LSI si telefoni i prishur
Berisha po përpiqet të mbajë larg Partinë Socialiste nga konsultimet për president për të mos i dhënë realisht shans presidentit konsensual, ndërkohë që po konsumon tri raunde formale votimi me ose pa kandidat, të cilat do të na çojnë tek një president me 71 vota në raundin e katërt ose të pestë. Kaq është e qartë. E qartë po ashtu është se kur të vijë puna tek 71 votat, shansin më të madh për ti bërë bashkë ato i ka kryeministri, i cili ofron poste dhe ndere për deputetë të lëkundur ose pa identitet, të cilët mjaftojnë për tu bërë 71 vota.
I vetmi produkt politik që ka nxjerrë deri tani ky proces që ka përzier politikën shqiptare, është e ardhmja e paqartë e LSI. Gjatë këtij procesi Meta po prezanton gjithë mëdyshjet dhe ngërçet që ai ka për të ardhmen e tij politike. Ai as nuk arriti dot ta bindë paqësisht Berishën për një president konsensual, dhe të vazhdonte të ishte aleat i sigurt i tij dhe përtej vitit 2013, as arriti të bëhej një aleat normal i Partisë Socialiste dhe të vepronte në këtë operacion qartësisht si aleat i saj. LSI duke se po e përdor gjithë këtë proces për të rritur pazarin e saj për momentin, por ndërkohë ajo ka prodhuar plot pikëpyetje për të ardhmen e saj politike. Dy opsionet, të cilat e mbanin atë në lojë, ishin ose fuqi për të bindur Berishën si aleat dhe jo përmes shantazhit sikur po vepron, ose fuqi për të bashkuar votat me opozitën dhe për të rrëzuar Berishën, duke i hapur rrugën një qeverie teknike dhe zgjedhjeve pa të në krye të vendit. Varianti i parë i konsolidonte aleancën me PD në të ardhmen, i dyti i rikthente të drejtën të kthehej tek me majta nëse i kanë ngelur ende vota. Rruga e ndërmjetme që Meta po zgjedh për të qenë pjesë e bisedimeve të ngushta për presidentin, ndërkohë që flet për president konsensual, dhe marrja përsipër e telefonit të prishur mes Ramës dhe Berishës, është një rol që e bën interesant për median këto ditë, por nuk i jep atij asnjë të ardhme politike.
Së pari, nuk mund të ketë një proces për president konsensual me emra të imponuar nga tryeza e shumicës dhe duke përjashtuar nga bisedimet direkte opozitën më të madhe në vend. Partia Socialiste nuk është në hall që ti gjejë miq Berishës për ti çuar ndonjë emër formalisht për president. Presidenti konsensual zgjidhet mes Berishës dhe Ramës. Meta është i lirë të jetë në këto bisedime ose palë me Berishën, ose me Ramën, por jo telefoni i prishur mes tyre.
Së dyti, ka rëndësi fakti që Berisha hyri në spiralen e presidentit konsensual formalisht, dhe jo si palë me vullnet politik. Ai u tërhoq zvarrë në këtë proces me shantazh dhe si i tillë ky proces nuk prodhon asgjë për të ardhmen e tij politike me LSI. Ai është sot një luan në kafaz, të cilin dhe po e theu, nuk fiton asgjë.
Së treti, roli i telefonit të prishur që ka marrë përsipër LSI ka shumë shanse të shpëtojë edhe PS, edhe PD nga aleanca me të. Procesi që po imponon Ilir Meta shpëton Shqipërinë nga Jozefina, dhe PD e PS nga LSI, por nuk i jep shanse LSI të jetë më faktor nëse Berisha ia del ta zgjedhë presidentin me vota informale pa të.
Ky zhvillim i rëndësishëm politik kishte nevojë për një akt politik të qartë nga LSI, ashtu siç është i qartë Berisha që nuk ka ndërmend ta lëshojë presidentin. Pafuqia për të bërë një akt politik dhe ideja se mund ta përfitojë duke i bërë pis të dy palët, në të vërtetë do të jetë prodhimi më skarco i gjithë këtij procesi. Ndoshta dhe më skarco se vetë presidenti që do të zgjidhet. Raportet e LSI me Berishën janë krisur në një rrugë pa kthim, pasi mirëkuptimi mes tyre është zëvendësuar me shantazhin. Po ashtu mirëkuptimi mes LSI dhe PS nuk është rigjetur, pasi dyshimet që shoqërojnë opozitën për Ilir Metën janë më të mëdha se siguria që ka Rama se po e tërheq LSI në një rrugë pa kthim nga e majta. Asnjë luftëtar nuk mund të kthehet në shtëpi pa një trofe lufte për tu pranuar si fitimtar. Dhe Ilir Meta nuk mund të kthehet tek e majta pa kokën e Berishës, dhe as të rrijë tek Berisha pa kokën e Ramës. Më pak akoma ka shans të përjetojë emocionet e telefonit të prishur që po bën në bisedimet për president.
