Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha me Kryeministrin e Malit të Zi Gjukanoviç

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Gjukanoviç, pas takimit mes tyre dhe bisedimeve mes dy delegacioneve, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryeministri Berisha: Zonja dhe zotërinj,
Është një kënaqësi e veçantë për mua t’i uroj dhe një herë mirëseardhjen e përzemërt Kryeministrit të Malit të Zi, zotit Milo Gjukanoviç, në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri.
Unë jam takuar shumë herë më mikun tim Gjukanoviç, por ky takim më krijon një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse pres këtu Kryeministrin Gjukanoviç, i cili me kurajën, guximin dhe vizionin e tij bëri të pavarur Malin e Zi, duke kontribuar kështu në paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe në liritë e rajonit.
Kryeministri Gjukanoviç, pak javë më parë, mori një tjetër vendim të guximshëm, njohjen e pavarësinë e Kosovës duke dhënë një kontribut të ri të madh në paqen dhe stabilitetin në rajon.
Shqiptarët kanë pasur dhe kanë tek Milo Gjukanoviç një mik të çmuar dhe mik të ditëve të tyre të vështira. Ndihma e çmuar që ai personalisht dhe kombi i tij iu dhanë shqiptarëve në ditët e tyre më të vështira, njohja që qeveria dhe vendi i tij i bënë pavarësisë së Kosovës, përbëjnë një bazë për marrëdhënie të shkëlqyera midis dy vendeve.
Unë, gjithashtu, do të shpreh bindjen se kjo vizitë është një kontribut shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, në intensifikimin e këtyre marrëdhënieve në këtë gjitha fushat, si dhe në interesin më të mirë të dy kombeve e vendeve tona dhe rajonit në tërësi.
Me Kryeministrin Gjukanoviç diskutuam gjerësisht mbi zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona në të gjitha fushat. Kemi rënë dakord të intensifikojmë të gjitha përpjekjet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili po rritet me shpejtësi pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë. Sikundër edhe bashkëpunimi në fushën e infrastrukturës dhe në ndërtimin e autostradës Adriatiko- Joniane. Qeveria ime mbështet plotësisht dhe do t’i krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme vendit mik për autostradën Podgoricë-Plavë, disa kilometra të së cilës kalojnë nëpër territorin Shqipërisë. Sikundër, po ecin me shpejtësi të gjitha lidhjet infrastrukturore me Malin e Zi. Këto ditë shpallet fituesi i tenderit për rrugën Shkodër-Hani i Hotit, së shpejti përfundon projekti dhe do të fillojë ndërtimi i rrugës Shëngjin-Ulqin dhe do të nisë ndërtimi i rrugës Vermosh-Shkodër. Do të shqyrtohen të gjitha mundësitë e lidhjeve detare Durrës-Tivar dhe vendosja e linjës ajrore Tiranë –Podgoricë. Bashkëpunimi do të përfshijë dhe fushën e kulturës, të arsimit, të ushtrisë, të sigurisë, luftën kundër kriminalitetit, etj.. Pra, bashkëpunimi do të zgjerohet në të gjitha fushat.
Me Kryeministrin Gjukanoviç ndajmë pikëpamje të njëjta mbi zhvillimet në rajon, por ndajmë dhe dy projektet e mëdha të këtij shekulli për dy vendet tona, për shqiptarët dhe malazezët, projektin e integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Qeveria e Kryeministrit Gjukanoviç po punon me intensitet në këto projekte. Ne mbështesim plotësisht këto përpjekje dhe jam i bindur se progresi i Malit të Zi drej NATO-s është progres drejt sigurisë. Sikundër, progresi i secilit prej vendeve tona drejt Bashkimit Evropian është në interesin më të mirë tonin dhe të rajonit.
Në Mal të Zi jeton një pakicë shqiptare, e cila gëzon standardet europiane të lirive dhe të drejtave që u takojnë. Ata marrin pjesë aktive në konsolidimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut në vendin e tyre. Pakica malazeze që jeton në Shqipëri gëzon të gjitha të drejtat që u takon në konventat ndërkombëtare.
