Topi: Brenda vitit 2012 Shqipëria do hyjë në BE
Brenda vitit 2012 Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Evropian. Kështu u shpreh presidenti Bamir Topi gjatë një vizite që po zhvillon në Itali.
Mediet italiane janë fokusuar te ky fakt duke e raportuar dje. “Reformat e bëra tashmë nga vendi ynë na e japin këtë siguri”, - mësohet të jetë shprehur presidenti. Ai ka bërë të ditur se vendi do të hyjë në NATO brenda pak javësh dhe kjo është një tjetër mundësi e artë për të dhënë imazhin e një vendi me mundësi të mëdha ekonomike.
Topi po zhvillon një vizitë në Itali, gjatë së cilës është takuar me personalitete të rëndësishme të provincës së Xhenovas.
Kështu, Topi zhvilloi bisedime me presidentin e provincës së Xhenovas, Alesandro Repeto, presidentin e Komitetit Rajonal, Klaudio Burlando, me presidentin e Këshillit Rajonal të Ligurias, Xhakomo Ronciti, me presidentin e Këshillit Bashkiak, Xhorxho Guerelo dhe kryetaren e Bashkisë së Xhenoas, Marta Vinçenci.
Zyra për shtypin e Presidencës bën të ditur se në këto takime është theksuar edhe njëherë fryma e miqësisë shumë të mirë që është zhvilluar tradicionalisht mes dy vendeve tona dhe është shprehur interesimi i përbashkët i palëve për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me qëllim rritjen dhe nxitjen e mëtejshme të tij.
“Kreu i shtetit u shpreh edhe në emër të mbarë popullit shqiptar se marrëdhëniet me Italinë janë të shkëlqyera në të gjitha fushat, si marrëdhëniet dhe shkëmbimet e vizitave në nivelet më të larta politike, ashtu edhe ato ekonomike, tregtare dhe kulturore. Duke folur për pritshmëritë e kësaj vizite në Xhenova, presidenti Topi theksoi se këto marrëdhënie do të intensifikohen edhe më tej, sidomos me Ligurian, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike, lidhjet e hershme historike e kulturore dhe shkëmbimet gjithnjë e në rritje ekonomike”, - thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidenti Topi vlerësoi angazhimin e autoriteteve të provincës së Xhenovas në integrimin dhe mbarëvajtjen e jetesës së shqiptarëve, që jetojnë e punojnë atje, duke theksuar se ata janë një urë lidhëse e fortë mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Gjatë kësaj vizite, kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim edhe me përfaqësues të shumtë të bashkësisë më të rëndësishme shqiptare në Itali, që jeton në Xhenova dhe në Liguria, bashkësi e cila arrin deri në tetëmbëdhjetë mijë vetë. Përfaqësuesit e kësaj bashkësie kanë biseduar gjatë me Presidentin e Republikës duke u ndalur e interesuar mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, reformat e kryera dhe arritjet e vendit tonë në proceset integruese.
Ndërsa dje në darkë, presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, kanë qenë të ftuar nga autoritetet më të larta të Ligurias dhe i mirënjohuri drejtues artistik, Paolo Bonolis, në teatrin “Ariston”, për të ndjekur natën finale të Festivalit të Këngës së San Remos.