E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e ambasadorëve diskuton sot vizat dhe integrimin

Përfaqësuesit diplomatikë shqiptarë do të mblidhen sot në Tiranë për të diskutuar për problematikën dhe mënyrën e intensifikimit të politikës së jashtme. Konferenca e përvitshme e organizuar nga Ministria e Jashtme do të bëjë një analizë të hollësishme të shërbimit të jashtëm për vitin e shkuar, por duke mos lënë pas dore dhe situatën në rajon pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Zëvendësministri i Jashtëm, Selim Belortaja, ka pohuar dje se gjatë këtij takimi do të theksohen prioritetet e punës së diplomacisë shqiptare. Tri shtyllat kryesore, sipas tij, mbi të cilat do të bazohet aktiviteti i diplomatëve, janë liberalizimi i vizave, integrimi evropian dhe lobimi për njohjen e mëtejshme të Kosovës. Diplomacia do të vazhdojë të ketë në fokus procese të mëdha të integrimit, integrimin evropian të vendit, liberalizimin e vizave, anëtarësimin e plotë të vendit në BE, vazhdimin e procesit të njohjes së Kosovës si shtet i ri dhe i pavarur, një punë kjo që do të intensifikohet shumë gjatë këtij viti, edhe më shumë fokus do të ketë në marrëdhëniet ekonomike, dypalëshe në rajon dhe më gjerë, - tha Belortaja. Ai shtoi se një risi tjetër e sivjetme është ngritja e departamentit që do të ushtrojë, do të realizojë konceptin e diplomacisë ekonomike, pra më shumë fokus do të ketë në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe dhe shumëpalëshe në rajonin tonë dhe më gjerë. Ndërsa Gazmend Turdiu, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka pohuar se konferenca e ambasadorëve të Shqipërisë në botë nuk do të sjellë ndryshim të politikës së jashtme të Shqipërisë. Turdiu pohoi se Shqipëria ka arritur një pjekuri të tillë që politika e saj e jashtme është e qëndrueshme dhe ka një linjë, e cila prej njëzet vitesh është po ajo. Qëllimi ynë strategjik është integrimi euroatlantik, natyrisht paqja dhe siguria, kryesisht në rajonin tonë, sepse këtu janë edhe interesat tona parësore dhe kontributi që vendi ynë mund të japë në bashkëpunim me vendet e tjera demokratike në botë për qetësimin, stabilizimin dhe paqen për rajone të tjera të vështira të botës, - ka nënvizuar ai. Në konferencën e së mërkurës, do të jenë Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, që do të analizojnë punën vjetore të bërë nga shërbimi i jashtëm shqiptar. Gjithashtu, do të përcaktohen zyrtarisht objektivat ku diplomatët do të fokusohen. Një vëmendje e veçantë do ti kushtohet situatës në rajon, veçanërisht pas qpinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›