E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncert festiv e titull i veçantë për Luk Kaçajn

24/02/2009  Është një legjendë jo vetëm për artin e tij, por edhe më gjerë. Për një histori të tërë jete dhe mundimesh. Tani, 8 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, “legjenda e lirikës shqiptare”, artisti i merituar Luk Kaçaj nderohet me titullin e veçantë “Nderi i Kombit” dhe përkujtohet me një koncert festiv.

I mbajtur mbrëmjen e djeshme në ambientet e Akademisë së Arteve, koncerti erdhi nën udhëheqjen artistike të prof. Burhan Spahiut dhe nën interpretimin në piano të Larua Kushtës. Ndërkohë presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dha titullin “Nderi i Kombit”. Programi i koncertit, me një repertor të larmishëm artistik kishte në një pjesë të madhe të tij një atmosferë të përshpirtshme dhe tepër nderuese. Krahas pjesëve nga opera “Orfeu dhe Euridice” me studentë të Akademisë së Arteve nën udhëheqjen prof. Dritan Lumshit, u kënduan edhe “Pieta Sinjore”- arie antike nga Aleksander Scarlatti dhe “Ave Maria”, romanca nga Shubert. Pjesë nga krijimtaria e Verdit, por dhe pjesë napolitane “O sole mio”, debutuar nga studentë e katedrës së kantos nën udhëheqjen e prof. Burhan Spahiut, shef i kësaj katedre ishin gjithashtu pjesë e koncertit.

Në këtë mbrëmje ishin ftuar për të treguar kujtimet e tyre emra artistësh e muzikantësh, bashkëvuajtës me Luk Kaçajn, mes të cilëve edhe prof. Sokol Shupo, Gjatë koncertit, miq dhe dashamirës të Luk Kaçajt, si Sokol Shupo, Milto Vako, Spartak Ngjela, etj. Të ftuar ishin edhe artistët e TKOB Marina Leka e Armaldo Kllogjeri. Një personalitet me përmasa ndërkombëtare, Luk Kaçaj vazhdon të jetë një nga emrat më të njohur të muzikës vokale në Shqipëri. Solist i parë në TOB pas viteve 60-të, interpretoi kryerole të literaturës kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndër rolet e interpretuar prej tij mund të përmendim: Don Bazilio në operën “Berberi i Seviljes”, Rene në operën “Pollanta”, Gjini në operën “Mrika”, Bozone në “Madame Butterfly”, Aleko te opera “Aleko”, Sparafucile- opera “Rigoletto”, por dhe role në kinematografi, si plaku në filmin “Skënderbeu” apo në filmin “Përse bie kjo daulle”.

Këngëtar (bass) i brezit të parë të këngëtarëve profesionistë të Shqipërisë, u lind më 19 korrik 1926 në Bajzë të Malësisë së Madhe. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjimnazin e Jezuitëve në Shkodër me mësues padre M. Gjoka dhe që në këtë kohë shfaqi dhuntitë e veta muzikore. Pas çlirimit, në vitet 1947-1950 punoi në Korin e përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist. Në vitin 1950-55 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit “P. I. Tchaikowsky” në Moskë. Po atë vit emërohet solist në TOB. Që në kohën e studimeve ishte aktivizuar dhe në disa aktivitete ndërkombëtare duke marrë edhe çmime. Në TOB realizon mjeshtërisht role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore. Në vitin 1966 emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve. Kjo karrierë ndërpritet në vitin 1973, kur Luk Kaçaj burgoset nga regjimi i kohës. Del nga burgu në vitin 1991 dhe vazhdon të aktivizohet në jetën muzikore shqiptare. Për meritat e tij është nderuar me çmime, medalje dhe tituj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›