E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, pas kthimit nga Forumi Ekonomik Botëror i Davosit

"Sot jam para jush për t’ju informuar lidhur me qëndrimin 5 ditor në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, i cili i zhvilloi punimet nga data 27 janar më 1 shkurt, ku unë mora pjesë i ftuar nga Presidenti i Forumit Prof. Schwab.

Davosi është Forumi që bashkon elitën e politikës dhe biznesit botëror, si dhe rretheve akademike. Por këtë radhë, për gjerësinë e pjesëmarrjes në nivelin më të lartë politik, ekonomik dhe akademik, për intensitetin e jashtëzakonshëm të debatit 5 ditor, për tematikën tejet të rëndësishme dhe parësore që trajtoi, Forumi i Davosit ishte më botëror se kurrë më parë. Shpirti i Davosit është shpirti i debatit të lirë dhe konstruktiv, i mësimit, i qëmtimit të të vërtetave, i zgjidhjeve dhe vizionit për të ardhmen.

Këtë vit, Davosi trajtoi krizën financiare dhe ekonomike botërore në të gjitha aspektet dhe përmasat, shkaqet, gjendjen aktuale, masat dhe perspektivën e daljes prej saj. Thelbësore në të gjithë këtë trajtim ishte vendosmëria globale për ta trajtuar këtë krizë si një sfidë nga e cila duhet të lindë shëmbëlltyra ekonomike e shekullit të 21-të. Për të trajtuar këtë temë të madhe, në Davos mbërritën përfaqësuesit kryesorë ndër më të lartët e vendeve më të mëdha dhe vendeve të tjera të botës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përfaqësuan me Presidentin Klinton dhe Valerie Jarret, këshilltarja, ndoshta më e afërt, e Presidentit Obama, e cila përshëndeti Forumin në emër të Presidentit dhe paraqiti platformën e Presidentit Obama dhe administratës së tij për daljen nga kriza. Gjermania, Britania e Madhe, Japonia, Kina, Rusia u përfaqësuan nga kryeministrat e tyre. Në Forum morën pjesë edhe dhjetëra kryetarë shtetesh e kryeministra të vendeve nga të gjitha kontinentet. Forumi mblodhi 2500 pjesëmarrës, përfaqësues, drejtues të korporatave më të mëdha, institucioneve financiare, të shkollave më të mëdha e të fuqishme ekonomike të planetit.

Çfarë spikati këtë herë nga shpirti i Davosit? Së pari, vërtet kjo është një ë krizë që, siç u shpreh Kryeministri Gordon Brawn, është e para e kësaj natyre, e përjetuar nga gjenerata e sotme, për të cilën nuk ekziston një eksperiencë botërore. Por, duke theksuar këtë, reagimi ndaj kësaj krize është shumë u shpejtë, i fuqishëm dhe më i bashkërenduar se kurrë më parë. Në ligjëratën e tij, Kryeministri Brawn, duke e sjellë si shembull, theksoi se në depresionin e madh të viteve ’30 u deshën 4 vjet që faktorët kryesorë botërorë të mund të mblidheshin së bashku dhe apriori, që në fillim, u hodhën poshtë praktikat më të mira, të sugjeruara nga ekonomistët, siç ishte rasti i Sekretarit të Thesarit të qeverisë britanike të asaj kohe, që memos së Meilar Kelly, një ndër ekonomistët më të mëdhenj të kohërave, i cili sugjeronte që me shpejtësi duhet të rriten shpenzimet, të ulen taksat, të ulen interesat, i bëri një shënim në të cilin thuhej se këto  janë rritje inflacioni, zbrazje e arkës publike etj.. Ndërkohë u reagua pothuajse në unison me këto masa nga të gjitha vendet.

Shpresë të madhe ngjall paketa që kaloi Presidenti Obama prej 850 miliardë dollarë dhe programi që këshilltarja e tij Valerie Jarret paraqiti para audiencës, vendosmëria e qeverisë amerikane për ndërhyrje të shpejtë dhe energjike, të ringritjes së sistemit bankar duke e çliruar atë nga të gjitha kreditë e këqija, po t’i quajmë kështu dhe për ta rivendosur në mundësitë e kreditimit, stimujt e mëdhenj fiskalë dhe programi i madh i SHBA-ve në infrastrukturë dhe rritje shpenzimesh.

