This is a Problem of Doktori
Lagja ime nuk është lagje luksi. Lagja ime është një lagje periferie që banohet kryesisht nga të ardhur. Ama, sidomos mëngjeseve, pa boria, pa të bërtitura, me njerëz që marrin makinat e tyre dhe ikin ku ua do puna ose qejfi, lagja ime është tejet spektakolare.
Këtë atraksion mëngjesor unë e shijoj në mënyrën time. Marr një kafe në një filxhan plastike, dhe përhumbem nëpër rrugët e rrugicat e pastra dhe të asfaltuara.
Gjatë një arratisjeje të tillë mëngjesore, të cilën shqiptari i diktaturës i rreckosur në trup dhe i murrëtyer në surrat, s’guxonte ta shihte as në ëndërr, më ndodhi diçka.
Pashë disa fëmijë të pastër dhe të shëndetshëm me produkte Apple në veshë dhe nëpër duar që prisnin në rresht për t’u fundosur si pashallarë nëpër kolltuqet e furgonave që i çojnë në shkollë. S’u përmbajta dot, iu drejtova të parit që më doli përpara.
Ishte njëri me të cilin njihem pak. Një lloj njeriu nga ata që duket sikur vuajnë nga një koleksion sëmundjesh për shërimin e të cilave është kujdesur veterineri. Por ajo që i bie më tepër në sy është turiri që e ka si prej qeni.
-Ej ti, i thashë, ti që ma ke surratin si qen, të lumtur këta fëmijë, ë? Sa shumë ka ndryshuar Shqipëria. Sa është pasuruar e begatuar. Ti, për shembull, ti që prej kaq vitesh ke një punishte druri, tashmë që nuk të mungon asgjë, nuk mund të thuash se nuk je i lumtur.
-E ke gabim, e ke shumë gabim, ma preu turiqeni.
-Pse e kam gabim? Vet’ më ke thënë; Ke tre shtëpi. Ke vreshtë. Pushimet i bën jashtë. Janë gjëra që duken me sy këto, dëgjohen me veshë, preken me dorë. Ma shpjego pse e kam gabim.
-Ja po ta shpjegoj, tha turiqeni, dhe ja nisi; Bllabllabllabllabllabllabllabllablla.
Ik e ik nëpër lagje, ndala te një dyqanxhi që e ka surratin si hinkë.
-Ti, i thashë dyqanxhiut, je njeri që ke dëshirë dhe vullnet për të punuar e jetuar. Ke ardhur nga larg dhe bën biznes në Tiranë. Ke grua, dy fëmijë, ke Benz, ke apartament mbi 140 metra katrore, ke dy dyqane, njërin rreth 100 metra katrore, tjetrin pak më tutje nja 60 metra katrore. Mirëpo, ti e di, se tani e tutje me këtë biznes do fitosh gjithmonë e më pak. Sepse tashmë që çunat dhe gocat këtë zanat, që ti e ke mësuar si mësohet kitarra me gishta, ata po e mësojnë nëpër universitetet e botës shumë më mirë se ty, me kualifikim dhe cilësi shumë më të lartë, dhe çmime më të arsyeshme se të tuat. Ti kaq gjë e kupton, se nga Fat që ky biznes ishte dje për ty që tashmë je kapur, je kamur, je mëkëmbur, sot është shndërruar në mundësi për ata.
-Jo - jo, ma priti turihinka, ti nuk i di disa gjëra.
-Cilat gjëra të tjera nuk di unë o ta ngulsha hinkën mu në fyt ? Ta besoj që ti mund të ndjesh pasiguri. Por në kapitalizëm të gjithë kanë pasiguri, edhe milionerët, edhe miliarderët. Pa ma shpjego pak, pse nuk je i lumtur, pse nuk të hyjnë në sy tërë këto të mira që ke?
-Ja po ta shpjegoj, dhe ja nisi; Gllugllugllugllugllugllugllugllu.
