Konferenca në Greçi

Riti bizantin në katundin e emigrantëve të hershëm arbëreshë
Me rastin e festimeve për 300-vjetorin e themelimit të Kishës Mëmë të Greçit, kushtuar Shën Bartolomeut apostull (1710-2010), u organizua së fundmi në qyetin arbëresh të Komunës së Avelinos, një konferencë për ritin bizantin. Është një rit i praktikuar në Greçi, ashtu si edhe në të gjitha ngulimet arbëreshe, gjatë të dy shekujve të parë të emigrimit nga Shqipëria.
Prof. Don Antonio Porpora, i Fakultetit Teologjik të Italisë Jugore në Napoli në kumtesën e tij kushtuar historisë dhe strukturës së ritit bizantin u përpoq të theksojë se kisha katolike nuk mund t njejtsohet me kishën latine, siç ndodh shpesh, pasi kisha katolike përfshin edhe kishat lindore të ritit bizantin, kopt, etiopian, sirian, armen, maronit.
Tendenca për njejtësim të kishës katolike me atë latine është fryt i procesit të latinizimit të ndërmarrë nga kisha e Romës e të mbështetur nga një numër masash e vendimesh, që u frymëzuan nga koncepti i praestantia latini ritus (superioriteti i ritit latin mbi të tjerët).
U desh të mblidhej Koncili II i Vatikanit, për të pohuar se edhe kishat e ritit bizantin katolik "gëzojnë të njëjtin dinjitet".
Prof. Porpora u ndal në konceptin sipas të cilit ritet nuk janë një shumësi ceremonish të shenjta, por "shprehja e një kulture, e një teologjie, e një vizioni të jetës shpirtërore, janë shprehja e një komuniteti, e historisë së tij; janë pra shprehja e një kishe, e spiritualitetit liturgjik të saj". Parë në këtë perspektivë mund të kuptohet më mirë larushia e riteve: nga ai latin tek ai kopt, siro-perëndimor e siro-lindor, nga riti armen tek ai bizantin.
Kumtuesi bëri një paraqitje të karakteristikave të strukturës së kishave nga pikëpamja arkitektonike, duke u ndalur tek linjat e kishave greke (Selanik), që janë frymëzuar nga Bazilika e Kostandinopojës, tek kishat ruse, me strukturën e brendshme dhe nënvizoi vlerën simbolike të ngjyrave me të cilën janë veshur së jashtmi kupolat: e artë kur kisha i dedikohet Krishtit, e kaltër kur i dedikohet Shën Mërisë, e gjelbër në rastin kur i kushtohet Trinisë së Shenjtë dhe e kuqe kur i kushtohet shenjtorëve.
Prof. Porpora foli edhe për liturgjinë, për vendin që zë në tërë rrugëtimin shpirtëror gjatë të gjithë cikleve të vitit. Traditat e formimit të teksteve liturgjike janë të ndryshme, aktualisht kufizohen në tri: Liturgjia e Sh. Japkut, e vetmja që celebrohet jashtë ikonostasit, liturgjia e Sh. Vasilit, më e gjata, dhe ajo e Sh. Janj Krizostomit, më e përdorura gjatë gjithë ciklit të vitit. Eucologji, ose libri i lutjeve liturgjike, gjatë shekujve ka ndjekur zhvillimin e shumë traditave: atë të Kostandinopojës, atë të murgjëve të Malit Sinai, të Italisë së Jugut e atë të Malit Athos.
Prof. Italo Costante Fortino foli për latinizimin e pjesës më të madhe të komuniteteve arbëreshe.
Greçi, katund i formuar nga emigrantë të hershëm arbëreshë, mbi bazën e një komuniteti ekzistues të ritit bizantin, kaloi në ritin latin në gjysmën e dytë të shekullit XVII.
