Kuvendi i Kosovës miratoi mbrëmë mes debateve marrëveshjen Prishtinë –Beograd
Parlamenti i Kosovës votoi Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, edhe përkundër bllokimit të seancës parlamentare nga deputetët e “Vetëvendosje!”.
Deputetët e “Vetëvendosje!”, Liburn Aliu dhe Rexhep Selimi apeluan që të ndërpritet séanca dhe të mos votohet kjo marrëveshje e arritur javën e kaluar nga kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Mirëpo, në kushte të zhurmës dhe kaos në këtë seancë të jashtëzakonshme, deputetët me 89 vota pro, 5 vota kundër dhe 1 abstenim votuan marrëveshjen.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi menjëherë pasi që lexoi numrat e votimit, shpalli seancën e mbyllur, ndërsa menjëherë ka nisur edhe shpërndarja e deputetëve nga salla e Parlamentit, përveç atyre të “Vetëvendosjes!” që mbanin pankarta kundër marrëveshjes dhe kryeministrit të Kosovës.
Ndërkohë, jashtë Parlamentit janë tubuar qytetarë dhe aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje!” për të protestuar kundër vendimit të Parlamentit. Pranë turmave të protestuesve janë bashkuar dhe deputetët e kësaj lëvizje, ndërsa nuk dihet se sa do të vazhdojë ajo.
“Vetëvendosje!” bllokoi fjalimin e kryeministrit Thaçi
Deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje!” bllokuan fjalimin përfundimtar dhe arsyetimet e kryeministrit Hashim Thaçi lidhur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi të nënshkruar gjatë kësaj jave në Bruksel. Me një pankartë “Kosova e Hashimit” dhe një hartë të Kosovës së enklavizuar dhe coptuar, deputetët e “Vetëvendosjes!” janë radhitur para foltores së Parlamentit, ku kryeministri Hashim Thaçi sapo ka nisur fjalimin për t`iu përgjigjur të gjitha fjalimeve dhe vlerësimeve të deputetëve të partive të tjera politike lidhur me Marrëveshjen e arritur. Përveç, kësaj, fjalimin e kryeministrit Thaçi veç kësaj e ka penguar edhe një zë në sfond ku dëgjoheshin bisedat e përgjuara të deputetit të PDK-së, Adem Grabovci me kryeministrin Hashim Thaçi.
Para fjalimit të kryeministrit, fjalimet dhe qëndrimet e tyre i kanë shprehur deputetët e partive të tjera politike. Nënkryetari i Parlamentit dhe nga radhët e LDK-së, Sabri Hamiti ka kundërshtuar dhe ka shprehur kritika mbi marrëveshjen e arritur, duke nënvizuar se kjo marrëveshje nuk është zgjidhje dhe nuk do të implementohet asnjëherë, derisa serbët e Kosovës apo Serbia të mos njoh shtetin e Kosovës. Deputeti i Lëvizjës “Vetëvendosje!”, Glauk Konjufca ka akuzuar partitë opozitare, LDK dhe AAK, se po i bëhen krah Hashim Thaçit siç tha ai në “shitjen e Kosovës”.
“Prej ditës së djeshme mos e quani vetën opozitë. Ky është dorëzim i ligë. Hashimi po ju mban nën sqetull sa herë që po don. Dje Vjosa Osmani dhe Ahmet Isufi kundërshtonin opozitën, kurse sot partitë e tyre po e pranojnë”, ka thënë Konjufca. Ndaj kësaj deklaratave ka reaguar Ismet Beqiri nga LDK dhe Ardian Gjini nga AAK. “Kurgja ma shumë se na, ju nuk e keni akuzuar këtë Kryeministër. Kësisoj si thuani ju, nuk bëhet opozita. Juve nuk ju takon që t’ju tregoni të tjerëve se çfarë të mendojnë dhe cfarë të thonë”, theksoi Beqiri. “Ka disa deputetë të rinj që nuk dinë t’i kuptojnë disa momente. Ne skemi nevojë, ama bash hic që me na tregu dikush se çka me mendu”, tha deputeti i AAK-së, Ardian Gjini.
