E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Referendumi një misionin i pamundur? Duka: Pikë bashkimi për opozitën

Nismëtarët e ndryshimit të sistemit zgjedhor me referendum, po bëjnë edhe një përpjekje për ta çuar diskutimin në parlament përmes firmave të 28 deputetëve nga të gjitha partitë dhe rrymat e opozitës. Por pse vetëm nga opozita dhe jo nga PS?

Përgjigja e Agron Dukës për gazetaren Elona Meço ishte e drejtëpërdrejtë.

“Mund ta marrë mendja se në PS ka ndonjë mendje që flet pa pyetur shefin? Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko mund të belbëzojnë ndonjë gjë, duhet t’i lexojmë mes rreshtave, por nuk ka.”- thotë zoti Duka, i cili është po aq direkt edhe kur pyetet se pse nismëtarët nuk kërkojnë komunikim me Edi Ramën?

“Nuk refuzoj unë komunikimin, por nuk na takon ai ne, sepse është komod me sistemin që është. Brenda PS ka shumë që nuk janë dakord me këtë sistem, por nuk kanë fuqi të flasin, sepse dalin jashtë dhe kur del jashtë, se kështu imponon ky sistem, nëse nuk je në politikë aktive, harrohesh për 2 muaj.”- tha zoti Duka për emisionin “Pa Censurë”.  

Kryetari i PAA është i vetëdijshëm se rruga referendare për ndryshimin e sistemit është shumë e komplikuar për t’u realizuar, por ai nuk e cilëson si një kohë të çuar dëm.

“Ne nuk duhet të dorëzohemi dhe të shkojmë në plazh duke thënë se referendumi është një çështje e ndërlikuar dhe me shumë komplikacione ligjore. Ne duhet të ngremë frymën. Një çështje e tillë është e ndjeshme. Qytetarët kërkojnë listat e hapura. Kjo lëvizje e ngre frymën, sepse ka përkrahje të faktorëve politke, të qytetarëve dhe me një përkrahje të faktorëve ndërkombëtarë, mund t’i imponohemi edhe Ramës. Pozitiviteti që i jep opozitës kjo çështje është bashkimi rreth ideve, sepse ndasi boll ka opozita. Kjo mund të shërbejë si pikë bashkimi për faktorët opozitarë”- deklaroi Agron Duka në emisionin “Pa Censurë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›