Edi Rama ose heroizmi pa ide
Ilir Yzeiri
Afrimi i Edi Ramës me Ilir Metën është një gjë krejt normale në lojën politike. Ndërsa darka e ngjalës është një dukuri atipike shoqërore, politike dhe njerëzore. Pas asaj darke po dëgjojmë hynere e deklarata dashurie mes PS-së e LSI-së sa të duket se nuk jeton në Shqipëri. Po çfarë ka ndodhur realisht? Edi Ramës nuk ia kërkoi askush, as 12 pikat e Brukselit, as ndonjë presion ndërkombëtar, nuk ishim përpara zgjedhjeve politike që të rivlerësosheshin aleancat, pra e përsëris Edi Ramës nuk ia kërkoi askush takimin e ngjalës dhe bashkëpunimin me Ilir Metën.
Përpara atij takimi Edi Rama ishte pikë referimi për ndryshimin e madh që dëshironin shqiptarët, ai ishte modeli i një politike pa korrupsion me bllok në dorë si ai që ndërtoi Ilir Meta në Shqipëri dhe pa vrasës shtetërorë e grabitës të atdheut si Sali Berisha. Populli opozitar shihte te Edi Rama mundësinë e një kthese të madhe. Mirëpo ai i shkeli të gjitha këto dhe kreu një akt heroik duke u fundosur vetë në llumin e politikës së pazareve mafioze dhe ashtu në llum u kujdes që të lante petkat gjithë zgjyrë të Ilir Metës. Dhe Meta ishte i fituari i madh.
Rama u shfajësua duke thënë se këtë e bënte për ti dhënë vendit një president që nuk do të ishte vegël e Berishës. Kjo në mos qoftë rrenë, është naiviteti më i madh. Pse? Për cilën arsye Ilir Meta do ta tradhtojë Sali Berishën dhe do të bashkohet me Edi Ramën?! Berisha ishte ai që e shpëtoi Ilir Metën nga drejtësia. I shkoi për vizitë në mes të Bllokut duke sfiduar gjithçka. I ka dhënë aq pushtet sa nuk e ka pasur as kur ishte kryeministër. Ndërsa Edi Rama është armiku më i madh i Ilir Metës, sepse, sipas këtij të fundit, videon e Dritan Priftit e ka montuar Edi Rama. Të mos harrojmë se poshtërimin më të madh Ilir Meta e ka pasur nga Edi Rama. Sali Berishën Meta e ka futur disa orë në burg.
Ndërsa Berisha vetëm e ka ndihmuar të pasurohet Ilir Metën. Pra, pse duhet ta hante ngjalën në Lalëz Edi Rama? Për të shpëtuar Shqipërinë? Cilën Shqipëri? Në anën tjetër është shfaqur Fatos Nano. Nano është betuar se një ditë do të hakmerret për piktorin me thonj të paprerë që e mori nga Parisi dhe e bëri ministër dhe ja dita i erdhi. Sot të gjithë po hamendësojnë se loja e Ilir Metës do të çojë te Nano president. Ky i fundit po i lan këmbët Arvizusë dhe ujin nuk e derdh po e pi ne gllënjka që ta shohë ambasadori se sa shumë e do Fatos Nano Amerikën.
Pra, në se Fatos Nano zgjidhet president, atëhere koalicioni Nano-Meta-Berisha ka vetëm një ferrë nëpër këmbë dhe ky është Edi Rama. E pabesueshme është se si për të ndërtuar këtë koalicion ndihmën më të madhe e dha vetë Edi Rama. Jo, thonë disa, se PS ka nisur të bëhet gati për zgjedhje të parakohshme. Amen! Jam gati ti marr mbrapsht të gjitha, por nuk arrij të kuptoj se përse Ilir Meta duhet të presë kaq gjatë. Në qoftë se ai nuk do të qeverisë më me Berishën e ka shumë të thjeshtë. Ai del nga koalicioni dhe pikë. Madje edhe Edi Rama mund tia kishte lënë ngjalën në zjarr dhe mund ti kishte kërkuar që para se ai të hante ngjalën, Ilir Meta duhet të villte derrin që kishte ngrënë me Berishën dhe pas kësaj koalicioni mund të merrte kuptim. Mirëpo jo, ndodhi ajo që nuk e mendonte askush . Edi Rama kreu një heroizëm pa asnjë kuptim, pa ide.
Edhe në një shkrim të para shumë kohëve e kam krahasuar politikën e Edi Ramës me mitin e Bichon. Një çift piktorësh shkon të pikturojë kanibalët dhe me vete kishin marrë edhe djalin e tyre biond me emrin Bichon. Ata kërkojnë të pikturojnë fytyrën e Kanibalit që tia tregojnë më pas botës. Po Kanibali u kërkon që më parë ata ti jepnin fëmijën për të ngrënë dhe pastaj ai do ti lejonte që ta pikturonin. Drama pra ishte se a duhej sakrifikuar fëmija biond Bichon që bota të shihte portretin e Kanibalit apo duhej ruajtur fëmija dhe bota të vazhdonte të mos e shihte pikturën e Kanibalit. Këtë përgjigje duhet të na e japë Edi Rama.