mjaft të turbullta dhe të vështira, të cilat nuk dëshiron t’i kujtojë. Ai megjithatë e pati rastin të luante në Ligën e Kampionëve me Hamburgun, të cilën periudhë nuk e harron dot.

“E kam kaluar një periudhë fantastike në Hamburg. Kam luajtur në Ligën e Kampionëve dhe e kam pasur rastin të luaj me një lojtar të klasit botëror si Rafael van der Vaart, nga i cili kam mësuar shumë. Mirëpo, pata disa lëndime dhe jam treguar i papjekur në disa raste, të cilat më kanë kushtuar”, nënvizoi Berisha.

Më pas kishte lëvizur drejt Danimarkës në ekipet Aalborg e Horsens, më pas në Angli në ekipin Burnley dhe në Norvegji tek Rosenborg. “I kam ndërruar shpesh ekipet, sepse dëshiroja të luaja. Natyrisht, kjo mënyrë nuk ka funksionuar gjithmonë”, shpjegoi Berisha.

Objektiv i tij ishte që të ngritej në maksimum, kur u transferua në Arminia Bielefeld, por gjërat nuk shkuan siç priste. “Nuk e kam ndier kurrë besimin e klubit dhe të trajnerit. Për këtë nuk e kam gjetur kurrë formën më të mirë. Ishin pesë trajnerë që u ndërruan për dy vjet, kishte diçka që nuk funksiononte në klub”, përfundoi futbollisti kosovar.

Berisha i shpëton dënimit

Besart Berisha i ka shpëtuar dënimit, pas gjestit të pahijshëm që bëri në përfundim të ndeshjes Brisbane Roar – Sydney. Sulmuesi kosovar e kishte ftuar lojtarin kundërshtar Pascal Bosschaart në tunelin e stadiumit për t’i qëruar hesapet, pas mosmarrëveshjeve që patën.

Për këtë gjest, 26 vjeçari rrezikonte të dënohej nga Apeli i Pavarur i Federatës së Futbollit të Australisë (FFA), por ky i fundit ka marrë vendim të mos e dënojë asnjërin prej këtyre dy lojtarëve. Sidoqoftë, të dyja klubet, Sydney e Roar mund të përballen me sanksione nga FFA për faktin se kanë dështuar t’i mbanin lojtarët e tyre nën kontroll para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›