E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunisti i 68-ës mbetet me 68 kokrra

Share

Nga Përparim Halili

Proces-zgjedhja e presidentit të Republikës zbuloi fuqinë reale të pushtetit të Berishës. PD, aleat-Gërdeci i saj republikan, gjenerali i zi i vitit 97, prasi i Lushnjës dhe qimeverdhi inovacionit, nuk janë më mazhorancë, por minorancë me 3 kartona më tepër se opozita. Ky realitet ka kohë që është konstatuar e manifestuar edhe prej vet pushtetit. Megjithëse prej 3 vitesh, po vetë-quhet mazhorancë, numerikisht qeverisja Berisha nuk ka treguar se është e tillë. Në shumë raste votimesh të ligjeve në parlament, numri i deputetëve të pushtetit, ose i kokrrave siç i quan kryeministri, i ka zbritur në 68. Edhe pse numerikisht nuk ka qenë mazhorancë, disa ligje janë miratuar dhunshëm e anti-kushtetueshmërisht në parlament, duke vepruar haxhiqamilçe, duke inskenuar makinacione prej dyshes Berisha-Topalli, madje dhe falsifikim me numër votash. Disa ligje psh., janë votuar me duart dhe kartonat e 1 deputeti të instruktuar të PD, në emër të 3-4 deputetëve të tjerë, të cilët në momentin e votimit në parlamentin shqiptar, hargaliseshin nëpër kabaretë, piknikët dhe plazhet e botës. Disa ligje të tjerë, janë miratuar po me 68 kokrra, por me kuorum e pa kuorum të opozitës, pa pasur votat e aleatëve çamë, skraparllinj e disidentë majtas-djathtas. Të tjerë ligje, janë miratuar me kontributin e 2-3 kokrrave të bashkuara të omonistëve grekë e patriotëve çamë, si të disa kokrrave të opozitës, që për inat të nënës e vjehrrës PS, shkonin e flinin me mullixhiun e PD. Shumë ligje, janë shtyrë nga seance në seancë, duke mbetur ende pa u miratuar edhe sot e kësaj dite, mbasi votat e pushtetit kanë rënë nën 74, nën 73, nën 71, nën 70, e madje deri në 68 kokrra.

Tashmë, mazhoranca është katandisur në 68 kokrra. Kryeministri Berisha e di mirë që tani për tani, laj-thaj vetëm kaq ka nën urdhër. Sepse kaq kokrra ka mundur të vjelë, të vjedh e të blej realisht në zgjedhjet e 2009-ës. Kokrrat e Skraparit që e mbajtën në pushtet, duket se nuk janë më në xhepin e Berishës. Kokrrat e çamëve, që në raste emergjencash zëvendësojnë kokrrat e skraparllinjve kur këta bëjnë lojëra me parulla fëminore: harruam të vinim në seancë, po hiqen si fuqi, duke bërë presione për të shqyer sa më shumë poste të tjera nga pushtet-kërma PD. Vota e Priftit varet nga tavolinat e gjykatësve. Mazhoranca ka kaluar në minorancë.

Prej disa ditësh, kryeministri Berisha gjendet në hall për 3-4 kokrra, të cilat i duhen për të zgjedhur atë president që do dhe i duhet atij. Ka disa ditë që ka dalë publikisht me tas në dorë duke lypur vota. Votat e partisë së Skraparit që ka futur në kontratën e viti 2009, nuk po i binden më, ka disa muaj e veçanërisht pas ngjalës së Lalëzit, që i kanë dalë nga zgara. Votat e çamëve janë gati, por kërkojnë konvertim me poste ku bëhen lekë. Votat e omonistëve grekë, kërkojnë si shkëmbim detin shqiptar si dhuratë për grekët, kërkojnë një ministri ku bëhen lekë dhe një shifër të lartë minoritarësh grekë në censusin e popullsisë shqiptare. Vota e mallakastriotit Islami, kërkon si shkëmbim kolltukun e kafkëthyesit të vitit 1991. Vota e Oketës, kërkon një president pa këtë Berishë sulltan dhe pa këtë mazhorancë të inkriminuar. Opozita po dihet, që nuk do atë president PD-istë, apo klientelistë që do të përzgjedh Berisha.

Edhe vetëm pak orë pas votimit të parë për presidentin në parlament, mini-mazhoranca e mbetur ende në stanin e kryeministrit Berisha, duket se po shkon pa një emër presidenti. Dhe është e pamundur të gjendet ky emër, qoftë edhe sikur Berisha me 68 taborët e tij, të dalë përsëri si në 2002-in kodrave të liqenit për të kërkuar president dominoje. Berisha edhe po të jetë perëndia, në kaq pak orë të mbetura deri në seancën e votimit në parlament, nuk e gjen dot një emër presidenti, qoftë edhe sikur të bredh nëpër të gjithë stendat e TEG-ut, të QTU, nëpër shkallët e stadiumit Skënderbeu, në kompanitë koncensionare të hidrocentraleve, të rrugëve, të kromit e koaludimit të makinave. Berisha edhe po të jetë magjistar, në kaq pak orë të mbetura nuk e gjen dot një emër presidenti, qoftë edhe sikur të hedh në veprim Sandrin dhe Fevzon e TV-KLAN-it, analist-moderatorin Çim Peka, apo Çupin e 81 partive. Troç, Berisha edhe pse është nëna e pazareve të pista dhe pakteve të pamoralshme, kuptohet që për votimin e parë nuk e gjen dot një emër presidenti, qoftë dhe sikur të ngarkoj me mision baba Mondin e OSBE, atë pazarxhiun austriak të BE Grossruck, Thaçin e Kosovës, apo edhe Fazlliçin. Madje nuk ka kohë për emër, as edhe sikur të njoftoj Fatos Nanon, që të niset me avionin e parë nga Vjena.

Raundi i parë e zgjedhjes së presidentit, do jetë pa emër presidenti dhe kjo tashmë është e vetmja alternativë e mbetur e mazhorancës së kthyer në minorancë. Krejt i kapitulluar për mungesë kokrash, kryeministri Sali Berisha ngjason me atë pulën e shushatur që i ka ardhur veza e nuk di nga tia mbajë. Vetë nuk e emëron dot presidentin e Republikës, mbasi siç dihet brenda manastirit PD nuk i ka 71 murgj. Katër votat e besimtarëve të baba Likes së Kulmakut të malit të Tomorrit, nuk po falen më tek Berisha. Dy votat e filozofit çam Idrizi, janë hedhur e po rrotullohen si zare bixhozi në tavolinën e Berishës. Kokrra Islami, nuk e ka problem të luaj edhe në sekondën e fundit. Përfundimisht, komunisti i 68-ës Sali Berisha, ka mbetur vetëm me 68 kokrra në parlament.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›