E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Koncesionet leva e Arkimedit për shndërrimin në vlera të pasurive ujore”

10-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri përshëndet Konferencën me temë “Shtatkraft në Shqipëri dhe projekti i HEC-eve të Devollit”, organizuar nga kompania norvegjeze “Shtatkraft”
 
Kryeministri Berisha përshëndeti dje, Konferencën me temë “Shtatkraft në Shqipëri dhe projekti i HEC të Devollit”, organizuar nga kompania norvegjeze “Shtatkraft” për prezantimin e axhendës së saj lidhur me ndërtimin e HEC-ve në kaskadën e Devollit.
Në aktivitetin ku merrnin pjesë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Jan Braathu, zëvendëspresidentja e kompanisë “Shtatkraft” për hidrocentralet, Tima Iyer, përfaqësuesit e kompanisë “Devolli Hydropower”, si dhe të ftuar të tjerë, kryeministri Berisha theksoi se prania e kompanisë prestigjioze “Shtakraft” në vendin tonë përbën një ngjarje të madhe të gjithanshme për Shqipërinë, zhvillimin e saj dhe zhvillimin e energjisë së rinovueshme në vend.
“Dua ti siguroj se qeveria shqiptare ka vlerësimin më të madh për vendimin e tyre,  e konsideron këtë një ngjarje të madhe për vendin në tërësi, ekonominë dhe energjinë e tij në veçanti. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është një sipërmarrje e madhe, një sipërmarrje e cila bazohet në radhë të parë në besimin që gjigandi energjetik “Shtatkraft” dëshmon ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, një sipërmarrje e madhe që përcaktohet nga vëllime të jashtëzakonshme pune, transformime të tëra të  një rajoni. Por unë ju siguroj sot se do të bëjmë gjithçka, do të keni mbështetjen e plotë dhe totale për suksesin  e kësaj sipërmarrje”, u shpreh Kryemistri Berisha.
Kryeministri shtoi më tej faktin se ky investim, i cili e vendos Shqipërinë në hartën e projekteve të mëdha të kompanisë “Shtatkraft” është një apel i fuqishëm për të gjitha kompanitë e tjera norvegjeze dhe jonorvegjeze për të konsideruar në mënyrën më serioze investimet në Shqipëri, në fushën energjetike dhe në fusha të tjera.
“Shqipëria me këtë investim të “Shtatkraft” vendoset në hartën e projekteve të mëdha të kësaj kompanie të madhe dhe ky është një apel i fuqishëm për të gjitha kompanitë  e tjera norvegjeze dhe jonorvegjeze për të konsideruar në mënyrën më serioze investimet në Shqipëri në fushën energjetike dhe në fusha të tjera. Qeveria, nga viti 2007 e deri më sot, ndofta si asnjë vend tjetër ka firmosur koncesione me sektorin privat për ndërtimin e 360 HEC-ve, ndër të cilat 50 kanë përfunduar ose janë në përfundim të tyre, të tjera janë në fillim të punimeve. Një gjë është e sigurt, katër vitet që vijnë, Shqipëria do të njohë, ndërtimin e veprave energjetike më të madh ndofta se çdo vend tjetër”, u shpreh më tej Kryeministri.
Kryeministri vlerësoi më tej, përpjekjen e qeverisë, për përmbushjen e synimit kryesor, atë të zhvillimit të qëndrueshëm  të Shqipërisë. Berisha u shpreh se këto vepra kthehen në pasuri publike pas afatit të koncesionit.
“Një adresë do tu bej sot, qytetarëve të vendit, koncesionet janë leva e Arkimedit për të shndërruar në vlera pasuritë ujore dhe pasuri të tjera të vendit. Shekuj e shekuj Devolli dhe ujërat e tij dhe ujërat e lumenjve të tjerë janë derdhur në det të fjetura dhe të pavlerë. Në ndërtimin e veprave energjetike nëpërmjet koncesioneve ato marrin një vlerë të madhe për çdo qytetar shqiptar. Por kjo përpjekja jonë e madhe në fushën e energjetikës ka dhe një synim, i cili është zhvillimi i qëndrueshëm i Shqipërisë. Askund nuk janë më afatgjatë investimet sesa ne veprat energjetike dhe në fund këto vepra të gjitha kthehen në pasuri publike pas afatit të koncesionit”, vijoi Berisha.
Kryeministri garantoi më tej se Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet vendi i taksave të ulëta si dhe një mjedis më miqësor ndaj investitorëve të huaj.
“Shqipëria ka dëshmuar përpjekje shumë serioze për tu bërë një vend tërheqës dhe i sigurt për investime të huaja. 5-6 vite më parë ne vendosëm taksën e sheshtë dhe unë jam i gëzuar. Parlamenti shqiptar vetëm një javë më parë votoi heqjen e çdo takse dhe tarife për çdo lloj kapitali të importuar për prodhim në Shqipëri. Sikundër ne hoqëm TVSH për hekurin, çelikun, çimenton që do të përdoret për ndërtimin e HEC-ve në Shqipëri. Ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë më ngushtë me njeri-tjetrin për sistemin më solid dhe më të besueshëm, në mënyrë që investimet tuaj dhe investimet  e investitorëve të tjerë të jenë një histori e vërtetë suksesi. Shqipëria gjatë këtyre viteve ishte dhe do të jetë në të ardhmen, vendi i taksave të ulëta. Prania e “Shtatkraft” dhe investimet e mëdha të “Shtatkraft” në Shqipëri bëjnë që dy vendet tona të jene partnerë dhe të vështrojnë tek njëri-tjetri, një mirëbesim, mirëkuptim  dhe perspektivë shumë të qartë në marrëdhëniet mes tyre. Së shpejti do të merret një vendim tjetër shumë i rëndësishëm mbi gazin Kaspik në Evropë dhe rrugën e tij. Edhe këtu në këtë projekt kompanitë norvegjeze janë në vendin e parë dhe kohërat e lirisë e sollën që marrëdhëniet tona, nga inekzistente pak kohë më parë të bëhen kaq të ngushta dhe kaq të rëndësishme. Unë dua ta garantoj ambasadorin dhe të gjithë ekipin e “Shtatkraft” se ne jemi shumë krenarë me këtë. Edhe njëherë urimet më të përzemërta”, përfundoi Kryeministri.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›