E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konf. PSD, Gjinushi: PD koalicion me të korruptuar

Kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, ka vijuar sulmet ndaj kryeministrit Berisha dhe koalicioneve të tjera të majta. Gjatë zhvillimit të punimeve të konferencës së PSD dega Tiranë, Gjinushi tha se në zgjedhjet janë përballe vlera me anti vlera. 

TIRANE- Kreu i Partisë Social Demokrate Skënder Gjinushi, ka marrë pjesë në konferencën e degës së Tiranës ku ka vijuar me akuza dhe sulme ndaj koalicionit të djathtë dhe koalicionit të partisë së Metës me atë të Petro Koçit. Gjinushi i quajti të dy këto koalicione të ngritura mbi parime të dyshimta, ndërsa garantoi fitoren e së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit.

“Marrëveshja që ka lidhur Berisha me Cekën, Xhuvelin dhe ministrin e Gërdecit, janë përfaqësuesit më të akuzuar për bëmat më të mëdhaja në Shqipëri duke filluar me gjeneralin e 97, peshkaqenin e zenunit dhe ministrin e Gërdecit urdhëruesi dhe zbatuesi i këtij krimi shtetërorë. Pra është një bashkim pa dallim klani pa dallim krahu, pa dallim krimi, pa dallim korrupsioni”- tha Gjinushi.

Më tej Gjinushi tha “Katarsistët që deshën të pastronin PS nga Meta dhe metistët që deshën të pastronin PS nga Nano, pasi nuk pastruan dot njëri-tjetrin tani po thonë të bëhemi bashkë të pastrojmë PS-në nga Rama”- tha kreu i PSD-së Gjinushi.

Në fjalën e tij kreu i PSD-së Gjinushi tha se Berisha nuk mund të mbulojë korrupsionin, afera dhe krimet shtetërore me ngritjen e komisioneve hetimore kundër Ramës, të cilët gjithmonë kanë marrë përgjigje me votë nga populli.

“Berisha nuk mund të mbulojë aferat e veta korruptive me një komision hetimorë për leje ndërtimi, nuk mund të mbulojë as Durrës- Kukës me një dëm ekonomik prej 300 milion eurosh, nuk mund të mbulojë as Gërdecin, as Fazlliçin, as Jalën dhe as dhjetra skandale të tjera që ndodhin çdo muaj me këtë qeveri. Pra kalorësit Berisha kanë ngordhur si kalë beteje, por Berisha siç dihet edhe kur i ngordh kali nuk zbret por e tërheq zvarrë”- tha ndër të tjera kreu i PSD-së Gjinushi në fjalën e tij gjatë konferencës së degës së Tiranës. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›