Konsultat; Ndryshime në Kodin Penal për ekstradimet
Shumë shpejt pritet të ketë ndryshime në Kodin Penal për ekstradimet. Një grup pune pritet të mblidhet për të punuar lidhur me disa ndryshime në nenet ku flitet për ekstradimet, pasi ligji është mjaft i vjetër, ndërkohë që për shumë persona po bëhet i vështirë ekstradimi. Ndaj dhe Ministria e Drejtësisë është duke parë ligjin e bashkëpunimit ndërgjyqësor, me synim ndryshimin e situatës së ekstradimeve. Një grup specialistësh nga ky institucion, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme, të mbështetur edhe nga misionet EURALIUS dhe OPDATE, kanë nisur rishikimin e ligjit. Drejtoresha e Kodifikimit, Marsida Xhaferllari, pohon se në ligjin ekzistues, i cili i përket vitit 1995, duhen bërë ndryshime në nenet për ekstradimin, letërporositë, si dhe njohjet e vendimeve penale të huaja. Sipas Xhaferllarit, po shqyrtohen modelet e Anglisë, Çekisë, Finlandës, Gjermanisë, Hungarisë, Malit të Zi, Suedisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, për të dërguar në Komisionin e Ligjeve një version të ri të ligjit “Marrëdhëniet juridiksionale me shtetet e huaja”.