Komuniteti Mysliman: Besimtarët e pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Komuniteti Mysliman i Shqipërisë reagoi sot për incidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme gjatë protestës së opozitës pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Komuniteti Mysliman theksoi se “shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi”.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë. Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak”, thuhet në reagim.
Komuniteti Mysliman i bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër.
/k.s/r.e/