Pra, mund të them se ndërmjet dy vendeve tona përveç marrëdhënieve miqësore dhe vullnetit të hekurt për t’i çuar përpara ato, nuk ekzistojnë probleme që i ndërlikojnë ato. Ndaj, dhe kjo vizitë e Kryeministrit Gjukanoviç do të jetë një kontribut i madhe në shtyrjen përpara të tyre.
Edhe një herë, ju falënderoj për vizitën tuaj Zoti Kryeministër”
Kryeministri Gjukanoviç: “Zonja dhe zotërinj,
Dua të falënderoj para jush kolegun tim, Kryeministrin Sali Berisha, për mikpritjen që i bëri delegacionit tim, në këtë vizitë zyrtare këtu në Shqipëri.
Duke i shprehur mirënjohjen Kryeministrit Berisha për vlerësimet e dhëna për Malin e Zi, më lejoni që këtu, para jush, të bëj me dije dhe një herë për ato që biseduam me zoti Berisha.
Siç tha edhe Kryeministri Berisha, takimi i sotëm na dha rastin të përmbledhim bashkëpunimin e deritanishëm dhe të diskutojmë për t’i dhënë impulse te reja përparimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Malit te Zi, që janë shumë cilësore. Natyrisht ne kemi rënë dakord që çështja kryesore e rajonit tonë është stabiliteti. Gjithashtu, jemi dakord në vlerësimin që stabiliteti dhe prosperiteti që kemi arritur, do të forcohet në rast se do hapim një perspektivë evropiane dhe euro-atlantike të qartë dhe të afërt për vendet tona.
Zotin Berisha e njoha me caktimin e orientimit te Malit të Zi. Është e mundur që në një afat të shkurtër rruga e anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE mund të kryhet shume shpejt. Duke pasur parasysh që Shqipëria është një hap para drejt anëtarësimit në NATO, kam shfrytëzuar rastin t’i uroj mikpritësit për ftesën që Shqipëria ka marrë për anëtarësimin në NATO, në Samitin e fundit në Bukuresht dhe për nënshkrimin e Protokollit për Anëtarësim në NATO.
Gjithashtu kemi rënë dakord edhe për shkëmbimin e eksperiencave gjatë rrugës së anëtarësimit në BE. Anëtarësimi i Shqipërisë, Malit të Zi dhe vendeve të tjera të rajonit, në Bashkimin Europian, është jo vetëm në interesin më të mirë të rajonit tonë, por dhe vet Europës.
Kemi rënë dakord gjithashtu për një program të përbashkët bashkëpunimi për zhvillimin e partneritetit me BE. Ekzistojnë mundësi më të mira për shfrytëzimin e programeve evropiane dhe instrumenteve të këtyre programeve dhe është e nevojshme të identifikohen në mënyrë të drejtë se kush janë prioritetet e përbashkëta.
Gjithashtu, kemi biseduar edhe rreth mbrojtjes dhe vëmendjes ndaj të drejtave të minoriteteve në të dy shtetet. Me kënaqësi kemi konstatuar se të dy qeveritë kanë trajtuar me shumë kujdes këtë çështje dhe kanë përmbushur detyrimet ndaj Këshillit të Europës. Minoritetet kanë qenë dhe do të mbeten ura të forta në bashkëpunimin tonë.
Kemi biseduar gjithashtu edhe rreth çështjeve ekonomike dhe kemi ndarë shqetësimin për situatën e krizës financiare botërore. Ne gjithashtu kemi biseduar për planet investuese që secila qeveri ka, si dhe për ato të përbashkëta. Kryeministri Berisha foli dhe për projektet që kemi në akset rrugore. Dëshiroj t’ju them sinqerisht se këto janë prioritete të përbashkëta që të dyja qeveritë i ndajnë. I tillë është edhe konstatimi rreth projekteve në fushën energjetike, ku ne kemi një projekt të përbashkët shumë të rëndësishëm, linjën 400 kilovolt Tiranë – Podgoricë, të cilën presim të realizohet gjatë vitit 2009. Gjithashtu, kemi edhe shumë projekte të tjera në fushën energjetike dhe në atë të infrastrukturës, të cilat do t’i realizojmë me sukses.
