E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Konferenca Kombëtare e Sportit, Veliaj: “Asllan Rusi” dhe “Selman Stërmasi” do të ribëhen nga e para

“Arritjet dhe sfidat e sportit në Shqipëri” ishte konferenca kombëtare e zhvilluar të martën, 18 tetor, në Tiranë, e cila mblodhi bashkë të gjithë aktorët e sportit në Shqipëri. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi vuri në dukje arritjet e sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare si dhe mundësitë që do t’u krijohen atyre për të bërë më shumë.

I ftuar në këtë konferencë ishte edhe Davide Tizziano, President i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, i cili theksoi qëllimin që kanë këto lojëra, unitetin dhe paqen, duke bashkuar sportistët e tre kontinenteve.

Fidel Ylli theksoi mbështetjen financiare të qeverisë shqiptare për realizimin e disa projekteve tepër të rëndësishme të KOKSH-it.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me numëroi aktivitetet që do të zhvillohen brenda këtij viti në Tiranë. Gjithashtu njoftoi se Pallati i Sportit ‘Asllan Rusi’, edhe stadiumi ‘Selman Stërmasi’ do të ribëhen nga e para. 

“Shumë shpejt do të shihemi për Triathlonën në Farkë. Në tetor do të shihemi për Maratonën e Tiranës, prandaj kush ka nisur përgatitjet, ky është momenti për ta vendosur në kalendar. Pastaj, me disa të tjerë do të shihemi në përgatitjet që po bëjmë, bashkë me Fidelin, që Tirana të jetë bashkëorganizatore me Kosovën për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. Pastaj, do të shihemi te kampionati i tenisit, te Parku i Liqenit, ku sapo kemi liruar hapësirat për fushat. Do të shihemi edhe tek pishinat, të cilat pas 20 viteve në privat i mori në dorëzim bashkia për t’i rinovuar sepse unë besoj se ne mund ta bëjmë më mirë këtë punë. Federata e Notit nuk ka më nevojë të shkojë në hotele private, por mund të vijë në pishinat e Bashkisë së Tiranës. Në fund, do të shihemi kur të hedhim themelet e dy investimeve gjigante për sportin në Tiranë. Ashtu siç ndodhi me Arenën Kombëtare, edhe Pallati i Sportit ‘Asllan Rusi’, edhe stadiumi ‘Selman Stërmasi’ do të ribëhen nga e para, më të mëdhenj, më të fortë dhe më të bukur për çunat e gocat tanë”, tha Veliaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›