E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha pas kthimit nga vizita në SHBA

Dje jam kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shkova, me ftesë të bashkëkryetarëve të Komitetit Organizator të Kongresit të SHBA-ve, për të marrë pjesë në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve, që u mbajt në Uashington të enjten, në datën 5 shkurt. Në këtë ceremoni madhështore nga Shqipëria morën pjesë z. Fatmir Mediu, i cili është një nga organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie në rajonin e Ballkanit, z. Namik Dokle, z. Arben Malaj dhe z. Marko Bello.

Mëngjesi i Lutjeve këtë vit bashkoi personalitete dhe përfaqësues nga 182 vende të botës, të të gjitha besimeve, racave, bindjeve, të cilët iu lutën së bashku Zotit në Uashington për paqe, mirëkuptim, dhembshuri, harmoni dhe prosperitet. Mëngjesi i Lutjeve ishte një moment frymëzues, shpirtëror, reflektimi dhe përkushtimi.

Në Mëngjesin e Lutjeve morën pjesë Presidenti Barack Obama, Zëvendëspresidenti Joe Biden, Sekretarja e Departamentit të Shtetit dhe dhjetëra e dhjetëra personalitet të larta të administratës së Presidentit Obama, senatorë, kongresmenë dhe personalitete nga fusha të tjera të rëndësishme të këtij vendi të madh, si dhe presidentë, kryeministra, deputetë, senatorë nga një numër shumë i madh vendesh të botës.

Në Mëngjesin e Lutjeve Presidenti Obama mbajti një fjalë frymëzuese, në të cilën citoi Krishtin, Torah-un, Kuranin, mësimin e tyre për dashurinë ndaj fqinjit, mikut, shokut, për respektin ndaj tij, sikundër informoi audiencën se në Shtëpinë e Bardhë do të funksionojë zyra e besimeve. Kjo zyrë, theksoi Presidenti, nuk do të mbështesë asnjë besim fetar më shumë në raport me një besim tjetër fetar, nuk do të mbështesë besimet fetare në raport me sekularizmin, do të mbështesë të gjitha ato organizata, të cilat me përkushtim punojmë për komunitetin dhe që respektojnë linjën ndarëve midis kishës dhe shtetit, trashëgiminë e etërve themelues të SHBA-ve.

Mëngjesin i Lutjeve e përshëndeti edhe ish Kryeministri Tony Blair.

Theksoj edhe një herë se kjo ishte një ceremoni frymëzuese.

Në këtë Mëngjes pata shansin të jem në një tavolinë me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton dhe siç është dhe vetë mjedisi i këtij Mëngjesi të diskutoj me të për gjëra familjare, private dhe të tjera të rëndësishme.

Në drekën e shtruar një ditë para Mëngjesit, unë pata shansin t’u adresohem 1200 pjesëmarrësve të Mëngjesit të Lutjeve, t’i njoh ata shkurtimisht me historinë e dhimbshme të popullit tim, por edhe arritjet e tij të mëdha e të pamohueshme, si dhe t’u shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë atyre të pranishmëve, të cilët me dashurinë, respektin dhe përkushtim ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve bënë të mundur që edhe ne, me përpjekjet e mundin tonë, të ndërtojmë lirinë, vlerat e saj, të ndahemi me sukses nga një e shkuar që nuk e kemi merituar.

Gjatë qëndrimit në Uashington, pata fatin të takoj Zëvendëspresidentin Joe Biden, mik i shquar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar dhe këshilltarin e tij të Sigurimit Kombëtar Anthony Blinken. Zëvendëspresidentit Biden i shpreha mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Zëvendëspresidenti Biden më siguroi se ndjehej krenar me miqësinë e Shqipërisë dhe avokatinë që ai i kishte bërë çështjes së drejtë së shqiptarëve dhe mbështetjes që i kishte dhënë Shqipërisë. Dua t’ju rikujtoj një deklaratë të 4 viteve më parë Zëvendëspresidentit Biden, në atë kohë kryetar i Komisionit të Jashtëm të Senatit, ku deklaronte se Shqipëria është një vend mik, shqiptarët janë një popull mik që i duan shumë Shtetet e Bashkuara dhe që na mbështesin, por që kanë një problem të madh se nuk mbajnë zgjedhje të rregullta. Kjo deklaratë ka pasur këtu një jehonë ndër më pozitivet. Shfrytëzova rastin ta ftoj Zëvendëspresidentin Biden të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën e pranoi me kënaqësi.

