E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Duhet të kultivojmë tek fermerët shqiptarë pasionin për mbjelljen e drurëve frutorë, arrorë

Kryeministri Berisha përshëndeti sot, punimet e Konferencës kombëtare mbi gjendjen dhe perspektivën e zhvillimit  të drurëve frutorë, arrorë (arra, gështenja, lajthi, bajame) dhe shegës, në Shqipëri, organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe mbrojtjes së Konsumatorit.

Gjatë kësaj konference, Task forca për drurët frutorë arrorë dhe shegës, si dhe grupi i studimit prezantoi rezultatet e punës së bërë në bashkëpunim me drejtoritë e bujqësisë së rretheve dhe shërbimin pyjor nëpër qarqe, lidhur me mundësitë e kultivimit dhe zhvillimit të këtyre drurëve.

Në këtë konferencë merrnin pjesë Ministri i Bujqësisë Ushqimit dhe mbrojtjes së Konsumatorit, zoti Genc Ruli, drejtues të institucioneve bujqësore, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që operojnë në sektorin bujqësor, pedagogë të Universitetit Bujqësor, etj

Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha theksoi se projekti kombëtar për mbjelljen e drurëve frutorë arrorë është i një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe për nxjerrjen  vlerave nga çdo metër katror i kësaj toke.

Kryeministri Berisha shprehu angazhimin se qeveria do të bëjë gjithçka për të të mobilizuar të gjitha resurset për të shndërruar Shqipërinë, në kopshtin më të bukur të Evropës, si dhe do të japë çdo mbështetje, në mënyrë që autoritetet vendore të shndërrohen në promotorët kryesorë të realizimit të këtij projekti.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha u shpreh:

Zoti  ministër,

Zotërinj drejtues të panelit,

Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë të parë, tmerrësisht të  vonuar, për një temë, më kryesoren, për atë çka në realitet është Shqipëria. Ne mblidhemi sot, të flasim për Shqipërinë arrore ose për arrorët, por në të vërtetë Shqipëria në shekuj dhe mijëvjeçarë ka qenë e tillë.

Shqipëria është një Kaliforni e vogël, në raport me arrorët është toka e arrorëve, të cilët rriten në çdo metër katror të këtij vendi, nga Konispoli në Vermosh dhe megjithë këtë, arrorët krahasuar me potencialin e saj të jashtëzakonshëm janë përveçse ndonjë plantacioni natyror të trashëguar nga shekujt, siç janë gështenjat në Tropojë, Reç Gramsh apo Orenjë, janë jo ekzotikë, por sporadikë.

Ndaj dhe unë dua të përshëndes përzemërsisht Task Forcën për punën shumë serioze që ka bërë për të sjellë në epiqendër këtë projekt të një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, të një rëndësie të jashtëzakonshme për nxjerrjen e vlerave nga çdo metër katror i kësaj toke, të  një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin, për mbrojtjen e kësaj toke të pakët nga erozioni, pasi nuk duhet të harroni se ne, tokë bujqësore për frymë, kemi më pak se të gjithë të tjerët në Evropë, vetëm 1800 metër katror. Ky është projekti më i madh që është ndërmarrë ndonjëherë ne historinë e  vendit. Si i tillë, ky do të jetë një sukses i vërtetë, vetëm atëherë kur ne të vendosim të imagjinojmë atë që ne nuk kemi mundur ta imagjinojmë dot, të vendosim të mendojmë atë, që nuk është menduar dot. Mendimi ynë është i kufizuar. Unë që flas këtu kam shëtitur këtë vend, ndoshta më shumë se të gjithë ju, kryesisht në fushata elektorale dhe ju garantoj ju, se ne çdo udhëtim që bëj unë mësoj gjithmonë e më tepër për potencialet e mëdha që ekzistojnë. Duhet të pranojmë që kemi qenë një vend me një izolim të brendshëm shekullor dhe pastaj atë të kufijve  e solli diktatura. Por, për shkak të një infrastrukture në Shqipërinë kodrinore, malore, pothuajse mesjetare, toka ka qenë e pavlerë, prodhimet nuk kanë patur ndonjë vlerë të madhe. Tre ditë më parë isha në Fushë- Studen, një mrekulli e vërtetë natyrore, mund të ndërtoje resortet turistike malore më të bukura, por dhe mund të krijoje zonat e prodhimit të patateve, më të fuqishme ne këtë vend, plus potencialeve te tjera, por pa rrugët ku do të shkonin ato? Cila është vlera e gështenjave të Tropojës në 2500 ha tokë, pa infrastrukurën e duhur? Vlera afër të pavlerës. Tani, ne po ndërtojmë një infrastrukturë moderne, po shkurtojmë distancat. Sot, nga Bushtrica e bregut të Drinit që është në thellësitë më të mëdha të luginës së tij, në Tiranë, vjen për dy orë apo dy orë e gjysmë.

