Konferenca e PS, nuk i përgjigjet pyetjes: Kush e la Tiranën pa plan për 11 vite
Tabaku: Reflektim pa mea culpa i Ramës, betonizoi kryeqytetin
Nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku ka reaguar dje në lidhje me konferencën e organizuar nga Partia Socialiste, “Shqipëria e gjeneratës së re”. Sipas nënkryetares Tabaku, kjo konferencë ishte një reflektim pa mea culpa i Ramës. “Reflektim pa mea culpa! Kush e la Tiranën pa plan për 11 vite? Kush e betonizoi atë?”, shkruan Tabaku në Facebook. Një ditë më parë nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, e cila në shtator do të jetë deputet e Partisë Demokratike, duke komentuar ftesën e Edi Ramës për arkitektët e huaj, e akuzoi atë se nuk miratoi planin urban të Tiranës për 11 vjet. “Rama paskësh ftuar sot arkitektë e urbanistë për të parë pikat historike të Tiranës që për 11 vite nuk i dinin ku ishin dhe për të sugjeruar planin për zhvillimin. Z. Rama harron që Tirana e ka një plan urban të miratuar, një plan që nuk arriti t’ia japë qytetit për 11 vite dhe më në fund vjet u bë realitet, një plan që qytetarët e Tiranës më në fund po fillojnë ta zbatojnë dhe një mundësi për të zhvilluar pronat në mënyrë të barabartë e jo klienteliste!”, shkruan në Facebook Tabaku.
Deputeti i PD, Gerti Bogdani
Rama të mbajë premtimet elektorale, të lërë shpikjet e fund-gushtit
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ka reaguar pas ditës së parë të konferencës së Partisë së Partisë Socialiste mbi territorin. Sipas Bogdanit, Rama duhet të përballet me premtimet elektorale që ju ka bërë qytetarëve, ndërsa i ka quajtur shpike të fund gushtit, temat e diskutuara në konferencë. Sipas Bogdanit, ai ka ardhur në pushtet për të qeverisur të mirat dhe përfitimet me grupimet e tij dhe biznesmenët që e ndihmuan të vijë në pushtet. “Kryesocialisti po vazhdon në rrugën e tij të zbulimit të botës, me ide të çuditshme, duke na dëshmuar se sa kaos ka në mendjen e tij për zhvillimin e vendit. Habit të madh e të vogël kur pasi shpalli se Shqipërisë i duhen redaktorët e shqipes për të ecur përpara, tani ka zbuluar se në këtë drejtim nevojiten dhe artistët e sociologët. Këto janë thjesht bojëra për të mbuluar tablonë e tij të vërtetë, se ai ka ardhur në pushtet për të qeverisur të mirat dhe përfitimet me grupimet e tij dhe biznesmenët që e ndihmuan të vijë në pushtet”, komentoi ai. “Lypset t’i kujtojmë se fushata zgjedhore ka mbaruar dhe se këto idetë e tij të reja dhe zbulimi që po i bën botës janë të pavend, në mos qesharake. Kryesocialisti premtoi shëndetësi falas, premtoi heqje të taksës së biznesit të vogël, legalizim falas, dhe ulje të taksës për 95% të shqiptarëve. Njerëzit me të drejtë presin zhvillimin e këtyre ideve e të këtij programi, dhe jo zbulesat e mëdha të z.Rama. Premtimet elektorale janë marrëveshja që ai ka me qytetarët, dhe ai do të duhet të përballet me këto sfida. Nuk mund ta marrë lehtë me shpikje të fund-gushtit. Qeverisja kërkon seriozitet, dhe kjo nis nga mbajtja e premtimeve”, shprehet Bogdani më tej në komentin e tij në Facebook.