E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Berisha me Kancelaren e Gjermanisë, Anxhela Merkel

Kryeministri Berisha dhe Kancelarja e Gjermanisë, Anxhela Merkel dhanë sot një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin, ku rikonfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve.

Në fjalën e saj Kancelarja Merkel e vuri theksin në kursin e guximshëm të reformave të jashtëzakonshme, veçanërisht në luftën  kundër korrupsionit që ka ndërmarrë Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij. Kancelarja Merkel shtoi më tej se tashmë Shqipëria po korr frutet e reformave që ka ndërmarrë.       

Kryeministri Berisha duke falenderuar Kancelaren Merkel dhe popullin gjerman për ndihmën e çmuar  që i kanë dhënë Shqipërisë gjatë 20 viteve të fundit theksoi se  në tre vjet qeveria shqiptare është përqëndruar së pari në shembjen e barrierave dhe mureve që pengonin procesin e integrimit.  

Kancelarja Angela Merkel: 

Zonja dhe zotërinj,

 Jam shume e lumtur që Kryeministri i Shqipërisë, z. Berisha ndodhet sot për vizitë, si mik në Gjermani, ju uroj përzemërsisht mirëseardhjen!  

Ne jemi takuar shume herë në kuadër të takimeve ndërkombëtare, por sot kishim mundësinë për takim e bisedime dypalëshe. Jam shumë e lumtur për këtë takim të parë zyrtar, ku ku ne kemi shkëmbyer pikëpamjet tona mbi zhvillimet ne Shqipëri.

Ne biseduam shume mbi marrëdhëniet bilaterale. Në radhe të parë, ato janë te shkëlqyera e miqësore dhe në aspektin politik nuk kemi asnjë çështje të pazgjidhur. Ekzistojnë hapësira për te zgjeruar edhe me tej bashkëpunimin ekonomik. Për shembull, ne këtë moment po zhvillohet ne Shqipëri java e kulturës gjermane, çka do te thotë qe fusha e kulturës përbën  një spektër tjetër për zgjerimin e marrëdhënieve.

Kemi një bashkëpunim politik të konsoliduar dhe unë mund të them se Gjermania, nga ana e saj, mund të japë kontribut të mëtejshëm dhe mbështetjen e saj për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Ne i urojme Shqipërisë sukses të plotë dhe konstatojmë se reformat kanë dhënë frytet e tyre. Kryeministri Berisha ndjek një kurs reformash me një kurajë të  jashtëzakonshme edhe në luftën kundër korrupsionit dhe për zhvillimin e suksesshëm ekonomik dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Gjermania, përherë, aty ku ka mundësi, do ta mbështesë Shqipërinë.

Natyrisht, ne biseduam, gjithashtu, edhe për rajonin dhe për bashkëpunimin tonë ndërkombëtar në rajon dhe do të dëshironim që çështja e debatit mbi emrin e Maqedonisë të çojë në një zgjidhje e cila do te mundësoje, qe Maqedonia te pranohet ne NATO. Ky është një hap i rëndësishëm për një zhvillim koherent të të gjithë rajonit.

Ne  dëshirojmë gjithashtu, që perspektiva europiane si e Shqipërisë ashtu edhe e vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor të shkojë drejt realizimit të shpejtë të saj. Besoj se Gjermania, mund të themi, me gjithë zemër, i uron qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar çdo sukses dhe se Gjermania është e gatshme  ta ndihmojë Shqipërinë me të gjitha forcat në këtë rruge.

 Kryeministri Berisha:

E nderuar zonja Kancelare Merkel,

zonja dhe zotërinj,

Unë e shfrytëzoj këtë rast për t`i shprehur falenderimin dhe mirënjohjen më të përzemërt Kancelares Merkel për pritjen shumë të ngrohtë dhe miqësore që më rezeervoi në këtë vizitë timen në Republikën Federale të Gjermanisë. Por unë shfrytëzova rastin gjithashtu për të shprehur mirënjohjen më të thellë të qeverisë shqiptare dhe të shqiptarëve për ndihmën jashtëzakonisht të çmuar politike, ekonomike dhe të gjithanshme që ky vend, mik i madh, qeveria gjermane i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve. Shqipëria zë vendin e parë në ndihmën për frymë të Gjermanisë dhe qeverisë gjermane.

Këto ndihma kanë tejkaluar 700 milionë euro dhe janë të shtrira në të gjitha fushat.
Shqipëria siç e dini doli nga një varfëri dhe mjerim ekstrem. Sot Shqipëria ka ndryshuar.  Ajo nuk i përket më grupit të vendeve me të ardhura të ulëta. Me të gjitha këto arritje solidariteti, ndihma, projektet e qeverisë gjermane kanë luajtur një rol thelbësor dhe unë jam shumë mirënjohës.

Unë e njoha Kancelaren Merkel me përpjekjet e qeverisë sime gjatë këtyre tre viteve për të ecur me dy projektet madhore të kombit tim; integrimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Europian. Në këtë kontekst unë mund të them se në tre vjet ne jemi marrë së pari me shembjen e barrierave dhe mureve që pengonin procesin e integrimit.
“Zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar ka qenë platforma e qeverisë sime dhe sot Shqipëria ka treguesit e kriminalitetit qartësisht ndër mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Mbi 206 grupe dhe organizata kriminale janë çmontuar, 950 anëtarë të tyre janë vendosur para ligjit, është vendosur moraturiumi për anijet e vogla që përdoreshin për trafiqe drejt Italisë. Vendi është shumë i sigurtë.

