E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajmi televiziv, dhuna dhe fëmijët



Nga Gëzim MEKULI

Ne jetojmë në një shoqëri që është e udhëhequr dhe e kontrolluar nga media dhe kultura mediale. Shoqëria jonë, e përditshmja jonë është "medializuar" apo, më mirë të them, e "televizorizuar". Por, përkundër "televizorizimit" të shoqërisë sonë njohuritë për ndikimin televiziv dhe, veçanërisht, njohuritë pedagogjike për lajmin në TV janë të varfra.

Pse e them këtë dhe pse mendoj kështu?

Shohim se si lajmet "e këqija" po marrin kryevend në mediat pamore. Katastrofat e natyrës, lufta kundër terrorit, vjedhjet e armatosura, vrasjet në shkolla etj. janë ndodhi me të cilat fëmijët dhe të rinjtë çdo ditë konfrontohen me to. Redaktorët e lajmit shqip shpërndajnë fotografi të tmerrshme: nxënës që vriten në krah të mësuesve, fëmijë që vriten në spitale, fotografi të njerëzve nga hedhjet e kateve të larta të shtëpive të Prishtinës...

Fotografia e lajmit televiziv ka ndryshuar. Në këtë luftë komerciale, për të përfituar gjithnjë e më shumë shikues, televizioni parapëlqen elemente dhe efekte të fuqishme e fortndikuese. Kjo bënë që fotografia e lajmit televiziv të jetë e karakterizuar nga dhuna, shpejtësia dhe sensacioni. Jo rrallë fëmija është duke u "përdorur" si objekt dhe si instrument i lajmit, pamje të fëmijëve të uritur e duke qarë përdoren si ilustrim/shpjegim për kinse shqetësimin, vuajtjen dhe tragjedinë e një shoqërie.

Mos të harrojmë se për lajmin televiziv fëmijët konsiderohen si mjete më të çmuara për të zgjuar emocion, frikë e patos tek publiku.

Shtrohet pyetja: Si e përjetojnë fëmijët dhunën dhe vdekjen përmes lajmit televiziv? Çfarë fotografie ndërtojnë fëmijët/të rinjtë për botën nga lajmi televiziv?

Shumë hulumtues të mediave paralajmërojnë se do të ketë pasoja negative për fëmijët nëse as shkolla dhe as prindërit nuk kanë njohuri të mjaftueshme për mirësqarimin e "fenomenit lajm" dhe ndërtimin e lajmit televiziv. Në Kosovë - duhet pranuar e vërteta brengosëse - nuk kemi kompetenca të mjaftueshme mbi mësimin dhe kuptimin e mediave dhe ndikimin e dhunës mediatike në shoqëri. Veçanërisht mungon angazhimi i specialistëve për të hulumtuar krizat dhe lajmet mediale për katastrofat dhe tragjeditë - jashtë perspektivës së fëmijëve.

Frika, injorimi, mërzia dhe depresioni janë "përgjigje e zakonshme" ndaj lajmit me "fotografi të forta". Shumë hulumtues këshillojnë, gjithashtu, se "fotografitë e forta" të shpërndara nga lajmet televizive, mund të reflektojnë tek fëmijët një bindje të pashpresë e të mbrapshtë për botën dhe shoqërinë ku ata jetojnë.

Po ashtu, afërsia gjeografike e dhunës reagon tmerrësisht dëmshëm ndaj fëmijës. Këta e ndiejnë veten të pasigurt. Dhuna përjetohet e nënkuptohet si diçka që ndodh në afërsi të tyre dhe herën tjetër kjo e keqe mund të përsëritet edhe ndaj tyre. Sipas hulumtuesit norvegjez Rundalen (1991) të rinjtë, si pasojë e lajmit të fortë televiziv, e kuptojnë ardhmërinë si kërcënuese dhe të pasiguritë. Dhe kjo ndodh falë "lajmit të fortë" që transportohet nga televizioni. Përqendrimi i televizionit në katastrofë është i madh, në raport ndaj zgjedhjes dhe mundësive pozitive që paraqiten në lajme.

Dhuna dhe televizioni

Disa e konsiderojnë televizionin si "zbutës" të realitetit të ashpër jetësor. Në skajin tjetër ndodhen ata që, përkundrazi, këtë media e konsiderojnë si "lindje e djallit" i cili shkatërron kulturën dhe kërcënon njerëzimin.