Kryeministri Gordon Brawn informoi se shpenzimet do të rriten duke thelluar qoftë, edhe përkohësisht, deficitin buxhetor deri në 10 për qind.

Kryeministri i Kinës njoftoi planin e qeverisë së tij, plotësisht në linjë me parimet e daljes nga kriza dhe e siguroi audiencën se Kina këtë vit do të ketë një rritje 8 për qind, çka vërtet u mirëprit shumë, kjo sepse, siç theksoi Presidenti Klinton, për daljen nga kriza është shumë e rëndësishme që Kina të blejë bonot e thesarit të Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të blejnë eksportet e Kinës.

Një tablo të qartë optimiste paraqiti Kryeministri Japonisë. Duhet të kemi parasysh se në rrafshin financiar, kriza në Azi mund të ketë pasqyrime, por ajo nuk ka qenë epiqendër. Vendet aziatike e kaluan këtë krizë shumë vite më parë. Ndaj dhe Kryeministri Taro Aso paraqiti të gjithë projektin e vendit të tij jo vetëm për Japoninë, por për të ndihmuar në zgjidhjen e saj sa më të shpejtë. Japonia i dha Fondit Monetar Ndërkombëtar 100 miliard dollarë, në mënyrë që FMN-ja të ndihmojë vendet e kërcënuara seriozisht nga kriza, siç bëri me ndihmën që i dha Hungarisë, vendeve baltike etj..

Tabloja që paraqiti Kryeministri Putin ishte tablo e një optimizmi të qartë.

Ndërsa në ekspozenë e saj, Kancelaria Angela Merkel kishte një optimizëm të kujdesshëm. Gjermania nuk është prekur si vendet e tjera të mëdha nga kriza dhe optimizmi i Kancelares është plotësisht i bazuar. Ndërhyrjet e qeverisë gjermane pritet të japin efektet më shpejt se kudo tjetër.

Ndërhyrjet mund të grupohen së pari, në ndërhyrjet e koordinuara të çdo vendi dhe në tërësi që të gjitha në ulje taksash për t’i dhënë më shumë jetë biznesit, në rritje shpenzimet për të rritur kërkesën e brendshme si stimul ekonomik, mundësim, inkurajim dhe ndihmë për sistemin bankar për kreditim dhe grupim në një bankë të vetëm apo në çdo bankë, por në sektor të caktuar të saj të të gjitha kredive që quhen jo të mira dhe garantimin nga ana e qeverive të këtyre kredive. Këto, pak a shumë, janë linjat kryesore në të cilat lëvizin vendet e mëdha, të prekura nga kriza. Kryeministri i Britanisë së Madhe, si vendi organizator i takimit të grupit të 20-ve në datën 2 prill, në Londër, e shfrytëzoi në mënyrën më intensive këtë Forum, për të vjelë opinione dhe mendime të të pranishmëve, në takime tërësisht private – në Davos ka edhe seanca që zhvillohen krejtësisht vetëm me kryeministra dhe elitën e biznesit, me një numër të kufizuar prej 40-50 personash, ku ka një shkëmbim krejtësisht të hapur e të lirë mendimesh. Një nga qëllimet kryesore të Kryeministrit britanik ishte se si të përgatitet sa më mirë takimi i ardhshëm dhe se si takimi i ardhshëm i grupit të 20-ve të dalë me konkluzione dhe vendime të rëndësishme. 

Së dyti, ishin rekomandimet, me të cilat bashkoheshin të gjithë të pranishmit. Së pari, të përfundojë sa më shpejt DOHA, d.m.th të arrihet marrëveshja tregtare botërore, në raundin ku ajo është bllokuar. Së dyti, të gjithë konsideronin jetike krijimin e një bordi global rregullator të tregjeve. Dihet se institucionet e Breton Wood janë institucionet ekzistuese dhe mendimi tërësor ishte se nuk do të hiqet dorë prej tyre, por, përkundrazi, këto institucione të krijuara në vitin ‘45-’46 tani duhet të përshtaten për misionin tyre për ekonominë e shekullit 21-të. Këto ishin dy mendimet kryesore, sikundër, vetëkuptohet, edhe përpjekjet më të mëdha kundër çdo forme proteksionizmi dhe përballja e përbashkët me këtë krizë, e cila është globale.

