E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama, Peleshi dhe Xhaçka në Lituani! Nis sot samiti i NATO-s, Kryeministri zhvillon takime dypalëshe

Mbahet këtë të martë dhe të mërkurë (11 dhe 12 korrik) samiti i NATO-s në Vilnius, ku do të mbledhë liderët e të gjitha vendeve që janë anëtare të Aleancës Transatlantike.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka janë nisur një ditë më parë në Lituani për të marrë pjesë në këtë samit.

Sipas informacioneve siguruara nga RTSH, kreu i qeverisë shqipytare do të zhvillojë një seri takimesh dypalëshe me drejtues të lartë të shteteve anëtare të NATO-s.

Një prej liderëve me të cilët do të takohet Rama, është homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin do të bisedoja në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjen “Beleri”.

Po ashtu, në orën 13:30 do të ketë një foto familjare, takime informale mes ministrave të mbrojtjes dhe atyre të jashtëm, dhe në orën 14.00 do të nisë Samiti i NATO-s.

Në mbrëmje Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, do të shtrojë një darkë zyrtare për nder të të pranishmëve.

Sakaq, Kryeministri Rama ka publikuar një video, me anë të së cilës jep mesazhin se Samiti në Vilnius, i ka gjetur aleatët e NATO-s më të fortë e më të vendosur për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e popujve.

Në video mesazhin e kryeministrit, shfaqen liderët ndërkombëtarë të cilët ndalen te lufta e Rusisë në Ukrainë dhe mbështetjen ndaj kësaj të fundit.

“Mirëmëngjes dhe me mesazhin e këtij viti të Samitit të Vilnius, Lituani që i gjen aleatët e NATO-s më të fortë e më të vendosur, për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e popujve tanë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›