Presim presidentin
Prof. Dr. Ago Nezha
Enigma se kush do jetë emri i kandidatit për President që do paraqitet në Parlament, ka pushtuar faqet e shtypit të përditshëm dhe ekranet e televizioneve, ku hyjnë e dalin lider të forcave parlamentare të veshur me kostumin kuq e zi e bardhë e blu, e ndonjë i tretë multikolor. Mbasi pati një paradë kandidaturash në merkaton e Presidentit me figura të konsumuar, të anatemuara e pse jo edhe të dështuara në karrigen e tyre politike në karrierën njëzetë vjeçare, tashmë kanë lindur disa pyetjet sugjestive që kërkojnë përgjigje. Ende sështë konfiguruar, se Presidenti do jetë dashnori i dikujt apo i gjithkujt, do ti shërbejë partisë, Shqipërisë, apo superfuqisë ? Përvoja e viteve që lamë pas për zgjedhjen e Presidentit, ka qenë e hidhur. Marrëveshja komprometuese e Partisë Socialiste me Partinë Demokratike, për ndryshimin e Kushtetutës, duke e zhveshur Presidentin nga kompetencat, e kthyen atë në një rol honorifik, për të grumbulluar pushtet në duart e ekzekutivit. Kjo ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë, në funksionet e një demokracie liberale, duke e kthyer në një autokraci perverse. Pa dashur të futemi në historitë protokollare midis Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentares, sepse kanë qenë shumë të shëmtuara dhe kanë lënë një shije të hidhur jo vetëm për opinion shoqëror Shqiptar, por edhe për ndërkombëtarët. Është kjo një nga arsyet, që i gjithë faktori ndërkombëtar, ka vënë theksin që presidenti i ardhshëm duhet të zgjidhet me konsensus të gjerë, midis forcave politike parlamentare. Ky kushtëzim, është një gurë prove që do i jap akses politikës Shqiptare, për ti hapur dyert e vendit kandidat për në BE. Në rast se liderët e dy forcave kryesore, kryesisht ata të mazhorancës, do kërkojnë të diktojnë vullnetin e të fortit, për një President kukull në duart e tyre, kjo do ketë një kosto të madhe për të ardhmen e vendit. Eksperienca mbi njëzet vjeçare, ka treguar se Kryeministri Berisha, për interesa meskine, siç thotë populli për një plesht e djeg jorganin. Edhe loja që po bën këto ditë në prag të negociatave, tregon se qimen e ndërron por zakonin se harron. Dhashtë zoti e ndërron taktikë, duke dalë jashtë vathit të tij politik.
Shqipëria ka me tepri figura karizmatike, të pa përlyera, pa ego për pushtet, të përgjegjshëm, patriot e atdhetarë, që të mos shiten për interesa të karriges personale dhe të mos e shesin Shqipërinë për afera korruptive. Populli, i ka linçuar se kush janë. Duke përjashtuar papagajtë e politikës, njerëz të mençur dhe të ndershëm, me identitet dhe integritet, do të gjenim te të persekutuarit politik, që kanë sfiduar jo vetëm sistemin Komunist por edhe këtë të sotmin, të ashtuquajturin Demokratik. Në rast se do kish një zë nga shoqëria civile, do të kujtonim figura që i bëjnë nder kombit si Daut Gumeni, Agim Mero, e pse jo edhe ndonjë historian si Pëllumb Xhufi, që kur ka ardhur momenti për dhurimin e 344 km vijë bregdetare Greqisë, ka shqelmuar interesat vetjake për të mbrojtur ato kombëtare. Po të kërkosh njerëz të mirë gjen me shumicë. Por varet nga gjuetia e politikanëve tanë, janë për gjueti perlash apo gjueti shtrigash ?!…
Le të presim të mërkurën, kur të hapet kutia e Pandorës, që të shohim se cili është Presidenti që qëndron i fshehur në të.