Kur themi krizë botërore nuk do të thotë se çdo vend është në krizë. Absolutisht jo. Një numër shumë i madh vendesh nuk janë aspak në krizë, por pesha e këtyre vendeve në ekonominë botërore është stërmodeste dhe nga ana tjetër, në një mënyrë apo tjetër, krizë do të pasqyrohet edhe në këto vende, por jo në shëmbëlltyrën e saj klasike si në vendet, ku kapitali financiar ishte dominues. Ps.h në Shqipëri niveli i kreditimit të ekonomisë ka qenë gjithsej 32-35 për qind, në një kohë kur në vende të tjera mund të ishte 300 për qind dhe më shumë. Edhe një seri vendesh të tjera, madje edhe të mëdha, nuk kanë pasur reperkusione serioze.

Kështu që pyetjes së shtruar nga media se si ka mundësi që Berisha thotë se e gjitha bota është në krizë dhe ne jo, unë, sërish, i përgjigjem se ekonomia shqiptare nuk është në krizë, pasi kjo është e vërteta. Jo vetëm ekonomia shqiptare, por edhe me dhjetëra vende të tjera nuk janë prekur nga kriza. Ato mund të pësojnë nga pasojat e saj, por jo për shkaqe të tyre të brendshme. Në këtë kontekst, nuk është se nuk pati interes për Shqipërinë, edhe pse nuk them se Shqipëria ishte në qendër të vëmendjes. Fakti që Shqipëria ishte e paprekur përbënte një gjë pozitive. Tek po diskutoja me një analist të njohur në botë dhe  po i shpjegoja se në vitin 2008, ne kemi investuar 32 për qind të buxhetit apo 10 për qind të GDP-së në infrastrukturë, sikundër tre vjet më parë nisëm revolucionin fiskal si drejtim themelor të politikave tona fiskale dhe asnjë nga këto masa ne nuk i morëm për krizën, as nuk e parashikuam atë, analisti do të shprehej se të gjitha këto janë marrë për t’iu përgjigjur më mirë realitetit shqiptar, për të ndërtuar sa më shpejt infrastrukturën dhe për të gjallëruar sa më shumë biznesin, por në këtë periudhë, këto janë masa shumë të dobishme. Në rast se do të futeshim në literaturën e vitit të kaluar dhe do të krahasonim qeveritë për investimet publike në infrastrukturë, Shqipëria zinte vendin e parë dhe vendi i dytë pas saj kishte si përqindje pak më shumë se gjysmën, pra, në qoftë se Shqipëria ishte me 10, vendi i dytë ishte me 5.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm për investimet në infrastrukturë.

Për ta përmbledhur, ne nuk do të lëvizim nga objektivat e përcaktuara me FMN-në. Ne do t’i përmbahemi marrëveshjes që kemi firmosur. Jo pak vende kanë ndërmarrë vendime për të zgjeruar deficitin, ne nuk do ta zgjerojmë, por do të mbajmë atë deficit që kemi rënë dakord me FMN-në, nën 4 për qind. Por ne do të monitorojmë vetëm me institucionet ndërkombëtare zhvillimin e situatës, për të marrë në çdo moment vendimet më të mira të duhura.

Ka disa zhvillime cilësisht pozitive, për të cilat dua t’ju informoj. Së pari, po rriten qartësisht kursimet e qytetarëve në bankat tona dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Së dyti, Ministria e Financave, në praktikën e saj të çdo fillim viti, hap tenderin për kredi tregtare për të mbuluar ato investime të huaja që janë të parashikuara, por që kanë zvarritjen e tyre. Dua t’ju njoh se pjesëmarrja e bankave ka qenë e shkëlqyer, dëshmi kjo e një besimi të madh e të palëkundur tek ekonomia shqiptare. Realisht ka qenë shumë më e madhe sesa parashikohej. 7 banka të mëdha kanë paraqitur ofertat e tyre, të cilat do të studiohen dhe vlerësohen me transparencë. Fakti që janë paraqitur është zhvillim shumë pozitiv, çka do të thotë se tek Shqipëria kanë shpresë e besim, se ekonomia shqiptare është një ekonomi që e besojnë.

Në Davos, natyrisht ata që udhëheqin ekonominë botërore kishin peshën e  tyre, ndërsa unë kisha qëllimet e mia. Së pari, zhvillova një seri takimesh me të gjithë presidentët e kryeministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Europian që ishin të pranishëm në Forum, takime që janë raportuar edhe në shtyp, për paraqitjen e statusit të vendit kandidat dhe për lëvizjen e lirë. Tek të gjithë bashkëbiseduesit e mi gjeta mirëkuptim të plotë. 

