E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi vazhdon vizitën në jug të vendit. Viziton Komunën Xarë të rrethit të Sarandës

8 nëntor 2011
Mursi, Xarë

Në ditën e dytë të vizitës së punës në jug të vendit, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, vizitoi Komunën e Xarës, ku u mikprit nga Kryetari i saj, Dhimo Kote, nga Kryetari i Komunës Aliko, Kristo Kaishi, përfaqësues të pushtetit vendor dhe banorë të shumtë të fshatrave përreth.

Kryetari i Komunës Xarë, z. Kote, pasi falënderoi Presidentin Topi për vizitën, bëri një prezantim te shkurtër të arritjeve e përpjekjeve të vendasve vitet e fundit për zhvillimin e zonës, me moton: “Shqipërinë e duam me punë, e jo me fjalë”.

Kreu i Shtetit zhvilloi një takim të veçantë me fermerët vendas, duke u ndalur në një plantacion agrumesh dhe ullinjsh, ku u njoh nga afër me punën e prodhimet e tyre, si dhe me disa nga problemet që ata hasin gjatë aktiviteteve bujqësore. Gjatë këtij takimi, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë e veçantë që vëren një impenjim të madh të fermerëve për kultivimin e prodhimit tradicional vendas, duke nënvizuar më tej se bashkëpunimi mes tyre, por dhe shkëmbimi i eksperiencës, i shërben rritjes së standardit të jetesës, jo vetëm të zonës, por dhe të të gjithë vendit.

Duke marrë fjalën, në prani të banorëve, fermerëve e drejtuesve lokalë, në kryeqendrën e Komunës Xarë, në fshatin Mursi, Presidenti Topi theksoi:

“Sinqerisht që jam shumë i gëzuar që jam midis jush sot! Jam i emocionuar nga mikpritja e veçantë, por mbi të gjitha kam një vlerësim për ju, sepse po shoh me sytë e mi një ndryshim të jashtëzakonshëm që ka ndodhur në pak vite këtu mes jush, nëpërmjet jush, nëpërmjet vullnetit tuaj dhe punës suaj. Urimet më të mira për këtë punë të jashtëzakonshme që keni bërë këtu në fshatrat e Komunës Xarë!

Kam një emocion të veçantë, sepse vite më parë edhe unë kam qenë Ministër i Bujqësisë dhe gjatë gjithë këtyre viteve të bie në sy dëshira për të punuar pikërisht në vendlindje. Shumë njerëz, shumë prej jush, kanë provuar emigracionin në ditë shumë të vështira, natyrisht që kanë fituar edhe të ardhura materiale nëpërmjet punës në emigracion, por mbi të gjitha kanë fituar përvojë dhe nuk ka gjë më të bukur se sa përvoja e fituar të vijë për t’u përdorur dhe shfrytëzuar më së miri pikërisht në vendlindje. Dhe kjo shikohet jo vetëm me një sy të thjeshtë, por shikohet edhe nga profesionisti, se si gjërat kanë ndryshuar për të mirë. Dhe ajo që thotë Kryetari i Komunës, padyshim që është vizioni për të ardhmen. Ju sot gjithçka që arrini, e arrini përmes djersës suaj, përmes frymës së komunikimit, nëpërmjet organizimit, përmes punës. Ju arrini të realizoni jo vetëm prodhimin, por të gjeni edhe tregun, dhe këto prodhime të kësaj zone të mrekullueshme, së cilës Zoti i ka dhënë mundësinë për të zhvilluar bujqësinë, agrikulturën në përgjithësi, por agrumet në veçanti, dhe ullinjtë, dhe duke qenë në një zonë shumë piktoreske, ku turizmi në vitet që vijnë do të zhvillohet, ju garantojnë një të ardhme të sigurt. Urimet më të mira janë vetëm për ju, për njerëzit e punës, për njerëzit që dinë ta nxjerrin prodhimin përmes djersës! Ata që punojnë, do t’u garantojnë një të ardhme të sigurt fëmijëve dhe familjeve të tyre për ta bërë këtë fshat me fizionominë që ka çdo fshat në Evropë. Unë jam i bindur që në pak vite, kjo zonë do të jetë një perlë e Shqipërisë.

Unë dëshiroj dhe njëherë t’ju them që kam ardhur këtu për të dhënë mesazhin që kam dhënë kudo. Njerëzit kanë nevojë që të dialogojnë me njëri-tjetrin. Njerëzit kanë nevojë që të jenë në harmoni me njëri-tjetrin. Njerëzit kanë nevojë që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në punën e tyre të frytshme, jo për ta kaluar jetën në parazitizëm. Shembulli më i qartë i njerëzve të punës është pikërisht ajo që ne shohim këtu, sepse e tregon vetë se si është transformuar natyra, si është transformuar bujqësia. Por, patjetër duhet të falënderojmë edhe të gjithë ato investime që kanë ardhur nëpërmjet shtetit, por edhe nëpërmjet projekteve të ndryshme që asistojnë në zonën tuaj. Unë dëshiroj të vlerësoj dhe punën e drejtpërdrejtë që bën Kryetari i Komunës. Ai ka ardhur kryetar komune, mendoj unë, në sajë të punës së tij. Dhe ju të gjithë e mbështesni jo si njeri të politikës. Jam i bindur për këtë punë. Ju e keni mbështetur, e mbështesni si njeri të punës. Pastaj, politika natyrisht është sekondare për të. Nuk ka politikë më të bukur se sa politika me njerëzit, për njerëzit dhe për rritjen e standardit të jetës së njerëzve. Ajo politikë që është për të shfrytëzuar punën e njerëzve, është një politikë abuzuese. Pra, të japim të gjithë imazhin e një politike të re. Vetëm puna e transformon Shqipërinë. E tha bukur Kryetari i Komunës: ‘Puna dhe vetëm puna’. Dhe, duke punuar së bashku, do ta bëjmë të zhvilluar, si zonën e Sarandës, Xarës e të gjithë komunat e Shqipërisë, nga jugu në veri. Të gjithë jemi të dëshiruar për këtë punë, të punojmë së bashku, të ndërtojmë së bashku, dhe të arrijmë frytet së bashku.

Edhe njëherë, urimet më të mira dhe ju falënderoj shumë për këtë mikpritje! Dhe uroj që kjo që keni arritur, të jetë vetëm një pjesë e asaj rruge të gjatë që kemi së bashku. Urimet më të mira! Faleminderit!”

Në fund të kësaj vizite pune, në qendër të fshatit Mursi të Komunës Xarë, Presidenti Topi vendosi një buqetë me lule tek memoriali kushtuar martirëve të demokracisë, në shenjë respekti e nderimi për sakrificat e tyre sublime.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›