2/3 e komuniteteve arbëreshe të ritit bizantin, ashtu si Greçi kaluan në ritin latin në të njëjtën periudhë: Portocannone, Montecilfone, Campomarino, Ururi, Casalvecchio, Casalnuovo, Chieuti, Barile, Ginestra, Maschito, Cerzeto, Cavallerizzo, Cervicati, S. Martino di Finita, S. Giacomo di Cerzeto, Mongrassano, Rota Greca, S. Caterina Albanese, Falconara Albanese, S. Lorenzo del Vallo, Spezzano Albanese, Amato, Andali, Caraffa, Gizzeria, Marcedusa etj. etj. Në total komunitetet e kaluara në ritin latin janë 65, kurse ato që rezistuan dhe ende sot ruajnë ritin bizantin janë 26.
Prof. Fortino kujtoi se arbëreshët kur u vendosën në Mbretërinë e Napolit (shek. XV-XVI) praktikonin ritin bizantin dhe ishin në harmoni të plotë me kishën latine të Romës, edhe për faktin se Koncili i Firences (1439) kishte vendosur bashkimin e Kishës Katolike dhe ortodokse.
Të gjitha komunitetet arbëreshe të Italisë nga pikëpamja kanonike, me marrëveshjen e Patriarkut të Kostandinopojës dhe të Papës së Romës, vareshin nga Patrikana e Ohrit (Maqedoni) që emëronte një metropolit me seli në Agrixhento (Siçili), dhe me juridiksion mbi shqiptarët e grekët e ritit bizantin të vendosur në Itali.
Por disa dekada më pas, me vendimet kufizuese të Koncilit të Trentit (1563), riti bizantin u shkatërrua: Papa Piu IV me dokumentin Romanus Pontifex (1564) anuloi të drejtën që ju njoh Ohrit dhe Kostandinopojës dhe ia nënshtroi komunitetet arbëreshe të ritit bizantin peshkopëve latinë, nisur nga "vullneti për të hequr, ose të paktën për të favorizuar shuarjen e ritit grek në Itali për shkak shterimi" ashtu siç shkruhet nga pasuesi Papa Piu V në dokumentin papnor Providentia Romani Pontificis (1566).
Vendimet e Koncilit të Trentit, të zbatuara nga të dy Papët e cituar më lart, krijuan një çarje që solli me kohë latinizimin e 2/3 të komuniteteve arbëreshe të Italisë së Jugut. Konçilet krahinore të mëvonshëm, - mjafton të citojmë vetëm atë të Beneventos (1567) dhe atë të Biznjanit (1571) -, duke interpretuar me dyshim praktikat rituale bizantine, favorizuan edhe forma të latinizimit në brendësi të vetë ritit.
Më pas, në 1742, Papa Benedeto XIV doli hapur me tezën e superioritetit të ritit latin mbi gjithë të tjerët, me dokumentin Etsi pastoralis duke e vendosur ritin bizantin në një pozitë inferiore në raport me atë latin. Vendimet e sipërcituara synuan të fshinin konceptin e kishës katolike bizantine dhe ta reduktonin vetëm në forma ritualesh bizantine.
Edhe pasi psuan këtë dimension të ri komunitetet arbëreshe të ritit bizantin, kisha katolike latine e Romës, megjithat, vazhdoi të merrte masa në favor të atyre që i rezistuan latinizimit: Papa Gregori XIII themeloi në 1577 Kolegjin Grek të Romës, ku kishte selinë një peshkop urdhërues edhe për klerin arbëresh; po kështu në 1732, me nxitjen e eksponenteve të familjes Rodotà, Papa Klementi XII themeloi në Sh. Benedikt Ulan Kolegjin "Korsini" dhe m në fund në 1919 Papa Bendedikti XV krijoi Eparkinë e Ungrës (Lungro) dhe në 1937 Piu IX do të krijonte atë të Horës së Arbëreshve (Piana degli Albanesi).
Sinodi i dytë ndëreparkial - Ungra, Hora e Arbëreshve dhe Manastiri i Grotaferratës, që u mbajt para pak vitesh (2005-2006), vuri themelet për një konfigurim më autentik të kishës katolike bizantine në Itali sipas të Drejtës Kanonike të Kishave Katolike Lindore.