Linja e dytë e takimeve ishte gazsjellësi Trasn-Adriatik. Unë u takova me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të interesuara për këtë gazsjellës, të pranishëm në Davos, si Kryeministrin e Turqisë, Presidentin e Zvicrës, Presidentin e Azerbajxhanit Aliyev , përfaqësuesit e kompanisë. Mund t’ju njoftoj se për këtë gazsjellës ka pasur zhvillime të reja shumë pozitive në Davos, më pozitive se të gjithë të mëparshmet. Shpresat e gazsjellësit - siç e dini për gazsjellësit e naftësjellësit e rajonit ka dekada që flitet, por, faktikisht, vetëm ai i Ceyhan-it është ndërtuar, të tjerët janë në fushë diskutimesh - këtë herë kanë qenë më konkrete. Premtimi i Presidentit Aliyev për projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik ishte i prerë dhe i vendosur. Kryeministri i Turqisë premtoi qartë se do të krijojë lehtësirat e nevojshme për gazsjellësin. Presidenti i Zvicrës dhe Drejtori i Përgjithshëm për Energjinë i këtij vendi u shprehën se do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbështetur gazsjellësin. Kompania më informoi se do të ngrejë së shpejti ndërmarrjen shqiptare të këtij gazsjellësi. Nuk mund të them se është finalizuar problemi, por hapat janë bërë më të mëdha se asnjëherë më parë.

Problemi i tretë me të cilin u mora ishte ai i biznesit, të grishja e ftoja sa më shumë investitorë në Shqipëri, t’u paraqisja atyre potencialin e madh të Shqipërisë në fushën e energjisë, turizmit, minierave, manifakturës. Në të gjitha këto takime u tregua interes i madh dhe angazhime për të investuar në Shqipëri.

Problemi i katërt ishte lufta kundër korrupsionit. Unë takova drejtuesit kryesorë të dy organizmave kryesorë të luftës kundër korrupsionit. Në takimin me Presidenten e Transparency International kërkova ndihmën e kësaj organizate për të na ndihmuar duke na servirur praktikat më të mira antikorruptive që ky think tank disponon dhe shpreha vendosmërinë time  për t’i implementuar ato në Shqipëri. Po kaq i rëndësishëm ishte edhe takimi me drejtuesin e Institutit për Qeverisjen e Mirë të OECD-së, i cili është think tank-u më i mirë në botë për luftën kundër ryshfetit në sektorin privat. Edhe Drejtorit të Përgjithshëm të OECD-së, një grup ky i vendeve më të zhvilluara, por që ndihmon edhe vende të tjera, i paraqita kërkesën që të na ndihmojnë.

Gjatë Forumit, para rastin të përshëndes shkurtimisht e të shkëmbej mendime shumë të përzemërta me Presidentin Klinton dhe ta ftoj të vizitojë Shqipërinë. Ai më siguroi se pranon ftesën dhe se do të vijë në Shqipëri. Po ashtu me këshilltaren të Presidentit Obama, Valerie Jarret, të cilën e ftova të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën ajo e pranoi me kënaqësi. U takova me Kryeministrin e Japonisë Taro Aso, i cili, gjatë vizitës sime në Japoni, ka qenë edhe mikpritësi i një dreke të mrekullueshme, kur ai nuk ishte në qeveri. Gjatë një dreke të takimeve private në Davos, unë isha pranë tij dhe e falënderova për ndihmën e madhe që Japonia i ka dhënë Shqipërisë dhe e ftova të vizitojë Shqipërinë. U përshëndeta përzemërsisht me Kancelaren Merkel, Kryeministrin Brawn dhe shumë pjesëmarrës të tjerë.

