Konferencë për projektin me BE për mbrojtjen e dëshmitarëve
Një sistem më i mirë për mbrojtjen e dëshmitarëve në Shqipëri falë projektit të financuar me 550 000 euronga Bashkimi Evropian. Në kuadër të një projekti binjakëzimi prej 550 000 euro të financuar nga Bashkimi Evropian për të zhvilluar më tej kapacitetet operative dhe logjistike të Drejtorisë për Mbrojtjen dhe Dëshmitarëve dhe Personave të Veçantë, u mbajt sot një konferencë që kishte për qëllim prezantimin e arritjeve të këtij projekti. Reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar janë ndër 12 Prioritetet Kyçe të Komisionit Evropian për Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat.
Por efikasiteti në luftën kundër korrupsionit nuk mund të konsiderohet i përplotë nëse viktimat dhe dëshmitarët e krimit nuk ndjehen të mbrojtur për të bashkëpunuar me institucionet e shtetit. Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian i ka dhënë mbështetje sektorit të Drejtësisë Kriminale përsa i përket vënies në zbatim të të ligjit të ri për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe në ngritjen e kapaciteteve afat-gjata në Policinë e Shtetit Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatat dhe Shërbimin e Burgjeve.
Gjatë konferencës, Shefi i Operacioneve i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Luigi Brusa nënvizoi se "është pjesë e standardeve evropiane të konsiderojë si të papranueshme për sistemin e drejtësisë kriminale të dështojë të sjellë të pandehurit në gjyq dhe të marrë një vendim sepse dëshmitarët janë çkurajuar që të dëshmojnë në mënyrë të lirë dhe me vërtetësi". "Efikasiteti i luftës kundër krimit të organizuar nuk mund të konsiderohet i plotë nëse viktimat dhe dëshmitarët e krimit nuk ndihen të sigurtë të bashkëpunojnë me institucionet e shtetit. Të bësh përpara në mbrojtjen e dëshmitarëve është kështu thelbësore në ecjen përpara në zbatimin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe rrit më tej kapacitetet për të luftuar krimin e organizuar", tha z. Brusa.
Projekti i binjakëzimit me Zyrën Kombëtare të Investigimit të Hungarisë dhe Zyrën e Policisë Kriminale të Lituanisë si një partner më i vogël filloi para 16 muajsh. Projekti përplotësohej me projekte të tjera të financuara nga Bashkimi Evropian që janë ende në vazhdim, si: pajisja me system të komunikimit të teknologjisë kompjuterike për Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, një projekt ky prej rreth 125,000 Eurosh, pajisja me makina, projekt prej 266,000 Eurosh, si dhe nje Projekt Rajonal i financuar nga Bashkimi Evropian për Mbrojtjen e Dëshmitarëve në Luftën kundër Krimeve të rënda dhe Terrorizmit (WINPRO), projekt që mbështet të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë fushë me 4 milionë Euro.
Ky projekt binjakëzimi i Bashkimit Evropian dhe projekti rajonal WINPRO dhanë gjithashtu edhe rekomandime për funksionimin dhe ristrukturimin në të ardhmen të Njësisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe të Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, rekomandime këto që shpresohet të vihen në zbatim së shpejti nga autoritetet shqiptare.