Menjëherë pas këtij bllokimi dhe pamundësie të vazhdimit të fjalimit nga kryeministri Tha[i, kryetari i Parlamentit kërkoi 10 minuta pushim, ndërkaq si[ mësohet nuk dihet se a do të vazhdohet me seancën për miratimin e vendimit për përkrahjen e marrëveshjes.
Thaçi: Marrëveshja jo ideale, por më e mira për rrethanat
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë seancës jashtëzakonshme të transmetuar në RTK, e cila është duke vazhduar, para legjislativit ka raportuar për Marrëveshjen për Normalizim e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar të premten në Bruksel. Kryeministri Hashim Thaçi, para deputetëve të Parlamentit të Kosovës, ka thënë se me këtë marrëveshje përmbylli një tjetër pjesë të konsolidimit të shtetësisë. Ai ka thënë se me këtë marrëveshje Kosova vulosi shtrirjen e sovranitetit dhe kushtetutës në tërë territorin e vendit. Ai po ashtu tha se kjo marrëveshje është më e mira e mundshme në këto rrethana edhe pse nuk është ideale. “Të premten në Bruksel, si rezultat i një të ardhme të ndritur ngadhënjeu mbi të kaluarën e hidhur. Kjo nuk është marrëveshje ideale, por është më e mira e mundshme. Kjo marrëveshje ndërshtetërore, i hap rrugë të sigurtë integrimit të Kosovës dhe i jep fund izolimit. Ka qenë një rrugë e gjatë dhe jo e lehtë, por është një rrugë të mbarë. Kosova ka vulosur shtetësinë dhe sovranitetin e saj”, ka pohuar kryeministri Thaçi.
Ai, po ashtu, ka pohuar se gjatë këtyre negociatave gjashtë mujore si dhe në proceset e më hershme, ekipi i delegacionit kosovar i ka fituar përpjekjet e gjata e të mundimshme për liri dhe shtetësi. “I kam pasur në mendje bashkëluftëtarët e mi, familjet e dëshmorëve dhe veteranëve dhe kolonat e gjata të qytetarëve të dëbuar nga Kosova nga Serbia. Në momentet vendimtare, kisha në mendje fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre dhe doja të sigurohesha që ata të mos e përjetojnë luftën. Ishte përkushtimi për të ardhmen evropiane. Ai që më dha forcë për të pranuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo marrëveshje është për të ardhmen, paqen dhe integrimet evropiane. Është marrëveshje e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Është marrëveshje ku kushtetuta dhe ligjet do të funksionojnë në tërë territorin dhe ne do t’i japim fund strukturave ilegale në veri. Serbia e ka pranuar këtë fakt e ka nënshkruar. Marrëveshja në asnjë pikë, nuk e cenon funksionalitetin e shtetit tonë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë. Mundëson që pas shumë vitesh mungesë të ligjit në veri, tani ligji të shtrihet në çdo cep të vendit tonë”, ka theksuar Thaçi. Ai, po ashtu, pati dhe një mesazh për qytetarët e veriut, që të mos frikësohen nga marrëveshja e arritur. “Të nderuar qytetar, mos u frikësoni nga kjo marrëveshje. Mos bini pre e atyre që 14 vite po e mbajnë peng të ardhmen tuaj dhe shfrytëzuan mungesën e ligjit për t’u pasuruar. Marrëveshja do të sjell mundësi të reja për ju dhe fëmijët tuaj. Do të sjell zhvillim dhe investime”, ka pohuar Thaçi. Ai, po ashtu, ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse është marrëveshja e parë që pritet të ratifikohet mes Kosovës dhe Serbisë. Seanca po i vazhdon punimet me fjalët e deputetëve.