Gjatë qëndrimit në Davos, një linjë tjetër e rëndësishme e takimeve ishte edhe kërkimi i ndihmave për Shqipërinë. Takova Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, i cili ishte i entuziazmuar nga reformat e Shqipërisë dhe përpjekjet e kësaj qeverie për zhvillimin e qëndrueshëm rural. E njoha me projektin e fundit të qeverisë shqiptare për 20 milion rrënjë ullinj. Ai më garantoi se FAO, Organizata Botërore e Ushqimit dhe Bujqësisë, do t’i japë Shqipërisë të gjithë ndihmën teknike e të gjithanshme, do të inkurajojë të gjitha institucionet financiare në suksesin e këtij projekti, sikundër edhe të projekteve të tjera të zhvillimit rural. U takova me Presidentin e Fondit të OPEC-ut, fond që e ndihmon Shqipërinë prej shumë vitesh. U përqendrova tek kërkesa për financime nga ky Fond për zhvillimin e qëndrueshëm rural, për rrugë, ujësjellës, kanalizime për zonat rurale të vendit. Ai e priti me mirëkuptim të plotë kërkesën time dhe më garantoi për mbështetjen. Një takim shumë të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm para me Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë Japoneze të Zhvillimit dhe Ndihmës Ndërkombëtare, zonjën Ogata, të cilën e njoha me problematikën e  Shqipërisë.  Kjo Agjenci i akordoi qeverisë sime për bashkinë e Tiranës 110 milion dollarë për projektin e kanalizimeve dhe ujërave të zeza. Zonja Ogata më premtoi se së shpejti do të sjellë një mision në Shqipëri dhe se Agjencia e saj do t’i japë Shqipërisë një kredi të konsiderueshme, me interes 0.01 për qind për 30 vjet, pra, pothuajse falas. Sikundër ramë dakord të bashkëpunojmë në fushën e arsimit, bujqësisë dhe në fusha të tjera.

Pra, 5 ditë të qëndrimit tim në Davos ishin ndër më intensivet dhe ndoshta, më intensivet e jetës sime politike. Këtë vit, Davosi ishte një eksperiencë e mahnitshme, por edhe me rezultate të qarta konkrete për mbarë botën për sa u përket problemeve me të cilat ajo përballet sot në tërësi dhe  për Shqipërinë në veçanti, për të cilën unë kisha dhe interesat më të mëdha.

Këto ishin pak a shumë problematika që unë desha t’ju paraqes juve për këtë Forum, që mbahet në një lartësi të madhe në Alpet e Zvicrës, por që këtë herë kapi për nivelin e  tij lartësitë më të mëdha botërore. Dua të falënderoj Profesorin Schwab për nderin që më bëri, duke më ftuar të marr pjesë në mënyrë të përsëritur në këtë Forum, në të cilin unë kam qenë dhe herë të tjera, por, këtë radhë, ishte më kulmori i të gjitha herëve".

Pyetje: Duke parë krizën ekonomike që ka përfshirë shumë vende të botës, a do të vazhdojë rritja ekonomike në Shqipëri? Së dyti, në takimet që kishit me investitorët e mëdhenj të botës, a ka premtime konkrete për investime në Shqipëri?

Kryeministri Berisha: Së pari, për pyetjen nëse do të vazhdojë rritja ekonomike, ju them se unë jam i sigurt se rritja ekonomike e Shqipërisë do të vazhdojë. Nuk mund të them shifra e përqindje, pasi ju e dini që unë e kam vështirësi të lindur që të parashikoj shifra e përqindje. Ky është rregulli im. Edhe në atë që është shumë e çmuar, kur vjen puna te përqindja e votave, unë them votat që dalin dhe nuk them se do merret kaq ose aq për qind. Imagjinoni pastaj më tej, pra, kur unë nuk i lejoj vetes të përcaktoj dhe të garantoj fitoren me përqindje votash, atëherë nuk mund ta bëj këtë në gjëra të tjera.

Por, a do të ketë reflektim në ekonominë tonë? Po, do të ketë reflektim. Sot përpjekjet po bëhen për të rritur fuqinë blerëse, sepse ka një rënie të ndjeshme të fuqisë blerëse, që prek eksportet e çdo vendi. Përpjekjet tona do të jenë që të qëndrojmë të gatshëm dhe të bëjmë çdo përpjekje për të amortizuar sa më shumë pasojat e saj. Mund t’ju them se performanca financiare ka qenë shumë e mirë. Edhe disa deficite të vogla janë krijuar nga ndërmarrjet publike, që nuk janë përgjigjur siç duhet, por dhe ato nuk do të mund të krijohen më.  Unë kam dhënë porosi të prerë se çdo ndërmarrje publike do të ketë të njëjtin trajtim si ndërmarrjet private, për sa u përket detyrimeve. Nuk do të ketë asnjë dallim, sepse kjo do të ishte shumë e gabuar. Të marrësh mungesën e performancës së një ndërmarrjeje dhe ta pasqyrosh te tjetra që performon mirë dhe paguan çdo detyrim, kjo nuk do të tolerohet.