Pas turihinkës e përplasa kokën tek shitësja e bukës, që edhe asaj sesi i është bërë turiri, si simitet që pjek.
-Dëgjo, i thashë surratqahijes, më thuaj të drejtën, a merr njeri bukë me listë në këtë dyqan?
-Është vetëm njëri, tha turipaninja. Që edhe atij kot ja shënoj emrin. Sepse kurrë nuk ja marr paret, edhe kur ndonjëherë i sjell.
-Që domethënë se në lagjen tonë me 30 mijë banorë nuk ka fukarallëk. Mos më thuaj jo!
-Të them jo që ç’ke me të. Në mëhallën tonë ka shumë fukarallëk.
-Po ku është ky fukarallëk dhe ku janë këta fukarenj moj fornarina?! Ma thuaj pak më shkoqur të lutem.
-Ta them unë posi. E ja nisi, e ja krisi, e ja plasi furrxhesha; Gërrgërrgërrgërrgërrgërrgërrgërr.
Pashë-ç’pashë u nisa te dy të njohur që kanë secili nga një lokal afër-e-afër.
I thashë të parit, një surratmajmuni nga Dibra,
-O surratgorillë, restoranti po të ecën, çupën e dërgove jashtë me studime, dy djemtë kuq si molla, me 100 Euro fshin ythën, që domethënë se je i lumtur.
-Gabohesh rëndë, ma preu hovin shimpanzeja nga Dibra.
-Pse? A s’je ti që më ke thënë vetë se, falë punës natyrisht, je majmur aq tepër, sa ke ndërmend të hapësh dhe një gazetë? Të ka gjetur ndonjë hall që s’ma ke thënë?
-Të gjitha janë të vërteta. Edhe gazetë dua të hap. Por ti nuk i di disa gjëra. Ai atje, bëri me dorë nga restoranti tjetër i përmetarit, ai që e ka kokën si shinik, nuk i paguan taksat. Unë i paguaj taksat, ai nuk i paguan. E kupton çfarë padrejtësie?
-O orangutangu, pse nuk i paguan taksat ai, nuk është arsye për të qenë i palumtur ti. Është padrejtësi, është krim, që dënohet, denoncoje në Prokurori.
-Jo, unë nuk shkoj në Prokurori.
-Po çfarë bën ti ?
-Unë bëj Lluklluklluklluklluklluklluklluklluklluklluk.
Vajta te përmetari që e ka turirin si iriq. Në fakt, që edhe përmetari nuk do ishte i lumtur, këtë e nuhata që kur u ndava nga dibrani, prandaj me të i rashë shkurt,
-Pse nuk je i lumtur ti surratiriq?
-Sepse, Llëllëllëllëllëllëllëllëllëllëllëllëllë.
Sa te njëri te tjetri, isha larguar shumë nga shtëpia.
Duke u kthyer ndesha me ca të tjerë.
Një surratskuth më tha se ishte i kënaqur nga pronat që i ishin kthyer, por hesapet me ato prona e kishin lodhur aq tepër sa ndjehej krejtësisht i palumtur dhe ishte afër çmendjes.
Një kokderr që aq të ngatërruara i ka pasur mardhëniet sa ende nuk e ka kuptuar nëse humbi apo fitoi nga piramidat, më tha pa i lëvizur qerpiku kafshërinë më të madhe që mund të imagjinohet, atë që e thonë vetëm klyshat e kurvit, se shteti i sotëm është regjim fashist.
Një surratshqarth më tha se për shkak të kalamajve që i kishin dalë bastarda ishte aq i zeherosur sa i kishte ikur fare oreksi, dhe s’ishte çudi të vriste veten.
Kur unë prisja shumë dhe rrezikoja shumë, këta s’prisnin asgjë dhe nuk rrezikonin asgjë. Tani që unë s’pres ndonjë gjë, këta pretendojnë gjithçka?
U mërzita atë mëngjes.
Si mund të qeverisen viktimat e moskuptimit?