Konferenca gjyqësore, Halimi: Ligji me rëndësi për reformën në drejtësi
Komisioni i ligjeve ka marrë sot në shqyrtim projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e konferencës gjyqësore kombëtare”.
Në fjalën e tij, ministri i drejtësisë Eduard Halimi ka theksuar se projektligji është me rëndësi për reformën në drejtësi dhe parashikon mënyrën se si do të funksionojë Konferenca gjyqësore. Sipas Halimit në projektligj nuk përfshohet më përfaqësimi me delegim i gjyqtarëve.
Ndërkohë drafti i hartuar nga ministria e drejtësisë sjell risi në mënyrë të veçantë në zgjedhjen e anëtarëve të KLD dhe në raportet e Konferencës me Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Në dhjetor të vitit 2008, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e mëparshëm për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Kushtetuesja vendosi bazuar në padinë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, sipas të cilëve Kuvendi gjatë miratimit të ligjit ka shkelur Kushtetutën në disa nene të saj.
Argumenti kryesor ishte se Konferenca Gjyqësore Kombëtare është një institucion i parashikuar në Kushtetutë dhe, për rrjedhojë, miratimi i ligjit të saj duhet të ishte bërë me një shumicë të cilësuar votash në Kuvend.