Lohan: BE, angazhim maksimal për integrimin e Shqipërisë
Progresi ma bëri shumë të këndshëm qëndrimin në Shqipëri. Komentet e ambasadorit gjatë takimit me Topallin
Bashkimi Evropian është angazhuar maksimalisht për integrimin e Shqipërisë në BE. Garancia është dhënë dje nga ambasadori i Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmuth Lohan. Në prag të përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri, Lohan ka zhvilluar një takim me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. Ambasadori i KE-së ka vlerësuar punën e qeverisë, Parlamentit dhe institucioneve shqiptare në kuadër të plotësimit të detyrimeve për liberalizimin e vizave dhe integrimin në strukturat evropiane. Ai theksoi progresin e vendit tonë, duke pohuar se falë tij qëndrimi në Shqipëri i është bërë edhe më i këndshëm. Ambasadori Lohan Integrimi evropian i Shqipërisë është objektivi ynë i përbashkët, - tha dje ambasadori i KE-së në Shqipëri, Helmuth Lohan, në takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në prag të përfundimit të mandatit të tij në krye të delegacionit të KE-së, ambasadori Lohan tha se ka qenë një kënaqësi për të, të shohë nga afër progresin e shpejtë dhe angazhimin maksimal të qeverisë, Parlamentit dhe institucioneve shqiptare në afrimin e vendimit për liberalizimin e vizave dhe shkurtimin e rrugës drejt BE-së. Ky progres ma ka bërë shumë të këndshëm qëndrimin tim në Shqipëri. Ju siguroj se angazhimi i BE-së është maksimal për përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në strukturat e saj, - deklaroi ambasadori. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli vlerësoi kontributin dhe angazhimin personal të ambasadorit Lohan përgjatë gjithë hapave integrues të Shqipërisë dhe i bëri urimet më të sinqerta për të dhe familjen e tij. Mbështetja e BE-së ka qenë një inkurajim i madh për ne, - tha ajo, - dhe ne gjithmonë kemi vlerësuar çdo raport e dokument të Bashkimit Evropian si axhendë të Parlamentit. Ajo tha se Shqipëria në 20 vite ka rikuperuar shekuj kohë. Integrimi në BE ka qenë motivi, motori dhe udhërrëfyesi kryesor në sfidat dhe reformat e mëdha. Shqiptarët janë evropianë dhe vokacioni perëndimor i tyre është një energji e jashtëzakonshme për të ecur përpara. Kryetarja e Kuvendit dhe ambasadori Lohan biseduan për sfidat e ardhshme politike, ekonomike dhe integruese. Ambasadori Lohan tha se pavarësisht shkëputjes së tij nga Shqipëria, do të vazhdojë të ndjekë me kënaqësi zhvillimet në vend, me besimin e plotë në integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE. Pas pak kohësh ambasadori Lohan do të largohet nga Shqipëria, pasi tashmë përfundon mandati i tij. Pas Lohanit pritet edhe largimi i ambasadorit gjerman Bernd Borchardt, ndërkohë që është larguar tashmë ambasadori amerikan John Withers, i cili do të zëvendësohet nga Aleksander Arvizu.