Unë pata një takim të shkëlqyer, shumë të ngrohtë, miqësor e të frytshëm në Departamentin e Shtetit, me Sekretaren Hillary Clinton. Unë isha Kryeministri i parë që takoja Sekretaren Clinton, fakt të cilin e shkrova edhe në librin e nderit. Ishte kënaqësi, gjithashtu, ta siguroja se shqiptarët janë kombi që janë gëzuar më shumë për emërimin e saj në atë detyrë të lartë, në krye të diplomacisë amerikane. Takimi dhe biseda me Sekretaren e Shtetit ishte takimi dhe biseda me një mike të shquar e të madhe, e cila e njihte Shqipërinë dhe shqiptarët dhe i donte. Departamenti i Shtetit ka bërë komunikatën e takimit dhe unë gjithashtu informimin, por ajo që dua të theksoj është se nga këto takime marrëdhëniet e Shqipërisë me administratën e re të Presidentit Obama janë të shkëlqyera dhe do të njohin zhvillime të tjera të mëdha në të ardhmen. Shqipëria është vend i vogël dhe në skakierën planetare, mund t’u them se në mendjen dhe zemrën e udhëheqësve të SHBA-ve ka një vend shumë më të madh sesa, proporcioni që ajo ka në planet.

Gjatë qëndrimit kam takuar shumë senator e kongresmenë. U takova me senatorin Lugar, për të cilin u shtrua një darkë në nder të tij, ku u bashkuan miq të shquar të Shqipërisë në nder të këtij burri e miku të madh të Shqipërisë, këtij promotori të vërtetë të anëtarësimit të vendit në NATO. Senatori Lugar me nismën e tij bëri që Shqipëria të jetë vendi i parë në botë pa armë kimike, si dhe ka iniciuar një seri rezolutash e nismash të tjera në favor të integrimit të Shqipërisë në NATO.

U takova me senatorin John McCain, një avokat i madh dhe i pamposhtur i çështjes së drejtë të shqiptarëve, demokracisë shqiptare dhe i Kosovës. Po ashtu me senatorin Bill Nelson, senarotin Isakson, të Komisionit të Jashtëm, ku shpreha mirënjohjen më të madhe për votën unanime që ky Komision, në një kohë kur ishte tepër i zënë me punë, bëri për ratifikimin e Protokollit të NATO-s për Shqipërinë. U takova me senatori Tom Coburn, Sam Brownback, John Thune, Jim DeMint, John Ensign, Mark Pryor dhe një numër kongresmenë Mike Doyle, Trent Franks, Zach Wamp, Robert Aderholt, Heath Shuler, Doug  Lamborn, Bart Stupak etj.. Në të gjitha këto takime, paraqita reformat dhe rezultatet e tyre, mirënjohjen e pakufishme që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë, por edhe përpjekjet e mëdha të kësaj qeverie për të nderuar detyrimet e saj për anëtarësimin në NATO. Si Sekretares Clinton, senatorit Lugar e të gjithë miqve të tjerë iu shpreha se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qeverisë se SHBA-ve dhe Presidentit Bush dhe mbështetjet e mëparshme, Shqipëria nuk do të merrte ftesën dhe nuk do të anëtarësohej në NATO. Por kjo mbështetje u shndërrua në një forcë të fuqishme motivuese për qeverinë time për të proceduar me reforma të thella e të gjithanshme, pa të cilat nuk do të ishte e mundur marrja e ftesës.

Me këtë rast, dua të falënderoj përzemërsisht dhe me shumë mirënjohje Zëvendëspresidentin Joe Biden për ndjenjat e ngrohta dhe miqësore që shprehu në atë takim të shkurtër, një mirënjohje shumë të thellë për takimin që më rezervoi, për bisedën e ngrohtë, miqësore, të frytshme dhe mirëkuptimin që pata me Sekretaren Clinton, e cila pranoi ftesën të vizitojë me kënaqësi Shqipërinë. Sikundër të siguroj se kjo qeveri do t’i përmbahet të gjitha detyrimeve dhe angazhimeve të saj që reformat në Shqipëri të ecin dhe që qytetarët shqiptarë të votojnë si qytetarë të një vendi të lirë, ashtu si edhe qytetarët e tjerë të vendeve të Europës dhe perëndimit.

Gujatë qëndrimit në Uashington zhvillove edhe një seri takimesh të tjera me Zëvendëssekretarin e Pentagonit Gordon England, i cili këto ditë dorëzon detyrën. I shprehu z.England mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në NATO. U takova gjithashtu edhe me Sekretarin Rumsfeld, Sekretarin Cohen, Sekretarin Colin Paëell, të gjithë miq të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve, të cilët me akte konkrete kanë kontribuar në integrimin e Shqipërisë në NATO. Sekretari Cohen do të themelonte në vitin ’96, SEDM për ta bërë Shqipërinë sa më evidente,   Sekretari Pawell do të krijonte në Tiranë Kartën e Adriatikut 3, e cila u shndërrua në një mekanizëm të shkëlqyer i testimit, progresit dhe vlerësimit të tre vendeve tona, në procesin e integrimit në NATO. Sekretari Donald Rumsfeld mbështeti fuqishëm Shqipërinë për marrjen e ftesës në NATO.

