Zv.ministri grek: Ngjrajet e Përmetit, të papranueshme. Shqipëria të izolojë incidentet
Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Kourkoulas, ka thënë se ngjarjet e ndodhurë në Përmet janë të papranueshme. Duke folur në një intervistë për gazetën Eleftherotypia, ai ka kërkuar nga ana e qeverisë shqiptare që të ndërhyjë për izolimin e incidenteve të tilla.
Ngjarje si në Përmet kohët e fundit janë të papranueshme. Në kerkojmë thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe kjo besoj është edhe dëshira e palës shqiptare. Shpresoj se pala shqiptare do të jetë në gjendje të izolojë incidentet, për të mos minuar marrëdhëniet tona, shprehet zëvendësministri grek.
Ndërkohë, duke folur për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ai ka thënë se, ajo që është e vërtetë për vendet e tjera, të cilët janë të interesuar për tu bashkuar me Bashkimin Evropian, vlen edhe për Shqipërinë. Hyrja në familjen evropiane kërkon harmonizim me frymën e normave evropiane. Kjo përfshin respektin për pakicat fetare, etnike dhe kulturore, si dhe mbrojtjen e pronës së tyre. Respekti për parimet e kulturës europiane është parakusht ligjor i nënkuptuar.
Ai pohon se në janar të vitit 2014, në fillimin e Presidencës greke, do të fillojnë negociatat për pranimin e Serbisë, ndërsa shtoi se shpresa është që në të ardhmen edhe vendet e tjera të rajonit, nën kushtin e rreptë të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit, do të kenë mundësi të bëhen anëtarë të barabartë në familjen evropiane. /b.l