Pra, të dashur miq, Shqipëria është tjetër dhe ne do ti përshtatemi këtij realiteti. Duhet të rendim pas këtij realiteti, duhet të bëjmë gjithçka që të mendojmë se si të nxjerrim vlera në çdo metër katror të këtij vendi. Nuk ka tokë si kjo tokë, prandaj hiqini klasifikimet që keni për toka me vlerë dhe pa vlerë. E gjithë toka ka vlerë, nuk ka shkretëtirë këtu. Ju e dini më mirë se unë, se në të gjitha gradët e aciditetit ekziston bimësia përkatëse. Askush nuk duhet të ketë frike nga struktura, ne duhet tu përshtatemi atyre. Ne nuk kemi një metër katror shkretëtirë, në këtë vend. Ne trashëgojmë dhe kemi bio-diversitetin më të pasur në Evropë, por natyrisht kemi më shumë male. Shqipëria është malore, të mos e harrojmë këtë. Dilni në Dajt, në Sarisalltëk ose kudo dhe shihni një rrip të ngushte toke fushë dhe pastaj syri kap male dhe vetëm male. Për sa i përket projektit të ullirit, do të bëjmë gjithçka që pas 20 milion rrënjëve të shkojmë tek 50 milion të tilla. Më tutje nuk mund të shkojmë, por me arrorët, duke imagjinuar të paimagjinueshmen, e cila do të jetë realiteti, ne arrijmë tek së paku 200 milion rrënjë. Me arrorët, ne i japim një pamje krejt tjetër zhvillimit të këtij vendi. Me arrorë ne bëjmë hapat më të mëdhenj në drejtim të zhvillimit jeshil të Shqipërisë. Ai është zhvillim i shëndetshëm, është zhvillim që ndihmon në zgjatjen e jetës së qytetarëve, është zhvillim, për të cilin  duhet të bëjmë çdo investim.

Ky projekt kërkon një përshtatje ndaj tij, pasi nuk kanë ekzistuar në axhendën tonë. Qeveria, institucionet e saj, arrorët, nuk i kanë patur në axhendë. Ato duhet të kthehen në axhendë të qeverisë, të ministrisë së bujqësisë, të universitetit, të qarqeve, te rretheve, te komunave. Projekti do të ketë sukses të plotë pasi ne, të kemi krijuar dhe të kemi të gjithë ekspertizën e domosdoshme shkencore në qendër, në bazë dhe kudo. Të kemi specialistët e tyre, ti krijojmë ata, ti formojmë ata. Të gjitha mundësitë  e kualifikimit i kemi. Të ndërmarrim të gjitha studimet e nevojshme. Ne  duhet të bëhemi ndër prodhuesit më të rëndësishëm të arrorëve, tregu i tyre është i përjetshëm. Evropa importon 2 milion tonë arrorë, çdo vit. Pra, duhet të zhdërvjelltësojmë organigramën që do të merret dhe do të mbështesë këtë projekt të rëndësishëm, burimet financiare në mbështetje të fuqishme të këtij projekti, por do të deklaroj këtu dhe të gjithë drurëve frutorë në vend. Mbrëmë kemi patur një takim me ministrin, zëvendësministrin e të tjerë. Ne nuk do të kufizojmë së mbështeturi asnjërin prej drurëve frutorë të vendit. Problemet tona kanë qenë më shumë për shkak të tregut, por tregu po zgjidhet çdo vit e më mirë. Ndaj dhe duhet të përgatitemi, duhet të studiojmë, të punojmë, duhet të përcaktojmë kriteret më të mira dhe  mbrojtjen më të mirë për këta drurë. Ato kanë kushtet e tyre të kultivimit, kanë sëmundjet  e tyre, kanë problematikën e tyre.

Së dyti, ky projekt do të ketë sukses vetëm e vetëm duke ndezur pasionin në zemrën dhe mendjen e fermerëve shqiptarë. Ju e dini më mirë se unë, në tërësi ky vend, i cili në mënyrë natyrale është vend ideal për fruta, i ka patur më të pakta ato, saqë në ndonjë rreth, komunë, apo krahinë, plantacionet e vërteta tregoheshin me gisht, ndërkohë kur ne duhet ta imagjinojmë Shqipërinë, plantacion. Ne duhet të ndezim tek fermerët tanë, pasionin për mbjelljen e drurëve frutorë. Në tërësi, ata kanë mbjelle pak, nuk kanë patur treg, nuk kanë patur përpunim, dhe i  kanë parë këto drurë, jo si një mjet të ardhurash të mëdha, por si një kënaqësi në sezonin e tyre.