Kemi biseduar edhe rreth bashkëpunimit tonë në fushën e turizmit. Të dyja vendet kanë një bregdet të bukur dhe të dyja vendeve do t’u hapen mundësi më të mëdha me liberalizimin e mëtejshëm të lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe kapitaleve. Kjo do të bëjë të mundur që Ballkani perëndimor të shndërrohet në një destinacion tërheqës për investitorët.
Po e mbyll fjalën time duke theksuar edhe njëherë se pata një bisedë miqësore me Kryeministrin Berisha. Shpreh bindjen që perspektiva europiane dhe euroatlantike është e ardhmja jonë e afërt.
Më pas, të dy personalitetet iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve:.
Pyetje: Çështja e integrimit ka qenë një nga temat kryesore të bisedimeve tuaja. Në këtë kontekst, nga raporti i Komisionit Europian kemi dëgjuar vlerësimet positive të tij, por do të donim të dinim komentin tuaj edhe lidhur me vlerësimet negative.
Kryeministri Gjukanoviç: Mendoj se është e nevojshme për të gjithë që të lexojnë objektivisht ato që janë shkruar në vlerësimet e proceseve të rëndësishme në partneritetin e BE-së me Malin e Zi. E theksoj këtë, sepse, fatkeqësisht, jemi dëshmitarë tipik të praktikës politike të Ballkanit, që ndryshe i lexojnë dhe ndryshe i interpretojnë ato. Dua t’ju them diçka që nuk do të jetë origjinale, por do të citoj atë që ka thënë Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Sigurinë se raporti i sivjetshëm për progresin e Malit të Zi është i volitshëm. Edhe njëherë e theksoj se ishte raporti më i volitshëm që mund të shkruhet për një shtet. Unë nuk do të isha pre e asaj që kanë shkruar, por nuk kam përjetuar gjë më të mirë deri tani prej të gjithë raporteve që janë shkruar për Malin e Zi. Natyrisht, detyrimi im objektiv është që ta lexoj raportin ashtu siç është.
Pyetje: Ka zëra se edhe qeveria malazeze edhe qeveria shiptare, pas progres raportit në nëntor, do të kandidojnë në janar në presidencën çeke, a janë të vërteta këto zëra?
Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare është transparente. Kur të marrë vendimin për të kandiduar, do t’ia bëjë me dije dhe publikut. Një gjë është e sigurt që raportet e Brukselit, të cilat në asnjë lloj rrethane nuk mund të jenë folklore ballkanike, kanë një vlerësim pozitiv për arritjet, sukseset dhe detyrat që ne duhet të realizojmë më tej dhe i lënë dyert plotësisht të hapura për paraqitjen në kohën e duhur të kërkesës së statusit për kandidat. A do jetë ky muaji janar, apo muaj tjetër ende nuk dihet, por mesa duket, kjo do të ndodhë vitin tjetër. Kjo nuk është krejtësisht vetëm në dorën e qeverisë shqiptare, por janë një kompleks faktorësh. Këtë gjashtëmujor, kryesuese e Bashkimit Europian ka qenë Franca. Presidenti dhe qeveria franceze kanë pasur një gjashtëmujor me një nga tematikat europiane dhe botërore më të rëndësishme. Kështu që, në rast se nuk u bëmë të ndjeshëm gjatë gjashtëmujorit të presidencës franceze, ne do ta konsiderojmë shumë seriozisht vitin e ardhshëm.
Kryeministri Gjukanoviç: Plani ynë është të aplikojmë për anëtarësim në BE, gjatë takimit të ardhshëm që do të mbahet në Francë. Ne po dialogojmë rreth kësaj çështjeje si brenda vendit, ashtu edhe me Komisionin Europian. Nuk do kisha ç’të shtoja më tepër nga sa tha zoti Berisha, para së gjithash, çdo hap në këtë drejtim, duhet të jetë i koordinuar, sepse është në diskutim një proces ballkanik. Është logjike që hapa të tillë, zakonisht, duhen koordinuar me kryesuesin e takimit të ardhshëm të BE-së. Ky është vetëm fillimi i një procesi dhe ne jemi në një rrugë të përbashkët.