Kjo shtresë e opinionit e cilëson televizionin si ndikues të dëmshëm për zhvillimin dhe edukimin e mirë të fëmijës. Televizioni, sipas tyre, ndikon në humbjen e aftësisë së përqendrimit tek fëmijët; ndikon në krijimin e pasivitetit të përgjithshëm, egoizmit, në shkëputjen nga realiteti e deri tek lindja e instinkteve kriminale.

A mund të jetë pozitiv televizioni për fëmijët?

Sigurisht që po.

Televizioni mund të ndikojë mirë tek fëmijët atëherë kur prindërit bëjnë zgjedhjen e programit të duhur për shikim. Konsumimi i programit televiziv në mënyrë aktive duhet të udhëhiqet nga prindërit, e jo nga vetë fëmijët.

Pasojat e mosseleksionimit aktiv të emisioneve për fëmijë janë të paparashikueshme: fëmijët nga këto familje, pjesën dërmuese të kohës së lirë e kalojnë para mediave pamore – duke përfshirë këtu edhe videolojërat dhe internetin. Kështu ata kanë mundësi të shikojnë pamje që për fëmijët janë rreptësisht të ndaluara.

Sipas psikologëve gjermanë, 20.000 deri 30.000 fëmijë të këtij grupi qëndrojnë deri në orën dy të mesnatës para televizionit. Një 18-vjeçar, sot përmes mediave pamore, ka parë me sytë e tij mbi 200.000 akte dhune dhe ky fëmijë ka parë mbi 40.000 herë sekuenca ose foto me njerëz të gjymtuar, të dhunuar e të masakruar... p.sh.: Lufta në Afganistan, Rripi i Gazës, Irak etj.

Kujto: Dhuna në televizion shkakton frikë. Nëse për të rinjtë, një pamje televizive do të konsiderohej provokim nervash dhe kënaqësi, kjo për fëmijët mund të ngjallë frikë dhe pasiguri, e më pas pasoja të rënda psiko-sociale. Koha e kaluar para televizionit redukton kohën për aktivitete të lira e kreative.

Konsumimi i televizionit duhet të mësohet

Ekspertët e kësaj fushe vijnë në përfundimin e hidhur se shumë prindër nuk kujdesen për shprehinë e shikimit televiziv për fëmijët e tyre. Ja çfarë u rekomandojnë këta prindërve:

1. Televizioni nuk është "Baby sitter"- përkujdesje e fëmijës.

2. Konsumimi i programit televiziv duhet të bëhet në përputhshmëri me moshën e fëmijës, pra:

prej 0 deri në 3 vjet: nuk ka shikim televiziv fare,

prej 3 deri në 6 vjet: shikimi në raste shumë të rralla ose nuk ka shikim fare,

prej 6 deri në 9 vjet: më së shumti gjysmë ore në ditë, por jo rregullisht,

prej 9 deri në 12 vjet: më së shumti një orë në ditë, por jo rregullisht,

prej 12 deri në 15 vjet: më së shumti një orë e gjysmë çdo ditë, por jo rregullisht,

prej 15 deri në 18 vjet: më së shumti dy orë në ditë, por jo rregullisht.

3. Fëmijët e vegjël nuk lejohen të shikojnë televizion vetëm. Ata kanë nevojë për "mbrojtjen e afërt" dhe sqarimin mbi emisionin nga një i rritur.

Edhe pse televizioni tek fëmijët mund të ketë një ndikim përkeqësues, mendohet se ky nuk duhet të përjashtohet tërësisht për fëmijët dhe të rinjtë. Me rëndësi është kontrollimi nga prindërit dhe të rriturit, e që gjithsesi do të kishte pjesën e përcaktuar të rolit pozitiv të medias pamore, televizionit, për informacion, argëtim, arsimim dhe edukim.

Se si fëmijët e konstruktojnë shprehjen solidaritet; se në ç'mënyrë e identifikojnë fëmijët veten e tyre me situatën e viktimës; kur fillojnë fëmijët të kuptojnë se një fotografi është “realitet” e tjetra “fantazi”, janë disa nga pyetjet "që dikush" nga bordi i Televizionit Publik të Kosovës e ka borxh të na përgjigjet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›