Takova gjithashtu miq të tjerë.

Në Uashington pata takime edhe me Bankën Botërore, me Zëvendëspresidentin Shigeo Katsu, Drejtorin për Shqipërinë Majnoni, me të cilët diskutuam për bashkëpunimin dhe partneritetin midis Shqipërisë dhe Bankës Botërore. Sikundër shpreha mospajtimin tim me shpifjet e trillimet e paskrupullta të atij që quhet raport indipendent, por që në fakt është diktuar nga fryma e mafias së ndërtimit në Shqipëri, apo më gjerë, i cili i atribuon qeverisë sime pikërisht ato që kishte bërë qeveria e mëparshme. Mafia e ndërtimit në Shqipëri kishte përcaktuar foletë e parajsës së saj në Jalë, Gjipe, Palasë e kudo. Por kjo mori fund. Projekti i ri ia dorëzon të gjithë bregun autoriteteve lokale. Qeveria Shqiptare ka vepruar me korrektësi të plotë, ka zbatuar në frymë dhe në germë çdo gjë të marrëveshjes të nënshkruar me Bankën Botërore. Për këtë çështje, Banka Botërore ka një problem të madh të brendshëm, sepse aty përballen dy qëndrime: një qëndrim ky që është ndjekur e zbatuar me Shqipërinë dhe një qëndrim tjetër që është problem i Bankës dhe jo i yni. Unë kërkova të hetohet se cili ka qenë ndikimi i atyre që humbën Jalën, që e kishin paraqitur në tregun botëror si feudin e tyre, të atyre që humbën Borshin që ia kishin servirur kompanive botërore si çifligun e tyre, apo Ksamilin. Kjo është e vërteta. Ne i fshimë ato dhe kjo është meritë e palnit që bëri vetë Banka Botërore me qeverinë shqiptare, një plan i paprecedent ndonjëherë. Autoritetet qendrore nuk vendosin njolla zhvillimi, gjithçka i lihet komunitetit lokal për zhvillim. Zëvendëspresidenti Shigeo Katsu, Drejtori që përfaqëson Shqipërinë në Bordin e Bankës Botërore Majnoni më siguruan se të gjitha këto do t’i paraqesin në mbledhjen e Bordit.

U ktheva nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i frymëzuar nga Mëngjesi i Lutjeve, një ceremoni shpirtërore e papërsëritshme, ku përfaqësuesit e 182 kombeve, të të gjithave besimeve fetare, bindjeve politike luteshin së bashku. Një eksperiencë kjo që edhe në Shqipëri, falë përkushtimit të një grupi deputetësh, ka krijuar tashmë një traditë jo vetëm kombëtare, por rajonale. U ktheva i vendosur të bëj çdo gjë që kjo traditë të shkojë më përpara në emër të mirëkuptimit, bashkimit dhe harmonisë midis vendeve tona të rajonit.

U ktheva nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me mesazhet për shqiptarët se marrëdhëniet e Shqipërisë me administratën e Presidentit Obama janë të shkëlqyera dhe do të njohin zhvillime të tjera të mëdha.

Shpresoj t’u kem informuar plotësisht për tre ditë të qëndrimit tim në Uashington, ditë ndër më intensivet e jetës sime dhe më lejoni t’u them një sekret që ai që quhet ndryshimi i orareve nuk më kap atje, por këtu, kur kthehem. Atje unë isha sikur të mos kisha fluturuar.

 Pyetje: Zoti Kryeministër, thuhet se gjatë takimit tuaj me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton keni biseduar edhe për një projekt konkret, sipas të cilit, pas mbylljes së burgut të Guantanamos, shumë prej këtyre të burgosurve, do të vijnë në Shqipëri. Si e komentoni këtë çështje?

Kryeministri Berisha: Në rast se do të ktheheni pas në kohë, një vit a një vit e gjysmë më parë, unë jam shprehur publikisht për mbylljen e atij burgu, sepse ai burg u bë simbol i asaj që Shtetet e Bashkuara nuk janë, pasi unë ju siguroj se ka qindra e mijëra burgje në këtë planet që kanë kushte pakrahasimisht më të papërshtatshme se ai burg, por kamerat u përqendruan aty dhe ai u bë simbol i asaj që nuk mund të ndodhë më.

