Komuniteti mysliman, luftë për zgjedhjet
Fushata për zgjedhjet e 28 qershorit deri më tani nuk ka pasur incidente, por stafetën e kontestimeve parazgjedhore e ka marrë Komuniteti Mysliman. Bëhet fjalë për zgjedhjen e kryetarit të ri të komunitetit për të cilën kanë kryqëzuar shpatat rrymat e ndryshme brenda komunitetit. Imamë të Tiranës kanë protestuar për datën e zgjedhjeve të deklaruar nga Haxhi Selim Muça, duke kërkuar shtyrjen e afatit, me anë të një padie të depozituar dje në Gjykatën e Tiranës. Ndërkohë vetë kreu i komunitetit, deklaroi se gjithçka është bërë sipas statutit dhe se rryma ekstremiste brenda myslimanëve, tentojnë të rëndojnë situatën.
“Sipas statutit...”
Duke cituar të njëjtin statut, atë të institucionit të Komunitetit Mysliman, si disa imamë të Tiranës, ashtu edhe kreu i komunitetit kanë mbrojtur dje qëndrimet e tyre në publik. Imami i Xhamisë Xhura, Gazmend Teqja, deklaroi dje se data 21 mars që është përcaktuar për zgjedhjet e kryetarit të ri të komunitetit është vendosur në mënyrë antistatutore. Ata kanë depozituar dje një padi kundër komunitetit, duke nuk janë ndjekur procedurat statusore.
“Ne kërkojmë shtyrjen e afatit të zgjedhjeve, pasi nuk janë lajmëruar sipas procedurave anëtarët e komunitetit” – deklaruan kallëzuesit. Ata kërkuan që të rishitet qëndrimi i komunitetit mysliman dhe se në të kundërt nuk do të njohin rezultatet e zgjedhjeve. Me të njëjtin argument është kundërpërgjigjur edhe komuniteti mysliman, që deklaroi se çdo gjë është kryer sipas procedurave që përcakton statuti. “Procedurat për propozimin e kreut të komunitetit mysliman shqiptar janë kryer në bazë të rregullave dhe statutit” – deklaroi komuniteti.
“Ekstremizmi brenda komunitetit”
Por duket se kjo përplasje e rrymave brenda komunitetit mysliman është më i thellë sesa duket. Kryetari i komunitetit, haxhi Selim Muça reagoi dje zyrtarisht në lidhje me përplasjet e vazhdueshme, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për rryma ekstreme brenda komunitetit, që tentojnë të krijojnë situata të pakënaqshme. Duke folur për mediat, kreu i komunitetit tha se “brenda komunitetit ekzistojnë radikalët dhe tradicionalët, ne jemi përpjekur të bashkojmë këto dy rryma”.
Ai shtoi se shumë persona të ardhur kryesisht jashtë shtetit kanë tentuar të krijojnë tension, duke përdorur metodologji të ndryshme. Muça tha se mirëpret kandidatë të tjerë për postin e kryetarit, duke ndjekur procedurat ligjore. Ekzistenca e vetëm një kandidati është parë nga disa pjestarë të komunitetit, si një shkelje tjetër që rëndon mbi shpatullat e institucionit më të madh fetar në vend.
“JA Titan”
Përfundon programi që bën nxënësit menaxherë
Organizata jofitimprurëse “Xhunjor Açivment Albania” (Junior Achievement Albania) ka përfunduar dje programin “JA Titan” që stimulonte nxënësit e shkollave të mesme për të mësuar operimin e biznesit. “Qëllimi i këtij programi, i shtrirë në tetë gjimnaze të qytetit të Tiranes, është që t’i mësojë nxënësit si të operojnë në fushën e biznesit dhe pse biznesi dhe sipërmarrja e lirë janë të rëndësishme për jetën e tyre dhe të komunitetit”, – bëri të ditur JAA. Mbi 220 nxënës të gjimnazeve “Ismail Qemali”, “Partizani”, “Qemal Stafa”, “Sinan Tafaj” “A. Z. Çajupi” etj., të ndarë në 32 skuadra me nga 7 nxënës u përfshinë në këtë program të simuluar në kompjuter, duke luajtur rolin e menaxherëve të kompanive virtuale. Gjatë një periudhe tremujore skuadrat konkurruan si të ishin në një situatë reale biznesi, duke marrë vendime për çmimin, prodhimin, investimin dhe marketingun.