Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet familjes së diplomatit të njohur, Ambasadorit Ljublin Dilja
Kryeministri Berisha i dërgoi sot një telegram ngushëllimi familjes së diplomatit të njohur, ambasadorit Ljublin Dilja, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.
Në këtë telegram, Kryeministri Berisha shkruan:
E dashur Nora,
te dashur fëmijë, familjarë e të afërm të mikut tim Ljublin Dilja,
Ndarja nga jeta e bashkëshortit, prindit dhe birit tuaj të dashur, mikut tim të paharruar, Ambasadorit Ljublin Dilja, pikëlloi thellë mua, qeverinë dhe të gjithë shqiptarët.
Ljublin Dilja u nda nga jeta pasi dha një kontribut të madh e të çmuar për vendin dhe kombin e tij në fushat më të rëndësishme, si në atë parlamentare e akademike ashtu edhe në fushën e diplomacisë së re shqiptare.
Pas vendosjes së demokracisë në vend, Ljublini përfaqësoi me dinjitet, profesionalizëm e përkushtim të madh Shqipërinë si Ambasador në Uashington duke dhënë një kontribut të madh në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit miqësor e të gjithanshëm midis dy vendeve dhe kombeve tona.
Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, Ljublin Dilja u shqua për vlerat e tij intelektuale dhe mbrojti me përkushtim të madh interesat e qytetarëve dhe qytetit të tij të lindjes, që i dhanë besimin e tyre gjatë Legjislaturës së XVI.
Gjatë viteve të fundit, ai luftoi me një heroizëm të vërtetë njerëzor sëmundjen, që së fundmi e ndau nga ne dhe punoi me vetëmohim në Misionin e Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Me ndarjen nga jeta të Ljublinit, ju keni humbur njeriun tuaj më të dashur, bashkëshortin dhe prindin shembullor, kurse Elbasani dhe Shqipëria intelektualin dhe birin e tyre të shquar.
Duke ndarë me ju dhimbjen e madhe, ne miqtë e Ljublinit lutemi së bashku me ju, që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar.
Me respekt,
Sali BERISHA
02/02/2009