Në tërësi, performanca financiare është shumë e mirë. Situata energjetike është e shkëlqyer dhe ju e shihni se politikat e Sali Berishës dhe qeverisë së tij, zotimi i tij se nga fundi i vitit 2007 e deri më tej nuk do të ketë më  ndërprerje të energjisë, po jep rezultate shumë të mëdha. Po ju them vetëm një gjë; ata të cilët nuk kanë zbatuar këtë politikë, kanë penalizuar Shqipërinë një dekadë të tërë dhe këtë e demonstron më mirë se çdo periudhë tjetër viti 2008. Në vitin 2008, ne importuam 2.5 miliardë kw energji, kemi importuar 4 herë më shumë se në vitin 2004-2005, sepse prodhimi ishte i ulët. Por situata u përballua pa ndërprerje. Ndërprerjet kanë qenë një politikë çnjerëzore, e cila mori fund dhe për të cilën unë jam zotuar se, për sa kohë që të ketë energji në tregun rajonal dhe botëror për t’u shitur, ne do ta blejmë atë, pavarësisht nga çmimi, vetëm për të mos pasur më ndërprerje. Tani ne jemi në situatë eksporti dhe gjatë muajit që vjen eksportojmë  një sasi të madhe energjie.

Lidhur me interesin e kompanive të mëdha të huaja, mund t’ju them se, në mënyrë absolute, nuk ka as edhe një tërheqje nga investitorët e mëdhenj. Unë u takova me përfaqësuesit e kompanisë ZUMAX që po pret me padurim të fillojë punën në Portin gjigand të Vlorës. Takova kompani të tjera që kanë përgatitur paketa prej 500 milionë euro për investime në zona afër Kavajës. A mund të ketë ngadalësim të tyre? Ngadalësim edhe mund të ketë, por deri tani nuk ka tërheqje, pëkundrazi, ka interes të madh. Kjo është gjëja më pozitive.    

Pyetje: Pas këtyre takimeve, a jeni më optimist për liberalizimin e vizave?

Kyeministri Berisha:  Në të gjitha bisedimet e mia, unë konstatova vetëm mirëkuptim te bashkëbiseduesit e mi, për paraqitjen nga Shqipëria të kërkesës së statusit të kandidatit dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, në përputhje me plotësimin e kushteve. Ne po i plotësojmë këto kushte. Nuk mund të bëhet fjalë që ne të fitojmë të drejtën të lëvizim pa viza, pa përfunduar pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet e reja, por jemi në rrugën e plotësimit të tyre. Në muajin mars vjen një grup ekspertësh, për të konstatuar në vend zhvillimet, në maj bëhet vlerësimi dhe jam i bindur se Shqipëria do të vlerësohet pozitivisht.

Pyetje: Pyetja lidhet me një prej organizmave ndërkombëtaer financiare që ju e keni kontaktuar gjatë vizitës suaj në Davos. Zoti Kryeministër, ka pasur një raport të BB-së për një projekt i cili është drejtuar, deri pak muaj më parë, nga dhëndrri juaj. A ka dhënë dorëheqjen dhëndrri juaj, pas raportit të kësaj Banke?

Kryeministri Berisha:  E vërteta është se ky është një raport i mbushur me trillime, të cilat vijnë si rezultat i një rivaliteti midis grupeve të ndryshme të Bankës Botërore. E vërteta është që ato çfarë raporti, apo njollat që raporti ia atribuon kësaj qeverie, janë pikërisht njollat që zbardhi kjo qeveri dhe që i kishte nxirë qeveria e mëparshme. Nëse ne trashëguam një plan me njolla ndërtimi, në zona të caktuara ndërtimi, ku mafia shqiptare kishte vendosur të ndërtonte parajsën e saj, kjo qeveri dhe ky projekt i fshiu të gjitha ato dhe u dha të drejtën autoriteteve lokale për t’i përcaktuar vetë zonat e zhvillimit, ndërkohë që studimi përcakton vetëm kushtet ku nuk mund të ndërtohej. Kjo është e vërteta.