Në tre vite ne kemi patur rritje  të turizmit nga 300 mijë turistë në vitin 2004 në mbi 2 milionë këtë vit, por nuk kemi patur asnjë incident. Shqipëria është një vend krejtësisht i sigurtë.

Shqipëria është angazhuar në reforma të thella për të bërë funksionale demokracinë e saj. Kemi bërë ndryshime kushtetuese dhe me opozitën dhe po punojmë për një Kod Zgjedhor të ri. Kemi vendosur norma dhe rregulla të reja në ekonominë e tregut, të cilat e bëjnë atë  më funksionale. Kemi vendosur standarde të reja në luftën kundër korrupsionit. Çfarë mund t`ju them unë për rezultatet?  Shqipëria këtë vit u cilësua në raportin “Doing bussines” si vendi i dytë në botë për reformat e tregut  dhe klimën e biznesit. Në luftën kundër korrupsionit Shqipëria u rendit  ndër 10 vendet e para në botë dhe në vendin e parë në Ballkan. Dua të theksoj se korrupsioni mbetet sërish një kancer që duhet luftuar çdo orë, çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj.

Në Shqipëri ekziston një klimë shumë e favorshme për investimet e huaja, ka një përpjekje të madhe për ripërtëritjen e infrastrukturës, por më lejoni t`ju informoj se në këtë drejtim projektet gjermane të KfV-së dhe të institucioneve të tjera janë të një rëndësie kryesore. I tërë rrjeti elektrik i jugut të Shqipërisë u rindërtua me ndihmën e kësaj banke dhe qeverisë gjermane. Linja e lidhjes së Tiranës me Podgoricën po bëhet me financimin e KfV-së. Linja tjetër e lidhjes së Prishtinës me Tiranën gjithashtu po bëhet me financimin e KfV-së. Unë përmenda këtu vetëm rrejtin elektrik, por janë me dhjetra projekte të tjera, të cilat po zhvillohen në ujësjellësa, kanalizime, në trajtimin e ujërave të zeza, në mbrojtjen e liqeneve , mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, mbrojtjen e Liqenit të Shkodrës, mbrojtjen e mjedisit. Ajo që vihet re në këto projekte është rezultati i tyre shumë i mirë.


Unë jam shumë i kënaqur nga interesi gjithnjë në rritje i biznesit gjerman për të investuar në Shqipëri. Hochtief, Siemens kanë një traditë shumë të mirë pune në Shqipëri. RËE kompani të tjera po tregojnë interes të madh për investime. Shqipëria ka potenciale  shumë të mëdha ujore. Janë rreth 400 hidrocentrale për t`u ndërtuar. Shqipëria ka potenciale të mëdha minerare si krom, nikel, bakër etj. Shqipëria ka një potencial të madh turistik për t`u zhvilluar dhe tani ekziton një kuadër ligjor dhe një klimë miqësore ndaj biznesit.

Me kanceralen Merkel diskutuam edhe për situatën në rajon. Dua të theksoj se Gjermania ka qenë një kontribuese kryesore në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë konfliktual, i cili ka hapur një kapitull të ri paqeje, stabiliteti dhe integrimi. Jemi të një mendje se ndryshimet në Beograd janë ndryshime pozitive dhe Presidenti Tadiç dhe qeveria e tij shpresojmë se do të hapin një kapitull të ri bashkëpunimi. Unë e konsideroj shumë të rëndësishëm një kapitull të ri bashkëpunim i midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, pavarësisht nga e shkuara që kanë patur. Alternativa e vetme është hapja e një kapitulli të ri bashkëpunimi dhe shikimi drejt së ardhmes. Unë jam i vendosur të kontribuoj në këtë drejtim. Me Kancelaren Merkel diskutuam dhe për probleme të tjera. 

Edhe njëherë dua t`i shpreh mirënjohjen më të thellë Kancelares Merkel për mbështetjen e madhe dhe ta siguroj se reformat janë dhe do mbeten ‘perpetum mobile’ në Shqipëri. 

Pyetje: Cfare qëndrimi do të mbajë Gjermania sot në votimin në asamblenë e përgjithshme të OKB-së?

Kancelarja Angela Merkel: Duket se ne do të abstenojmë.

Pyetje: Si ka mundësi që BE nuk ka qëndrim unik mbi këtë çështje?

Kancelarja Angela Merkel: Tashmë s’ka më rëndësi. Përmes abstenimit tonë, ne duam të shprehim atë, që ne kemi marrë një vendim të drejtë me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe që nga ky vendim, ne nuk bëjmë asnjë hap prapa. Nga ana tjetër, jemi të mendimit se duhet të kemi besim tek institucionet ndërkombëtare dhe se ato do të ndajnë të njëjtin këndvështrim mbi të drejtën e popujve.

Pra, nga njëra an ne jemi te bindur se njohja e pavarësisë është e drejtë dhe nga ana tjetër ne nuk duhet të pyesim gjykatën ndërkombëtare për këtë, ndaj përmes abstenimit shprehet qëndrimi në se dikush e njeh apo nuk e njeh Kosovën.

Ka qenë një zhvillim pozitiv, që Portugalia e ka njohur tashmë Kosovën dhe në këtë mënyrë shumica e vendeve të BE kanë tashmë këtë  qëndrim. Është e nevojshme të lihen mënjane disa dyshime  që mund të kenë vende të tjera. Pra do ta përmblidhja se njohja e Kosovës ishte një vendim i drejtë që ne kemi marrë.


08/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›