E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e 6-vjeçares, dyshime mbi farefisin Mata

Prokuroria rrëzon disa pista hetimore. Në “lojë” rrëmbimi nga banorët e fshatit Zapod

Zhdukja misterioze e Bleonës gjashtëvjeçare në fshatin Zapod të Kukësit ende ka shumë pikëpyetje. Hetuesit e Krimeve të Rënda kanë ngritur dhe rrëzuar dhjetëra pista, duke ngelur te një e vetme, rrëmbimi. Fillimisht çështja u hetua si një vrasje brenda familjes, më pas u tha se egërsirat në pyll mund të kishin sulmuar vogëlushen dhe në fund u hetua pista e rrëmbimit, më e mundshmja për hetuesit e çështjes. Informacionet kanë qenë të çfarëdoshme, teksa individë të caktuar, të pyetur nga organi i akuzës, kanë deklaruar çfarë u ka ardhur në mend. Dikush ka deklaruar se vajza ndodhet e rrëmbyer në Durrës, një tjetër ka deklaruar se gjashtëvjeçarja ishte parë në periferitë e Tiranës, por pas verifikimeve të hollësishme asnjë informacion nuk ka rezultuar i vërtetë. Ajo çka ka dalë në dritë kohët e fundit është se ka dyshime të arsyetuara se vajza mund të jetë rrëmbyer nga banorët e fshatit Zapod në Kukës, të cilët mund të kenë pasur dijeni rreth lëvizjeve të vogëlushes.

Zhdukja

Hetuesit e çështjes dyshojnë se vajza mund të jetë rrëmbyer nga banorët e fshatit Zapod, ndërsa nuk përjashtohen as farefisi Mata. Mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rrëzuar të gjitha pistat e ngritura për zhdukjen e 6-vjeçares Bleona Mata, duke u fokusuar më shumë në një të vetme. Kjo pistë lidhet me dyshimet se mos vogëlushja mund të jetë rrëmbyer nga ndonjë person i farefisit të familjes Mata, i cili duke shfrytëzuar praninë e 6-vjeçares në mal, është vënë në lëvizje për të rrëmbyer vajzën. Hetuesit e Krimeve të Rënda kanë kërkuar në zonën ku u zhduk vajza dhe kanë dokumentuar se vajza ka lëvizur rreth 10 minuta nga kontakti i fundit me hallën. Pra, nga momenti i ndarjes me shoqet dhe hallën ajo mendohet se ka përshkuar një distancë rreth 200 metra dhe mund të jetë futur në malin e fshatit Zapod. Prokuroria thotë se ka disa prova që vërtetojnë këtë fakt, ndërsa të gjitha janë dyshime. Ka të dhëna se banorët e fshatit mund të jenë vënë në dijeni të lëvizjes dhe kanë shkuar për ta rrëmbyer. Duke qenë se terreni është shumë i vështirë, gjetja e ndonjë gjurme jete për të do të ishte shumë e vogël, ndërsa në fshat hetuesit kanë mësuar edhe për bëmat e banorëve të zonës në fëmijërinë e tyre. Grupi hetimor ka ndërtuar një skicë me të gjitha të dhënat e grumbulluara, nga ku rezulton se Bleona mund të ketë lëvizur në dy drejtime, pasi është rrëmbyer, në drejtim të Tiranës e Durrësit dhe në drejtim të Kosovës.

Dëshmitarët

Hetuesit e Krimeve të Rënda kanë verifikuar dhe krehur sërish zonën ku mendohet se është zhdukur Bleona, pasi kishte dyshime se aty mund të gjenden gjurmë të vajzës 6-vjeçare. Disa ditë më parë, hetimet u përqendruan tek identiteti i djalit misterioz që ishte parë ditën e zhdukjes në Zapod. Në pyetje janë marrë sërish vajzat dhe banorë të zonës, ndërsa gjyshja e Bleonës, e cila hodhi dyshimet e para te ky djalë, pasi e kishte parë të ngjitej drejt vajzave, ka dhënë përshkrimin e tij. Nga të dhënat e mbledhura është arritur të zbulohet identiteti, ndërsa vajzat kanë mohuar në mënyrë kategorike se e kanë takuar të riun ditën e ngjarjes. Ato kanë pohuar se kanë parë lëvizje në atë zonë, por nuk kanë njohur asnjë person, pasi nuk ishin banorë të zonës. Policia dhe më pas prokuroria i përqendroi fillimisht hetimet te ky djalë misterioz, ndërsa kishte dyshime se pikërisht vajzat fshihnin të vërtetën dhe mund të kishin ndonjë lidhje intime. Djali është marrë në pyetje nga hetuesit dhe ka pohuar se është ngjitur në mal për bagëtitë dhe nuk kishte dijeni nëse kishte vajza atje. Krahas djalit, prokuroria ka verifikuar edhe një mjet të dyshimtë që ka lëvizur ditën e zhdukjes, i cili mendohet se mund të jetë larguar drejt Kosovës. Dëshmitarë okularë, familjarë dhe banorë të zonës janë marrë në pyetje, por asnjëri prej tyre nuk ka treguar se çfarë ka ndodhur mbrëmjen e 21 majit në malet e fshatit Zapod të Kukësit. Ajo që aktualisht hetuesit kanë shpresa është gjetja e ndonjë gjurme si rroba, sandale, apo diçka tjetër në terrenin malor të fshatit Zapod.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›