E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, një dinamikë e re bashkëpunimi. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë pret në takim Kryetarin e Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës. Lozançiç: Hapat integruese të Shqipërisë, shembull për vendet e rajonit.

   Integrimi i Ballkanit në Bashkimin Europian nis nga integrimi rajonal, ishte thelbi i bisedës mes Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli dhe Kryetarit të Parlamentit (Dhomës së Popullit ) të Bosnjë Hercegovinës, Niko Lozançiç, i cili ndodhet në Tiranë me ftesë të Kryetares së Kuvendit.   Heqja e regjimit të vizave mes dy vendeve, rritja e bashkëpunimt ekonomik dhe dinamizimi i përpjekjeve të përbashkëta rajonale për tërheqjen e financimeve të BE-së për infrastrukturën e Ballkanit ishin temat kryesore ku u fokusua biseda mes dy Krerëve të Parlamenteve, në vijim të bisedës që ata zhvilluan në Sarajevë në vizitën e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë në korrik të këtij viti.   Duke nënvizuar intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, me vizita të nivelit të lartë si ajo e Presidentit Silajxhi, Kryetarit të parlamentit Lozançiç dhe vizita e pritshme e Kryeministrit Spiric, Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që brenda një viti ka më shumë shkëmbime se çka pasur pak kohë më parë.   Përfaqësuesit e delegacionit të Bosnje-Hercegovinës, vend i cili në qershor ka nënshkruar MSA-në me BE-në, theksuan se ritmi i proceseve integruese të Shqipërisë është shembull për vendet e tjera të rajonit.   "Jam shumë e kënaqur, tha Kryetarja e Kuvendit, që kemi patur një ritëm unik të ratifikimit të MSA-së dhe është e rëndësishme që vendet e rajonit të bashkëpunojnë për përshpejtimin e integrimit rajonal në NATO dhe në BE, gjë që do ti shërbejë rritjes së mëtejshme të stabilitetit dhe zhvillimit. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë mbështetjen dhe përvojën tonë në këtë proces. "
Në dhjetor, tha Kryetarja e Kuvendit do të zhvillohet konferenca e vendeve të A3+2, pra Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë plus Bosnje-Hercegovinën dhe Malin  e Zi.  Ky takim do të jetë një rast i mirë për treguar progresin e bërë dhe për të bindur BE-në në domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të zgjerimit.
Duke folur për çështjen e Kosovës, Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria mbështet pa asnjë rezervë autoritetet e Republikës së Kosovës. Janë këto autoritete që kanë legjimitetin për marrjen e vendimeve në raport me Republikën e Kosovës dhe zhvillimet në të.
Besojmë se OKB, në vijim të udhëzimit të Sekretarit të Përgjithshëm, do të ndërmarrë veprimet e duhura për përmbylljen në kohë të rikonfigurimit të misionit të saj n Kosov, në përshtatje me realitetin e ri të krijuar atje, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës vendase. Shmangia e çdo vakumi pushteti, sqarimi i raporteve UNMIK EULEX NATO (KFOR), duke përjashtuar kategorikisht mundësinë për ndarjen gjeografike të shtrirjes së tyre në territorin e Kosovës, shmangia e çdo ndarje institucionale mbi baza etnike, si dhe e mbivendosjes së kompetencave janë disa nga hapat vendimtarë që do të parandalonin përshkallëzimin e situatës, veçanërisht, në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Shqipëria bashkohet me mendimin që Misioni i BE, EULEX, i shtrirë në gjithë territorin e Kosovës, bazuar në Planin Ahtisari, të funksionalizohet plotësisht brenda afatit të përcaktuar dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet legjitime të Republikës së Kosovës. Shqipëria është e bindur se paraqitja e planeve për ndarje mbi baza etnike, angazhimi për ndërtimin e një shteti paralel, që cënojnë tërësinë territoriale të shtetit të pavarur të Kosovës, përbëjnë një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin tonë. Duke kundërshtuar kategorikisht ndarjen e Kosovës, Shqipëria konfirmon angazhimin e plotë për respektimin e kufijve ndërkombëtarë.
  Më tej, biseda u përqendrua në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve por edhe mes vendeve të rajonit, ku u theksua se shtetet e Ballkanit duhet ti japin një dinamikë të re bashkëpunimit për të nxitur Bashkimin Europian të financojë Koridoret e rëndësishme rajonale.   Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ylli Bufi, i pranishëm në takim, theksoi domosdoshmërinë e intensifikimit të marrëdhënieve mes strukturave parlamentare.
Parlamentet, tha zoti Bufi mund të bëjnë shumë në proceset integruese. Kryetarja e Kuvendit, realisht ka një kontribut të rëndësishëm personal në përshpejtimin e ratifikimit të MSA-së nga vendet e BE-së. Po ashtu është shumë e rëndësishme, vijoi ai, që fokusimi ynë në integrimin europian, nuk duhet të na shkëpusë vemendjen nga integrimi rajonal.   Biseda u ndal edhe në lidhjen e fortë mes minoriteteve boshnjake dhe shqiptare në dy vendet, dhe në rëndësinë që ato kanë si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Bosnje- Hercegovinës.
                     
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›