E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Brdos, e suksesshme për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga konferenca në Bërdo pranë Kranjit, ka vlerësuar takimin si jashtëzakonisht të suksesshëm për Republikën e Kosovës, për përfaqësimin e saj të barabartë, prezantimin e vizionit për bashkëpunim rajonal, si dhe për integrim në BE dhe NATO.

Ai këto komente i bëri të dielën në Aeroportin e Prishtinës, menjëherë pas kthimit nga takimi i mbajtur dje në Bërdo të Sllovenisë, i cili është vlerësuar si shumë i suksesshëm nga ana e kryeministrit Thaçi.

“Takimi i djeshëm në Bërdo të Sllovenisë i liderëve të rajonit ka qenë një takim jashtëzakonisht i suksesshëm për Republikën e Kosovës, për përfaqësimin e saj të barabartë, për prezantimin e vizionit për bashkëpunim rajonal, bilateral në të gjitha vendet e rajonit, por në të njëjtën kohë edhe të vizionit për t’u integruar në NATO dhe në Bashkim Evropian, për të kaluar nga faza e stabilitetit në atë të zhvillimit ekonomik dhe modernizimit të shteteve tona”, ka thënë ai.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se deklarata e përbashkët e nënshkruar nga të gjithë përfaqësuesit e këtij takimi është e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

“Deklarata e përbashkët ishte zotim për të ndihmuar secili shtet secilin, por edhe për nevojën për të njohur njeri-tjetrin, për të njohur shtetet përkatëse që të rritet dhe të thellohet bashkëpunimi i ndërsjellët, ndërshtetëror. Në kuadër të kësaj besoj se gjërat do të lëvizin edhe më mirë edhe më shpejt, bashkëpunimi do të rritet dhe e tërë Ballkani Perëndimor do të integrohet në strukturat e NATO-së dhe të BE-së”, ka thënë Thaçi.

Duke iu përgjigjur interesimit të medieve për mos pjesëmarrjen e presidentit serb Boris Tadiq në këtë konferencë, kryeministri Thaçi duke mos dashur të komentojë më gjatë, ka thënë se vendimi i përket shtetit pjesëmarrës.

“Mendoj që është vendim i shtetit përkatës pjesëmarrja ose mos pjesëmarrja, por takimi i Bërdos ka pasur suksesin e plotë prej organizatorëve por të veçanti për Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq lidhur me konferencën paralajmëruar të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor, i cili pritet të mbahet në qershor në Sarajevë, Thaçi ka thënë që Kosova kudo qofshin takimet ajo do të paraqitet si shtet i pavarur dhe sovran.

“Ku do që mbahen takime qoftë të nivelit rajonal, apo takime të nivelit të lartë ndërkombëtar, kudo që do të jetë Kosova, do të jetë vetëm si shtet i pavarur dhe sovran, në nivel të barabartë”, ka thënë kryeministri Thaçi. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›