Kryeministri Berisha pret Ambasadorin kinez Junling, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Shqipëri
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës Popullore të Kinës, z. Wang Junling, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Shqipëri.
Kryeministri Berisha e falënderoi Ambasadorin Junling për kontributin e rëndësishëm të tij dhe të Ambasadës kineze për forcimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve dhe në zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.
Duke vlerësuar misionin e Ambasadorit kinez në Tiranë si shumë të suksesshëm dhe duke theksuar se këto katër vite kanë pasur intensitetin më të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve, Kryeministri Berisha u shpreh se Ambasadori Junling largohet si një mik i vërtetë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, i cili do të vazhdojë, edhe në detyrën e re, të promovojë miqësinë mes dy vendeve.
Ambasadori kinez Junling e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe në veçanti, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tij dhe të qeverisë shqiptare ndaj misionit të tij diplomatik në Shqipëri, në funksion të zgjerimit të marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit të frytshëm dhe të ndërsjellë mes dy vendeve dhe popujve miq. Ambasadori Junling theksoi se ka ndjekur me vëmendje të veçantë progresin e rëndësishëm të Shqipërisë gjatë këtyre viteve të drejtimit të qeverisë nga Kryeministri Berisha dhe shprehu bindjen se, nën udhëheqjen e Kryeministrit Berisha, Shqipëria do të vijojë të forcojë rrugën e saj të progresit dhe të zhvillimit të mëtejshëm.
Në takim u ritheksua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve politike mes dy vendeve, i cili është rikonfirmuar në mënyrë të shkëlqyer me shkëmbimin e vizitave të rëndësishme të Kryeministrit Berisha në Kinë dhe të udhëheqësve të lartë kinezë në Shqipëri, si dhe me nënshkrimin nga të dy kryeministrat, të Deklaratës së Përbashkët për thellimin e Marrëdhënieve Tradicionale e Miqësore mes dy vendeve.
Të dy personalitet vlerësuan progresin në bashkëpunimin ekonomik e tregtar mes dy vendeve, si dhe interesin gjithnjë në rritje të investitorëve kinezë për të shfrytëzuar potencialet e rëndësishme që Shqipëria ofron, si dhe lehtësitë dhe sigurinë që qeveria shqiptare ka krijuar për sa i përket klimës më të favorshme për biznes e investime në Shqipëri.
Në takim u rikonfirmua edhe njëherë vendosmëria e të dy vendeve për të zgjeruar edhe më tej marrëdhëniet ekonomike, tregtare e kulturore dhe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Gjithashtu, në këtë takim Kryeministri Berisha e falënderoi Ambasadorin Junling për ndihmën e përvitshme qe qeveria kineze i ka akorduar Shqipërisë gjatë kësaj periudhe. Ndërsa Ambasadori kinez e informoi Kryeministrin për iniciativën e re të shpallur nga Kryeministri Wen Jia Bao për krijimin e një fondi të qeverisë kineze, në mbështetje të vendeve të Evropës Lindore e Juglindore, si kontribut në forcimin e bashkëpunimit dhe miqësisë midis Kinës e këtyre vendeve, iniciativë në të cilën përfshihet edhe Shqipëria.
Pas takimit, Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të mikut kinez, Ambasadorit Junling, e cila kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore.
08/11/2011