Për të mos hyrë në detaje, mund t’ju them se si Edi Rama, bashkë me një prej atyre, të cilëve u kontrollon televizionin nga mëngjesi deri në darkë dhe nga darka në mëngjes, kishte përcaktuar një njollë për ndërtimin e një fshati, por që nuk është më. Këtë bëmë ne dhe ata, të cilët botuan një raport të pa miratuar nga Bordi¸ sepse duhet ta dini se ai është një raport i pa miratuar nga Bordi dhe nuk është paraqitur në të, janë në panik të madh, sepse kanë mashtruar, trilluar dhe janë kapur “me presh në dorë” me mashtrimet dhe trillimet e tyre. Të tjerë, natyrisht kanë humbur fshatrat, “llokmat” që i kishin grabitur dhe për këtë gjë, ka fakte që ne  do i paraqesim. Një ndër këta është zoti Rama i cili e ka humbur fshatin e tij.

Pyetje: Gjatë javës që ju keni munguar në Shqipëri, ka pasur akuza edhe direkte nga opozita, për përfshirjen tuaj në çështjen Sheshori, pra, sipas tyre, keni marrë pjesë në dënimin e këtij personi. Personalisht, e njihni apo jo Sheshorin?  

Kryeministri Berisha: Kush është ky? Nuk duhet t’i lejoni vetes që t’ju keqpërdorin, pavarësisht nga tmerri dhe ferret që ju përjetoni nga pronarët, në një amoralitet të plotë, të cilët, për një leje ndërtimi apo një kontratë të paligjshme, kanë për borxh t’ju japin juve çdo lloj udhëzimi. Por ju duhet t’i refuzoni ata. Unë do të bëj ligjin përkatës që ata të mos jua bëjnë këtë juve dhe do ta bëj shumë shpejt.  

Ky është një emër që unë e dëgjoj për herë të parë në jetën time. Kur qenka dënuar ky? Mirë ata që ia kanë falur vetes mashtrimin, por ju duhet të bëni kujdes në atë që thoni.

Jam ndodhur njëherë rastësisht në një darkë me Kryeministrin Berluskoni, në atë kohë ai ishte në opozitë, lider i Forca Italia-s, si dhe me një mik tjetër timin dhe Berluskoni më tha; a dini çfarë më ka ndodhur? Para tre javësh më akuzuan dhe thanë se Silvio ka vrarë një njeri. Ndërkohë që ai doli dhe tha; unë jam i gjallë dhe nuk kam vdekur. Edhe për këtë person që thoni, shikoni njëherë se mos nuk është i dënuar fare.    

Pyetje: A ka vend për kompromis me Bashkinë e Tiranës për  buxhetin e kësaj bashkie?

Kryeministri Berisha: Duhet t’i përmbahemi përgjegjësinë publike, pasi ajo është universale. Si mendoni ju, që parlamenti të votojë buxhetin pa qenë unë aty? Unë kurrë nuk mund ta imagjinoj, si Kryeministër, që parlamenti i vendit tim të kërkojë votim buxheti dhe unë të mos ndodhem aty, qoftë edhe sikur parlamenti të vazhdojë diskutimet 24 orë rresht. Nuk do të kishte mëkat më të rëndë, se sa t’i votohej buxheti atij që u kthye me një copë kristal, si gjysmë daja i tij. Qytetarët nuk duan kristale, qytetarët duan rrugë, infrastrukturë, shkolla. Ai nuk qëndroi në votimin e buxhetit sepse kishte frikë nga katrahura që kishte bërë dhe mendoi se do të mashtronte qytetarët e Tiranës me një copë kristal, si gjysmë daja i tij që dilte në bllok dhe, në kohën kur gjysma e popullit vuante nga uria, ai çonte lajmin nga Meksika se Shqipëria ishte vendi që ushqehej më mirë. Ne nuk mund ta pranojmë një buxhet të tillë. Ai e ka rrëzuar vetë buxhetin, nuk ia kemi rrëzuar ne. Këshilltarët e Tiranës janë parlamenti i Tiranës dhe, nëse Tirana ka një parlament të dytë, ai është Këshilli Bashkiak. Ai të mos ketë frikë nga ajo që ka bërë vet, por të shkojë e ta mbrojë me transparencë atë, jo të dalë me ata të policisë bashkiake. Kam respekt për të gjithë punonjësit e bashkisë, por buxhetin ai duhet t’ua paraqesë këshilltarëve, projekt për projekt. Kjo është logjike. Ai Ka mbajtur 6 milionë euro për fushatë elektorale. Direktiva është e qartë; ne jemi për miratimin e buxheteve kudo, por si do të miratohet buxheti kur vet kryetari i bashkisë ka frikë nga buxheti i tij. Të mos kujtojë ai se gënjehet sot kush  me çmimet dhe kristalet. Ato t’i tregojë në Pezë, qytetarët duan buxhetin.

