E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncesionet, Berisha: PS betejë ‘Don Kishoteske”, pronat u kthehen shqiptarëve pas kontratës

FAN- Kryeministri Sali Berisha përuroi sot fillimin e punimeve për Hidrocentralin në Fan të Mirditës. Shefi i qeverisë deklaroi se investimi prej 164 milionë eurosh do të punësojë 950 punonjës shqiptarë dhe sipas tij kjo është një formë punësimi.

“Përgëzoj kompaninë Ajez, për fillimin e punimeve në Kaskadat e Fanëve (vetëm ne e dimë si thuhen në shumës), në transformimin e këtyre Kaskadave, në shndërrimin e ujërave të Fanëve në vlera reale të mëdha energjetike, për mirditorët, shqiptarët dhe Shqipërinë. Ky është zhvillim pas një kohe përgatitjesh. Projekt, i cili bën të mundur që nga ujërat e Fanëve të prodhohet 7 % e energjisë që i duhet Shqipërisë. Investohen në këtë Kaskadë, 146 milionë euro, punësohen 950 punonjës shqiptarë dhe ky është punësim”, u shpreh Berisha. 

Kryeministri vlerësoi se Shqipëria do të shndërrohet në vend lider në prodhimin e energjisë ujore, duke shtuar se ky është zhvillim i qëndrueshëm që shkon në favor të Mirditës dhe Shqipërisë.

“Shqipëria vend lider në prodhimin e energjisë ujore. Ky është investim që shkon tërësisht në zhvillimin e qëndrueshëm të Mirditës dhe Shqipërisë. Ky është investim që përcillet si trashëgimi nga gjenerata në gjenerata dhe ata që vijnë pas nesh do të trashëgojnë këtë investim dhe punën tonë të bërë. Në më pak se 3 jave fillon ndërimin Kaskada e Fanit. Vijojnë ndërtimet e HEC në degët e Drinit, fillojnë ndërtimet në lumenjtë e alpeve dhe Kaskadën e Osumit, në Langaricë dhe burimet e tjera të Skraparit, etj dhe ky është punësim”, tha Berisha. 

Duke u ndaluar tek koncesionet Berisha i cilësoi “Don Kishoteske”, përpjekjet e opozitës për të bllokuar veprat që sipas tij pas përfundimit të kontratave do u mbetet Shqiptarëve.

“Koncesionet që kemi dhënë ne kanë kapacitet 1600 megavat kundër 1200 megavat që është kapaciteti aktual prodhues i vendit, investim prej 2.8 milardë euro. Koncesionet janë format më të suksesshme ne zhvillimin e një ekonomie. Kompania turke investon 162 milionë euro, para të vetat. Pasi përfundon veprën paguan taksat shqiptare, dhe pas një periudhe të caktuar kohore në kontratë, HEC ia kthen popullit shqiptar si pronën e tij. Kjo është e vërteta e koncesioneve. E thashë për ata që bëjnë beteja të 'Don Kishotëve' pamë koncesionet, ata përpiqen të bllokojnë zhvillimet dhe punësimin”, theksoi Berisha. 

Kryeministri i vendit shfrytëzoi këtë inaugurim për tu bërë thirrje banorëve të zonës, por dhe shqiptarëve që më 23 qershor të votojnë për zhvillimin, punësimin dhe integrimin.

“Falënderoj shqiptarët që nuk dëgjuan zërat e tharë në shkretëtirë që ngrihen nga selia rozë kundër koncesioneve.
Ftoj që më 23 qershor të votoni për zhvillimin, punësimin dhe integrimin, ne jemi seriozë dhe po e faktojmë me vepra se ku do të punësohen shqiptarët”, bëri thirrje Berisha.

“Sa herë kam shtypur butonin kam ndezur.....Tuneli i Kalimashit, i Kërrabës Kaskada e Fanit dhe me radhë”, i ironizoi Berisha.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›