E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Koncesioni për Butrintin në Gjykatën Kushtetuese/ Ina Zhupa: Qeveria ka mashtruar UNESCO-n

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka deklaruar se qeveria shqiptare ka mashtruar UNSECO-n për koncesionin për parkun e Butrintit.

Në një deklaratë për mediat, Zhupa theksoi se qeveria ka gënjyer UNSECO-n duke thënë se do të ketë një autoritet kombëtar që do të menaxhojë Butrintit ndërkohë që e ka marrë përsipër një fondacion privat.

 “Këshili i Ministrave ka mashtruar UNESCO-n duke thënë një të pavërtetë në lodhje me atë që do të menaxhonte Butrintin vetëm se e dinin shumë mirë që menaxhimi nga një fondacion privat pa asnjë lidhje me shtetin nga 4 individë privatë të regjistruar në gjykatë, ishte në shkelje të Konventës së Parisit.

Për ta shmangur këtë ata mashtrojnë UNESCO-n duke i thënë se do të ndërtohet një autoritet kombëtar për parkun e Butrintit në varësi të kryeministrit, do të ketë një sekretariat dhe fondacioni për menaxhimin e Butrintit do të jenë në varësinë e kryeministrit dhe në varësi të këtij autoriteti për menaxhimin e Butrintit, dhe do të jenë të gjitha ministritë e tjera pjesë e këtij autoriteti. Kjo gjë nuk ekziston”, është shprehur Zhupa.

Sipas saj, qeveria duhet t’i dërgojë të gjithë dokumentet që i janë përcjellë UNESCO-s në lidhje me Butrintin pasi deri më tani ka shkelur Konventën e Parisit. Gjithashtu, Zhupa u shpreh se Gjykata Kushtetuese duhet të dëgjojë të gjithë dëshmitarët që janë palë në këtë proces.

“Ky është një mashtrim që i çohet UNESCO-s nga shteti shqiptar vetëm për të thënë që ne nuk e shkelur Konventën e Parisit.

E gënjejnë dhe përveç kësaj ata kanë një vit e gjysmë që nuk sjellin dokumente as mua dhe as Gjykatës Kushtetuese.

Kërkesa jonë do të jetë detyrimi i qeverisë për të sjellë të gjithë dokumentacionet që lidhen me UNESCO-n para se të vendoset koncesioni i Butrintit në Kuvend.

Nuk mund të hyjmë në një gjykim duke na fshehur të vërtetat. Është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese të jetë e bindur 100% në shkeljet e Kushtetutës.

Butrinti nuk është pasuria jonë por e gjithë shqiptarëve. Kjo është një betejë përtej politikës dhe na takon të gjithëve si shqiptarë. Kërkesa e dytë është në lidhje me thirrjen e dëshmitarëve për Butrintin.

Gjykata duhet të dëgjojë ata që kanë qenë pjesë e vendimmarrjes. Nuk mund të bëhet një proces kushtetues pa dëgjuar atë që thotë që Butrinti është grek. Kam kërkuar të thirret ish kongresmeni amerikan që është marrë me çështjet shqiptare. Që flet për modelin amerikan”, deklaroi ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›