Konferencë për shtyp e kryeministrit Berisha me rastin e 1 vjetorit të liberalizimit të vizave
Sot është 8 nëntori, nuk jam këtu për ti uruar zotit Rama 70 vjetorin. Jam këtu për të shprehur mirënjohjen më të thellë qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që me vendimin e tyre historik një vit më parë, shndërruan në realitet ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, atë të lëvizjes së lirë në mbarë hapësirën Shengen.
Ky vendim një vit më parë, ishte akti i besimit më madhor, që familja e vendeve të zhvilluara të Europës, dëshmoi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Heqja e vizave dhe lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë, ishte një akt plotësisht i merituar për shqiptarët. Ai erdhi si rezultat i reformave të thella dhe të gjithanshme, reforma, të cilat vendosen standarde krejtësisht të reja, të sigurisë, të kontrollit të kufijve, reforma, të cilat e shndërruan Shqipërinë në një prodhues të vërtetë stabiliteti në rajon dhe më gjerë.
Një vit më parë, ata që vendosën për ti akorduar Shqipërisë heqjen e vizave, morën këtë vendim pikërisht mbi bazën e vlerësimit të reformave të thella të kryera nga qeveria. Ky vit fakton se vendimi ishte i drejtë dhe se qytetarët shqiptarë u sollën ndaj këtij akti madhor besimi, të qeverive të zonës Shengen, me përgjegjësinë më të madhe, më të lartë. Në tërësi, Shqipëria ka në këtë proces rekordet më të mira në Ballkan, disa komplikacione të vogla, po shkojnë drejt zgjidhjes përfundimtare. Koha provoi se shqiptarët e meritonin plotësisht heqjen e vizave.
Ata ishin fatlum gjithashtu se përpjekjet e mëdha, unike në historinë e Europës, të kreut të opozitës shqiptare, për të bllokuar procesin e vizave thirrjet e tij, ”hap kutitë, të çliroj vizat”, letrat e tij se, po hoqët vizat 800 mijë apo 1 milion shqiptare do të derdhen në Europë, patën zero efekt në këtë proces. Europa veçse u çudit, sesi ka mundësi, që ndaj këtij akti madhor, për burrat gratë, fëmijët të rinjtë shqiptarë, një politikan në krye të opozitës, bën çdo gjë për ta penguar dhe bllokuar atë.
Shqiptarët ishin me fat, sepse ky proces ndonëse bazohej në dhjetëra e dhjetëra ligje, vendime, reforma të gjithanshme, nuk bazohej në ligje me 3/5, që të mund ta bllokonte zoti Rama siç bllokoi çdo ligj me 3/5, përfshirë dhe ata që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore dhe jetën e qytetarëve shqiptare, përfshirë dhe ata ,që kanë të bëjnë me luftën kundër larjes së parave dhe trafiqeve kriminale. Përfshirë dhe ata, që kanë të bëjnë me gjykimin mbi bazën e kodit administrativ që ekziston në Shqipëri.
Një vit kaloi, qindra mijëra shqiptarë patën rastin të udhëtojnë pa viza, së pari të çmallen me njerëzit e tyre më të dashur, që si kishin takuar prej vitesh, së dyti të njihen me pasurinë mahnitë kulturore të qytetërimit perëndimor në vendet ku shkuan. Të tjerë me opsionet e studimit, biznesmenët shqiptarë lëvizin më lirë se kurrë në jetën e tyre.
Pra ky ishte procesi, apo periudha pas heqjes s vizave. Ndërkohë reformat kanë vazhduar me intensitet të madh në të gjitha fushat, përveç atyre 4-5 ligjeve me 3/5, që zoti Rama i mban si plaçkë tregu, për të dënuar çdo qytetar shqiptarë me statusin e vendit kandidat. Ndërkohë, ekonomia shqiptare sërish vazhdon të mbetet një ekonomi nga më të paktat me rritje të qartë pozitive, vazhdojnë pa ndërprerë programet ambicioze të kësaj qeveria në ndërtimin i një infrastrukture moderne rrugë dhe shkollave kanalizimeve, vazhdon projekti kombëtar i shndërrimit të Shqipërisë në kopshtin më të bukur të Europës. Pra lëvizja e këtij vendi është më e shpejtë se kurrë dhe unë dua ti siguroj shqiptarët, se dhe procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është tërësisht i parikthyeshëm.
Më pas kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të gazetarëve të pranishëm:
Pyetje: Sot është përvjetori i heqjes së vizave, nesër është përvjetori kur Shqipërisë i është refuzuar për herë të parë statusi i vendit kandidat për shkak të ngërçit politik. A jemi sot më pranë zgjidhjes së këtij ngërçi, apo arritjes së një kompromisi me Partinë Socialiste?
