E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i Franc Konomit: Im bir nuk kishte hasmëri

Sipas Stefan Konomit, uniformat blu nuk i dhanë ndihmën e shpejtë, duke e lënë të vdesë “Ai lëvizte i shkujdesur. Po të ishte i fajshëm, le ta fusnin në burg”

I vetëm, babai i Franc Konomit, i cili u vra dje paradite nga një atentat pranë qendrës së Tiranës, ka hapur derën e shtëpisë për ngushëllime, ndërsa pret që të kthehen nëna e viktimës dhe dy vëllezërit, të cilët jetojnë dhe punojnë në Greqi. Ai është mpirë nga dhimbja dhe ende nuk e beson se djali i tij 42-vjeçar është vrarë, por sytë i mbushen me lot sa herë e përmend, duke hedhur vrer mbi policinë dhe shtetin, pasi për të, vetëm ata e kanë fajin. “Vetëm tri ditë më parë erdhi nga Gjermania, pasi çoi familjen, gruan me dy fëmijët, sepse kishin qenë me pushime në Greqi. Ndërsa sot paradite doli për të takuar një shokun e tij, aty ku e vranë. Një kushëri më njoftoi...”, fillon të tregojë Stefan Konomi, i cili mbytet në lot. Sapo është vënë në dijeni, ai ka shkuar në spital, por menjëherë i kanë thënë se i biri ka vdekur. Më pas ka shkuar në morg, e me gjithë dhimbjen që kishte i është dashur të presë për disa orë, por nuk ka mundur ta marrë djalin, pasi po kryheshin veprimet procedurale. I vetëm është nisur për në shtëpinë e tij, e më pas është takuar me dy kushërinj. Ka ndalur vetëm për pak çaste në apartamentin që ka në një pallat në rrugën mes Shkollës së Kuqe dhe Shkollës Partizani. Nga ana tjetër e rrugës ka banesën, ku qëndronte i biri, sa herë kthehej nga Gjermania, ku jeton me familjen.

Shtëpia përdhese, me një portë të vogël hekuri, pa ndonjë fortifikim të veçantë është e shtruar me pllaka që në oborrin e vogël dhe ngjitur me to ka disa lule. Mes luleve bien në sy shtangat dhe girat, që Franc Konomi, i dyshuar nga policia për dy ngjarje të ndodhura vite më parë, i mbante për t’u stërvitur. Nga porta gjysmë e hapur vjen zëri i Stefanit, i cili me dy kushërinjtë kanë vendosur provizorisht disa karrige, ku presin miqtë për ngushëllime, pasi e gjithë familja ndodhet jashtë vendit. Babai i viktimës tregon se i biri nuk kishte asnjë hasmëri. “Drejtësia e ka nxjerrë të pafajshëm dhe nëse do të kishte sado pak hesap në ato ngjarje, shteti ta kishte futur në burg. Por ky shtet është i paaftë dhe vetëm këtu ndodh që njeriu të vritet në mes të ditës dhe autorët të zhduken, pasi policia nuk mund t’i gjejë se cilët janë”, shprehet Stefan Konomi, inxhinier prej vitesh, teksa flet për gazetën “Shqip”.

Si u vutë në dijeni për vrasjen e djalit tuaj?

Një kushëri më tha se kishin qëlluar Francin. Shkova në spital, pastaj në morg. Atje takova mjekët, ku ishin edhe ekspertët e policisë, ishin civilë, të cilët më thanë të shkoja pas një ore e gjysmë. Po ku të shkoj, nuk më bëjnë këmbët. Po pres të vijnë dy djemtë dhe gruaja, që ta marrim Francin.

Keni kontaktuar me policinë?

Kontaktova te morgu, por erdhën edhe në shtëpi. Te morgu, punonjës policie, të veshur civilë, po tentonin të flisnin me shokët e Francit, që vinin dhe më takonin mua për ngushëllime. Ata mendonin se kështu do të gjejnë autorin. Më pas erdhën në shtëpi, ja këtu, duke kontrolluar se çfarë mund të gjenin brenda. Por, Franci nuk kishte frikë nga asgjë.

Me çfarë merrej djali juaj?

Ai udhëtonte shumë nga Shqipëria në Gjermani dhe anasjelltas. Atje jeton me familjen. Në Hamburg ka gruan, djalin dhe vajzën. Nuk e di nëse do të mund të vijnë për lamtumirën e fundit, pasi ndodhen larg, e kjo që na ndodhi erdhi papritmas. Nuk ruhej nga asgjë. Këtu në Tiranë kishte lokalin “Natyra”, ku janë zhvilluar edhe aktivitete të ndryshme. Kur vinte, i pëlqente të qëndronte i vetëm në shtëpinë tonë private, pasi në apartament jetoj unë. Ishte i rregullt, siç mund ta shihni (tregon banesën), çdo objekt në vendin e vet. Para tri ditësh erdhi nga Gjermania. Dy javë ka qenë në Greqi, bashkë me familjen, ku kanë bërë pushimet, duke u bashkuar me nënën e vet dhe dy vëllezërit e tjerë, të cilët jetojnë atje. Pas pushimeve ka çuar familjen në Gjermani dhe më pas erdhi në Shqipëri. Lëvizte me makinën e tij “Benz”, por pa u ruajtur nga askush, pasi nuk kishte asnjë problem.

Po sot (dje) keni kontaktuar me të?

Në mëngjes folëm dhe më tha se po shkonte të takonte një shokun e tij, pikërisht aty e kanë vrarë. Madje, më tregonte se vinte në Shqipëri, pikërisht për shokët, pasi nuk i shtyhej shumë në Gjermani, pavarësisht se edhe familjen e ka atje.

Kishte shfaqur shenja frike apo shqetësime gjatë kësaj kohe?

Asnjëherë. Në të shkuarën ai mbante pistoletë me vete, pasi kishte frikë, pasi nuk ekzistonte shteti. Por tani edhe armë nuk mbante më. Madje, kur erdhi policia, pikërisht për kontroll armësh mendova se po bëhej e gjitha, por nuk u gjet asgjë. Ai lëvizte i shkujdesur dhe pa frikë. E gjithë lagjja e njihte si njeri të mirë dhe jo ashtu siç pretendon policia.

Keni ndonjë dyshim mbi vrasjen e djalit tuaj?

Ai nuk ka bërë asgjë. Policia duhet ta gjejë vrasësin. Po të kishte bërë ndonjë gjë të kundërligjshme, atëherë shteti ta kishte mbajtur në burg dhe ta kishte dënuar. Por, ai ka dalë i pafajshëm. Edhe kur e akuzuan dhe e arrestuan në Gjermani, u detyrova të dërgoj vendimin e gjykatës, se ishte i pafajshëm. Meqë ishte i pafajshëm, atëherë autorët t’i gjejë ky shtet. Kriminelët që vrasin në mes të ditës, në mes të kryeqytetit dhe arrijnë të ikin pa u shqetësuar fare, duhet t’i gjejë shteti, nëse ekziston, pasi për mua nuk ka shtet, se vetëm këtu ndodhin krime të tilla dhe që nuk zbardhen kurrë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›