Komunistët sllavë Tadiç, Stanishev e Svoboda mësyjnë Shkodrën
Një linjë politike që ka kontribuar për shkëputjen e Shqipërisë nga familja perëndimore dhe nënshtrimin e saj ndaj diktaturës më të egër të shekullit ka zbarkuar në qytetin më antikomunist të Evropës Lindore, si një provë e revanshit që po synohet të restaurohet në Shqipëri me partinë e Edi Ramës. Pasardhësit e Dushan Mugoshës sot quhen Stanishev, Svoboda e mbi të gjitha Tadiç
Në qytetin më antikomunist të Evropës Lindore, Edi Rama ka zgjedhur të provokojë shkodranët dhe të gjithë shqiptarët, duke synuar të përdhosë rezistencën e tyre ndaj komunizmit, me firmën matrapaze që synon rikthimin e brezit të dytë të pinjollëve të Nomenklaturës.
Kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe ai i LSI-së, Ilir Meta, nënshkruan në Shkodër në sytë Tadiç, Stanishev, Svododa pasardhës të Dushan Mugoshës apo Bllazho Jovanovicit, marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e 23 qershorit, si provë e një linje politike që ka kontribuar për shkëputjen e Shqipërisë nga familja perëndimore dhe nënshtrimin e saj ndaj diktaturës më të egër të shekullit ka zbarkuar në qytetin më antikomunist të Evropës Lindore, si një provë e revanshit që po synohet të restaurohet në Shqipëri me partinë e Edi Ramës.
Kuptohet vetiu, bashkimi i fraksioneve të së majtës (PS, LSI, Partia Komuniste Shqiptare, Partia e Punës Shqiptare e Reformuar, Partia Komuniste Shqiptare 8 Nëntori) ngjan si dy pika uji me bashkimin e grupimeve komuniste të Shkodrës, Korçës dhe të rinjve, kur themelohej Partia Komuniste.
Nëse në krye të këtij grupimi komunist doli të ishte Enver Hoxha, 70 vite më pas Edi Rama arriti të bëjë bashkë komunistë, progresistë dhe anarkistë për të fituar zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Për këtë bashkim Edi Rama ka menduar të përdorë linjën e vjetër të internacionales që nuk është më ajo komuniste, pasi në ditët e sotme është ajo socialiste, ku pasardhësit e Dushan Mugoshës sot quhen Stanishev, Svoboda e mbi të gjitha Tadiç.
Ndërkohë lobizmi i së majtës internacionaliste, Stanishev-Papandreu-Tadiç për Edi Ramën përpara zgjedhjeve të 23 qershorit synon të importojë në vend një politikë të rritjes së taksave sipas modelit progresiv të socialistëve francezë nga 45 në 75 për qind mbi të ardhurat. Ky lobizëm ka zbardhur edhe interesat klienteliste që po mbajnë gjallë një formacion bolshevik si ai i Edi Ramës dhe që po synojnë ta shndërrojnë Shqipërinë në një fushë loje, ku do shkarkohet kriza e të tjerëve. Bullgaria e ish-kryeministrit socialist Stanishev ka pragun më të lartë të varfërisë që përllogaritet nga revista prestigjioze britanike “The Economist” në 22 për qind. Ndërsa për Greqinë e qeverisur nga Papandreu dhe Serbinë e qeverisur nga Tadiç janë të ditura përfundimet e kohëve të fundit. Humbja e së majtës në dy vendet fqinje (Itali dhe Greqi) nuk e kanë bërë kreun e PS të reflektojë. Përkundrazi ai lëviz në drejtimin e kundërt duke thelluar gabimet duke propozuar formula stataliste që nuk frymëzojnë, por lëshojnë një erë myku të opozitës.
Sidoqoftë një gjë është e sigurt: Edi Rama po përgatit një fushatë elektorale të bazuar demonizimin e arritjeve të kundërshtarit, paçka se akuzat prekin rëndë sipas rastit infermierët, mjekët, policët, prokurorët e gjykatësit. Për biznesin e mesëm dhe të lartë po përgatit një taksë progresive nga 45 për qind deri në 75 për qind sipas modelit të internacionales socialiste, ndërsa për biznesin e vogël propozon heqjen fare të taksës që nxit kulturën e mospagesës, një model të paraparë në Greqinë e qeverisur nga Jorgos Papandreu dhe Boris Tadiç. Majtistët e Edi Ramës propozojnë ta kthejnë Shqipërinë një laborator eksperimentesh për dështimet e tyre, ku ndryshojnë elementët përbërës së të majtës ndërsa rezultatet janë të njohura.