Kryeministri: Le të flasim hapur, sepse nuk ka mbetur njëri nga Konispoli në Vermosh, që nuk e ka të qartë se statusi u mor peng për interesa personale të pushtetit të zotit Rama, që bllokoi dhe nuk lejoi grupin e tij të votonte. Një akt që se ka bërë Shesheli në Serbi, një akt që se kanë bërë forcat më ekstremiste në vendet e tyre. Nuk lejoi grupin e tij të votonte 4-5 ligje, që kërkoheshin me shumë të drejtë nga Komisioni Evropian, si dëshmi e një vullneti, që ky vend do të votojë të gjitha reformat e kërkuar. E rëndësishme është se ky proces është i parikthyeshëm. Me 8 maj zoti Rama përjetoi humbjen më të hidhur të të gjitha llojeve të humbura. Nuk e di, do ta ngushëllojë ai veten duke shpallur veten “kurban”, por çfarëdo që ta shpallë ai veten, ai do të mbetet humbësi i pesëfishtë, humbës me 141 mijë vota në shkallë vendi, të konvertuar me 19 deputetë më pak se mazhoranca qeverisëse. Humbës në të gjitha qarqet e vendit, përveç një. Humbës në shumicën e minibashkive të Tiranës. Humbës në Këshillin Bashkiak të Tiranës, humbës në Këshillat Bashkiakë të minibashkive, humbës me 91 vota në garën personale me njeriun që e quajti sozi, çfarë nuk e quajti, por që faktikisht u detyruar ti lëshojë karrigen, mirë e bukur dhe duke i numëruar zotëria e tij çdo votë para syve, e para mediave. Ky është historiku, procesi është i rëndësishëm, por duhet të ecë dhe do të ecë, vetëm mbi bazën e respektimit e parimeve themelore, pa të cilat shqiptarët nuk janë dhe nuk do të mund të jenë të lirë.
Pyetje: Ju thoni se këtë çështje do ta zgjidhin shqiptarët në vitin 2013, kjo do të thotë se deri atëherë nuk do ta marrë statusin e vendit kandidat?
Kryeministri: Kjo do të thotë, që qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, por do të thotë nga ana tjetër, se qeveria nuk është ajo që disiplinon apo udhëheq opozitën. Jo, opozita është sovrane në këtë vend dhe ky është një parim shumë themelor , i cili nuk mund të shkelet kurrë. Nuk keni parë ndonjëherë, që unë të bazoj veprimet apo aktet e mia në prapashpinë, është jashtë kulturës sime politike ajo. Unë bazoj qëndrimet në transparencë të plotë. Pra zoti Rama bllokoi dy vite më radhë, thirri zgjedhjet lokale plebishitare, është shumë e vërtetë, ai tha se ky është referendum kundër qeverisë dhe qeveria doli me 141 mijë vota më shumë. Ai ka një veti që realitetin e percepton siç e do vete dhe sikundër nuk është. Pra çfarë ndodhi, janë shqiptarët që do e zgjidhin problemin në 2013, pas 2013 këtë e dinë qytetarët e këtij vendi, unë jam kryeministër, qeverisë mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës, por e sigurtë është që qytetarët do ta zgjidhin. A e dëgjuat atë, a ju mbeti në mendje a u kthyet në moshën 3-4 vjeçare, kur bërtisnit gjithë ditën e treta e vërteta në lojën me litar. Se ai edhe të katërtës i thotë e tretë, por kjo është punë e tij.
Pyetje: Sot opozita do të çojë ne kuvend axhendën e saj për integrimin por është folur për një marrëveshje të fshehtë mes PD dhe PS për ligjet me 3/5 dhe reformën zgjedhore. Sa e vërtetë është kjo?
Kryeministri: Midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në mënyrë të padiskutueshme, ka pasur, ka dhe do të ketë kontakte, kjo është gjeja më normale. Këto kontaktet janë të domosdoshme, për të diskutuar për çështje, të cilat janë të një rëndësie të caktuar të dyanshme. Është e sigurtë, që çdo propozim të opozitës ne e shqyrtojmë me seriozitetin e merituar. Ky është qëndrimi ynë konstant, i përhershëm, doktrinar, programor i PD. Ndaj dhe këtu, nuk ka asgjë për tu çuditur për sekretesën, këtu nëse diskutohet , diskutohet për tema, të cilat janë bërë publike dhjetëra herë qindra herë nga ju.
Në përfundim të konferencës për shtyp kryeministri Berisha, prezantoi edhe anëtarin më të ri në kabinetin e tij, zotin Ilir Kadia si Këshilltar i Marrëdhënieve me Publikun
Kryeministri Berisha tha se, “Ilir Kadia, është një nga publicistët dhe gazetarët shqiptarë më të shquar, me një eksperiencë shumë të pasur në radion më të madhe në botë të lajmeve dhe komunikimit BBC. Unë kam shumë i kënaqur që zoti Kadia, i bashkëngjitet ekipit tonë dhe jam i bindur se do të ketë një kontribut real në marrëdhëniet publike të kryeministrit të vendit me qytetarët. Dua ti uroj suksese në detyrën që merr”.
08/11/2011