Ky pasion po rritet dhe ajo çka unë duhet tu them ju është se fermeri në pasionin dhe vullnetin e tij tani, në kushtet e reja të tregut është përpara nesh. Kur shkova në Berat autoritetet më njoftuan se arrorët këtë vit ishin paraqitur katër herë më shumë se ç’ishin parashikuar. Nuk është se ishte deficitar parashikimi i Beratit, ishte deficitar parashikimi ynë. As që e parashikonim ne që sot të kishim mbi 1600 ha aplikime për arrorë. Pra, pasioni për  drurët frutorë arrorë po rritet me shpejtësi.

Unë ju garantoj ju, se qeveria është e vendosur të rrisë progresivisht financimet për ta. Këtë vit ne kemi bërë një hap të madh, kemi dyfishuar fondin. Vitin tjetër do të bëjmë çdo gjë për ta rritur përsëri. Do të krijojmë fondin e pyllëzimit. Në tërësi, ky projekt i madh përballohet shkëlqyeshëm me 300- 400 milion euro, ose më së shumti me gjysëm miliardi euro, por ky është projekti i shekujve, ky është projekt, i cili jep investimin ndoshta më shpejt se çdo projekt tjetër dhe ne nuk do të ngurojmë ta mbështesim dhe financojmë atë. Por problem është se qeveria qendrore ka politikat, disponon dhe fondet, ka dhe ekspertizën, ndërsa zotërit e territorit janë qeveritë vendore. Ne, të harrojmë se mund të ecim në këtë projekt, pa i shndërruar kryetarët e komunave dhe qeveritë vendore në promotorë kryesorë të tij. Të mos mendojmë se me pushtetin dhe me fuqinë tonë, ne mund të zbatojmë këtë projekt. Jo, ky projekt mund të bëhet realitet vetëm në se ne arrijmë ta shndërrojmë në axhendë kryesore të politikave të zhvillimit, të kryetarëve të komunave dhe autoriteteve vendore. Ata po kërkojnë që të marrin përsipër këtë projekt dhe ne duhet të bëjmë gjithçka me besim të plotë dhe  mbështetje të madhe që autoritetet vendore të shndërrohen në promotorët kryesorë të realizimit të këtij projekti. Ministria po përgatit një kuadër të ri ligjor që në vendim-marrjen për tokën, që ato kompetenca që sot ka Këshilli i Ministrave dhe të tjera që ka Parlamenti, ti delegohen direkt komunës, që ti ushtrojë mbi bazën e kritereve të caktuara, të kontrolluara, pra do të bëjmë një transformim të tërë konceptual.

Ju keni bërë përllogaritjet e hektarëve dhe keni bërë mirë se ajo është e saktë, por saktësia juaj është relative dhe ju e keni të qartë këtë. Çfarë do të ndodhte në se të gjitha gardhet e këtij vendi që janë të panumërta, do të ishin me gardhe me lajthi apo me pjergull, në një kohë kur 80 %  e tyre janë me ferra. Çfarë do të ndodhte ne rast se të gjitha zallishtet e pafundme të këtij vendi të përrenjve dhe të lumenjve të tij, do të ishin plantacione me arra ose me lajthi,të gjitha shkurret e vendit do të zëvendësoheshin me arrorë, pra ne kemi potenciale shumë të mëdha. Ne do të ndezim pasionin dhe ky pasion po ndizet, por ne do të gjejmë format e punës dhe këto forma nuk i gjen kryeministri, as ministri. Këto forma i gjen kryetari i komunës, këto i gjen këshilli i komunës, autoritetet vendore. Janë ata, të cilët do të gjejnë format dhe mënyrat se si do ti angazhojnë fermerët, që aty ku janë shelgjet, të mbjellin lajthi, ose të mbjellin arra. Pra, ky është një projekt që së pari duhet të ndryshojmë ne, duhet të bëjmë një ndryshim rrënjësor në konceptin dhe qëndrimet tona. Dhe unë ju garantoj ju se qeveria do të mbështesë fuqishëm, të bëjmë gjithçka që ta shndërrojmë Shqipërinë në kopshtin më të bukur të Evropës. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për të qenë e tillë. Nuk mund të jetë grunishtja më e madhe, as misërnishtja më e madhe, por mund të jetë kopshti më i madh, më i bukur dhe kjo është në dorën tonë. Duhet ti gjejmë të gjitha format. Japim me dhjetëra e dhjetëra milionë euro ndihmë ekonomike që i administrojnë komunat, por dhe këto duhet ti shndërrojmë në funksion të mbjelljes së drurëve frutorë.

Pra, duke shprehur vlerësimin më të madh për punën që keni bërë, zotërinj të Task forcës dhe duke ju falenderuar për angazhimin e madh, serioz që keni dëshmuar, le të vazhdojmë ne, të ridimensionojmë të gjitha qëndrimet tona, të mobilizojmë të gjitha resurset për të bërë me vlerë çdo pëllëmbë tokë të këtij vendi, për të shndërruar Shqipërinë në një kopsht të vërtetë në Evropë.


08/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›