Pyetje: Zoti Berisha, ju thatë që ne nuk do të lëvizim nga objektivat e vënë nga FMN, ndërkohë që thoni se nuk parashikoni as shifra për rritjen ekonomike, kur FMN ka thënë se rritja ekonomike ka qenë 6 përqind, kundrejt pretendimit tuaj se mund të ishte rritje dy shifrore?

Kryeministri Berisha: Absolutisht, në 9 muajt e parë ka qenë rritje dyshifrore, por po pres tremujorin e fundit që të them sa është rritja vjetore. Kjo nuk ka asnjë diskutim. Në mënyrë absolute, nuk di sa është rritja vjetore, sepse po pres sa të mbyllen rekordet. Por mos prisni kurrë nga unë që të them një gjë tjetër, përveç asaj që japin institucionet përgjegjëse. Nuk mund ta bëj një gjë të tillë.

Pyetje: Gjatë qëndrimit tuaj në Davos, ka pasur një reagim në Tiranë nga presidenca çeke, lidhur me ligjin e lustracionit dhe kanë mbetur të hapura bisedimet mes Trojkës dhe qeverisë shqiptare. Mendoni se do të kërkohet rishikimi i ligjit, apo ata do të kërkojnë monitorimin e zbatimit të ligjit?

Kryeministri Berisha: Problemi është se kontrolli që kryetari i opozitës dhe i bashkisë së Tiranës shprehu mbi mediat, i shtyu dhe i detyroi ato të deformojnë në mënyrë të tmerrshme të vërtetat që lidhen me shqiptarët. Ky kryekorruptor i mediave u thotë atyre se do të të bëj ministër, po t’i fitojë zgjedhjet, pronarit i thotë do t’ia vë emrin në listë për deputet. Kjo është e vërteta. Kam të drejtë, për një njeri që, në mënyrën më të pandershme ndërhyn në media, një krydeformator i fjalës së lirë dhe i lirisë së tyre.

E theksova këtë për të dalë tek pjesa tjetër e pyetjes se ka një komunikatë qeveritare lidhur me çështjen. Komunikata ka qenë në mirëkuptim të plotë me Kryeministrin. Pavarësisht se Davosi është larg, me qeverinë funksionoi, por jo me mediat, pasi,  siç bën ai pesë mesazhe në minutë, ka thyer çdo lloj standardi. Ndërsa natën mendohet kë do të bëjë ministër, kini kujdes se mund t’ju bëjë ofertë dhe juve. Komunikata qeveritare është bërë në mirëkuptim të plotë me Kryeministrin.

Pyetje: Partia Socialiste ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një ankimim për ligjin e lustracionit. Ju jeni shprehur se kjo Gjykatë, nëse lidhet me konflikt interesi, do të ribëhet.  Atëherë, do të ngrihet autoriteti dhe do të shqyrtojë në radhë të parë anëtarët e Gjykatës, apo Gjykata do të shprehet për ligjin dhe ju më pas do të vendosni se si do të veprohet?

Kryeministri Berisha: Mos më bëni anëtar të autoritetit. Autoriteti është ligjor. Ajo që mund të them është se problemi që e pengoi fund e krye konsensusin me PS-në, të cilin e kërkova 2 vjet rresht, është arkivi i dosjeve familjare të Edi Ramës. Këtë dua t'jua them me përgjegjësinë më të plotë, se kështu është.  Është një arkiv i tmerrshëm, është njeri i mbajtur peng. Unë kujtoja se ai mund të ishte trim, por ai doli zemërpulë, e mbajtën peng ata. Ky është problem i madh, sepse unë kurrë nuk e bëj fëmijën përgjegjës për të atin. Kurrë!. Është një parim i pandryshueshëm. Por kur fëmija do ta mbajë veten përgjegjës, është i pashërueshëm, çfarë mund t’i bëj unë atij?

Pyetje: Duke u kthyer edhe njëherë tek Davosi. Mund të na thoni, nga disktutimet që ju patët, çfarë idesh të reja ka për zhvillimin e ekonomisë shqiptare?

Kryeministri Berisha: Turzimi, energjia, janë dy më kryesoret.


02/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›