E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncesioni për HEC-in mbi Devoll, partnerët shqiptarë janë fantazmë

Nga L.Progni

Partia Socialiste e quajti dje praktikë korruptive koncesionin për hidrocentralin mbi Devoll. Deputeti i kësaj partie, Andis Harasani, numëroi disa shkelje që, sipas tij, çojnë në përfundimin se pas këtij koncesioni fshihen interesa të dyshimta korruptive.

Gazeta “TemA” ishte e para që hodhi hije dyshimi mbi këtë koncesion, duke akuzuar se ai ka lidhje me familjen kryeministrore.

“Është e papranueshme që për asete me rëndësi kombëtare, jo vetëm që nuk bëhet asnjë studim, jo vetëm që gënjehet ditën për diell, por akoma dhe më keq, shkelet çdo ligj dhe konkurrim duke aplikuar procedura që shkelin çdo barazi në tender, me qëllim nxjerrjen nga gara të investitorëve serioze potencialë, të cilët mes 101 vështirësish arrijnë të vijnë në Shqipëri. Jemi të bindur se në këtë rast ministria ka konsumuar një vepër të rëndë penale. Në rastin e hidrocentralit mbi lumin Devoll kjo është më evidente se kurrë”, - tha Harasani. Më pas ai numëroi tetë-nëntë shkelje me këtë koncesion.

Harasani tha se socialistët kërkojnë një rishikim të kësaj kontrate duke mbajtur parasysh eliminimin e favorizimeve korruptive.

Shkeljet me koncesionin

1. Nuk ka asnjë studim mbi nevojën dhe kriteret e ndërtimit të një HEC në këtë lumë!

2. Konkurrimi është bërë mbi bazë kriteresh që e bëjnë projektin jo-feasible duke sjellë largimin e 11 kompanive serioze dhe me përvojë në këtë fushë jetike për Shqipërinë

3. Një kompani nga më seriozet në Evropë dhe në botë, pasi s'kualifikohet nga tenderi si e paaftë për të ndërtuar veprën, pak ditë më vonë i kërkohet t'i bashkëngjitet fituesit

4. Në dokumentet fillestare kërkohet përfundimi i HEC mbi lumin Banjë, dhe në kontratën e miratuar nga qeveria shqiptare kjo nuk përmendet!

5. Shkelet ligji mbi koncesionet, pasi në vend të jetëgjatësisë së aprovuar prej 35 vitesh në ligjin e koncesioneve, në kontratë kompanisë fituese të paracaktuar i jepet e drejta që ta shtyjë pa afat!

6. Kompania fituese nuk merr përsipër të dëmshpërblejë asgjë për përmbytjet masive që do ndodhin në këtë zonë!

7. Jepen lehtësira fiskale për koncesionarin dhe pranohen kushte dëmshpërblimi nga shteti shqiptar që për periudha afatgjata, si në rastin e këtij koncesioni, do të dëmtojnë seriozisht buxhetin e shtetit shqiptar!

8. Askush nuk thotë se cilët janë partnerët shqiptarë që i janë bashkëngjitur me porosi këtij koncesioni, dhe aq më keq, sillet kontrata në parlament dhe kompania shqiptare nuk ka as numër NIPT-i dhe as është e regjistruar në organet tatimore shqiptare!

9. Përfitimi për shtetin shqiptar nga ky koncesionar është qesharak! Po ju bëjmë të njohur që është ekzaktësisht pesë herë më pak se në rastin e koncesionarit të dhënë po nga qeveria Berisha në ‘97.

Ministria e Ekonomisë: PS shpif për hidrocentralin mbi Devoll

Ministria e Ekonomisë ka reaguar dje pas deklaratave të PS në lidhje me koncesionin e Devollit. Megjithatë, kjo ministri nuk ka sqaruar asgjë në lidhje me partnerët shqiptarë. “Sa për lehtësirat fiskale që Partia Socialiste i ka dhënë vend e pa vend në çdo projekt, që ajo është përpjekur të bëjë pa sukses, në këtë kontratë nuk ekzistojnë. Buxheti i shtetit, që është dhe buxheti i shqiptarëve, do të përfitojë në formën e tatimeve dhe taksave direkte dhe indirekte nga ky projekt rreth 1 miliard Euro.

Sa i takon partnerëve, që sipas Partisë Socialiste janë “anonimë”, mjafton vetëm të themi se janë 2 kompani shtetërore, ajo norvegjeze “Statkraft” dhe kompania austriake EVN, që së bashku zotërojnë rreth 250 hidrocentrale dhe impiante prodhuese energjie në Evropë, dhe xhiro vjetore e të cilëve, të marrë së bashku është dhjetëra miliardë Euro. Të dyja këto kompani kanë formuar sipas kërkesave të ligjit kompaninë që do të jetë subjekt i ligjit shqiptar.

Së fundi, Partia Socialiste, për të “mbrojtur” interesin e popullit shqiptar, kërkon që ky projekt të mos bëhet”, - thuhet në njoftimin e METE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›