Pyetje: Si e vlerësoni planin e Ban Ki Mun për Kosovën prej 6 pikash, i cili parashikon ndarjen e Kosovës?
Kryeministri Gjykanoviç: Kryeministri Berisha, e theksoi më herët gjatë takimit tonë të përbashkët, aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Dua të përsëris që pjesa e rajonit ka bërë më të mirën e mundshme dhe atë çfarë është dashur për t’u bërë. Njohja e Kosovës do të jetë në funksion të stabilizimit të Ballkanit. Është e nevojshme që të vazhdojnë përpjekjet për ndërtimin institucional të Kosovës dhe forcimit të proceseve demokratike në një zhvillim europian të Kosovës. Unë mendoj se ne të gjithë mund të ndihmojmë, Shqipëria në veçanti.
Gjithashtu, është me shumë rëndësi arritja e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës, duke pasur parasysh rëndësinë e stabilitetit të rajonit, pavarësisht se mund të mos jemi të kënaqur me disa lëvizje të tjera që vijnë nga ana e Serbisë, ku Mali i Zi ka një shembull në këtë drejtim, si dëbimi i ambasadorit tonë nga Beogradi, për shkak të njohjes nga ana jonë të pavarësisë së Kosovës. Por këto, tek ne nuk mund të ndryshojnë apo të japin qëndrime negative. Mendoj se, edhe Serbia është një faktor me rëndësi për stabilitetin në rajon. Edhe në takimin e fundit që kisha me z. Solana, biseduam edhe për arritjen e një plani përgjegjës të Kosovës dhe që do të thotë vendosjen e EULEX-it dhe forcimin e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës për një Kosovë sa më demokratike.
Kryeministri Berisha: Mendoj se vendosja e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës është një zhvillim tërësisht pozitiv që i shërben paqes, stabilitetit dhe, në këtë kontekst, ai është shumë i mirëpritur. Por dua të shtoj se plani me 6 pika paraqet disa probleme shumë serioze. Në disa aspekte, ky plan të krijon përshtypjen dhe perceptimin se favorizon një ndarje të butë të Kosovës, çka unë nuk mund të besoj dhe imagjinoj se ky do të jetë qëllimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe as i Bashkimit Europian. Por edhe përshtypja si e tillë është problematike dhe e rrezikshme.
Së dyti, ideja e një superpakicë në Ballkan dhe kjo superpakicë qenka vetëm serbe, është absolutisht e dëmshme, së pari për vet pakicën, por edhe për Ballkanin në tërësi, i cili është një rajon i pasur në pakica. Nëse problemi i Ballkanit është gjendja e pakicës serbe në Kosovë, apo nacionalizmi serb në Beograd, unë mendoj se kjo e dyta vazhdon të mbetet problem i Ballkanit. Gjykoj se është e domosdoshme që projektet duhet të konsultohen pak më gjerë edhe me faktorët lokalë, sepse aktet e destabilizimit kanë kosto lokale më të lartë. Ne po e ndjekim këtë zhvillim, jo pa shqetësim. Shpresoj që Këshilli i Sigurimit, në shqyrtimin që do t’i bëjë këtij plani, do të marrë parasysh planin me 6 pika të Ban Ki Mun dhe planin me 4 pika të autoriteteve kosovare dhe do të gjejë një projekt të pajtueshëm. Nuk mund të jetë i qëndrueshëm një projekt, i cili mbështetet në të gjitha pikat nga njëra palë dhe kundërshtohet dhe nuk përkrahet aspak nga pala tjetër. Kohë ka dhe besoj dhe shpresoj që në pallatin e xhamit të gjendet një zgjidhje në përputhje me qëllimin që ka dhe që duhet të ketë çdo projekt në Ballkan, paqen dhe stabilitetin.
25/11/2008