Në këtë kontekst, unë e përshëndes vendimin e Presidentit amerikan Barack Obama për ta mbyllur atë. Ne morëm 5 ujgurë dhe pati një reagim nga vendi mik, me të cilin problemet u zgjidhën. Nuk ka asnjë kërkesë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, për të marrë të burgosur, por ju siguroj se në rast se do të ketë kërkesë, ajo do të shqyrtohet me seriozitetin më të madh pasi nuk e kuptoj se si vendet mike të mos kontribuojnë në këtë rast, për një problem që e kanë kritikuar dhe tashmë që Presidenti Obama shprehet se do ta mbyllë këtë burg -  dhe kjo përbën një zhvillim shumë pozitiv -, të mos mund të ofrohet ndihma modeste për zbatimin e këtij vendimi. Gjithsesi, nuk ka një kërkesë konkrete nga qeveria e SHBA për këtë gjë.

Pyetje: Lidhur me ligjin e Dosjeve, çështje e cila është diskutuar edhe gjatë takimit me znj. Clinton, a mendoni se do të respektohen afatet e kërkuara, pasi ligji parashikon  që brenda muajit shkurt të ngrihet komisioni i verifikimit të figurave?

Kryeministri Berisha: Këtë çështje besoj se e ka sqaruar më së miri komunikata për shtyp e Departamentit të Shtetit, si dhe fjalët e deklaruara tashmë nga unë, pas takimit.

Unë ju siguroj se në ekspozenë time për krimet kundër njerëzimit të sistemit komunist, krijova përshtypjen se njohuritë e Sekretares së Shtetit ishin të atilla saqë unë nuk i thashë ndonjë gjë të re. Ne u ndamë nga ky takim me një mirëkuptim dhe unë u qëndroj plotësisht të gjitha angazhimeve të bëra publike nga ai takim. Për sa i përket çështjeve të afatit që ju përmendni, është parlamenti ai që duhet ta ndjekë këtë gjë.

Pyetje: Duke parë bisedimet tuaja me Zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden  dhe Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, a mund të na thonë se çfarë vlerësuan ata për qeverinë shqiptare dhe a ju kanë kërkuar që të ndryshojë ligji i lustracionit?

Kryeministri Berisha: Për sa i përket ligjit, nuk kam për të bërë asnjë koment tjetër, por mund t’ju them se, në mënyrë të përsëritur, Sekretarja Clinton u shpreh se jemi të impresionuar nga rezultati i reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, po ashtu, edhe të gjithë bashkëbiseduesit e tjerë me të cilët u takova. Unë pata rastin t’i njoh ata, në mënyrë të përqendruar, me të gjitha reformat, nga lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, përpjekjet për krijimi n e një klime të favorshme biznesi, reformën  në sistemin e ligjeve që e kemi bërë  bashkërisht me opozitën, për ligjin e drejtësisë, ligjin e prokurorisë, ligjin për Kodin Zgjedhor, deri tek zgjedhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me konsensus.

Pyetje:  Për çfarë  shërbeu në fakt Mëngjesi i Lutjeve për  Kryeministrin Berisha. Ju u lutët që t’i fitoni zgjedhjet e ardhshme, apo që të garantoni zgjedhje brenda standardeve?

Kryeministri Berisha: Në Mëngjesin e Lutjeve, para këtij mëngjesi dhe jashtë tij, unë kam vetëm një lutje më kryesore; të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky ishte zotimi im të cilin unë e konsideroj jetik dhe theksoj edhe njëherë se do të bëj çdo gjë që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme. Nëse kemi parasysh zgjedhjet e 17 shkurtit, ato kishin dy aspekte, një Pozitiv e një negativ. Aspekti tërësisht pozitiv ishte fakti se qeveria, sipas të gjitha raporteve, nuk ndërhyri në këto zgjedhje dhe rezultati u pranua nga të gjitha forcat politike pa asnjë koment. Aspekti jo pozitiv i këtyre zgjedhjeve ishin problemet teknike. Nuk po i referohem faktit se si u krijuan ato nga trakti militar që Edi Rama deshi të shkruante, por pati problem teknike me atë rregulloren prej 4 faqesh, rregulla të cilat tani nuk janë më. Sot ne kemi regjistër dixhital të gjendjes civile, sot ne kemi lista elektronike të votuesve, sot ne kemi një pastrim tërësor të dublimeve, do të kemi një sistem të ri adresash, do të kemi edhe pasaportat biometrike dhe pasaportat e reja. Pra, për çka ishte më parë problem teknik, mund t’ju them se ne hyjmë në këto zgjedhje në kushte të standardeve më të mira, njësoj si dhe vendet e tjera. Ndaj unë kam besim të madh se këto do të jenë zgjedhje të lira dhe te ndershme. Se kush do të fitojë, do ta përcaktojnë  qytetarët shqiptarë. Ata do të përcaktojnë nëse do të votojnë veprat, apo fjalët, do të votojnë të vërtetat apo mashtrimet. Kjo gjë është në tagrin e tyre.              

Pyetje: Pyetja ka të bëjë me një raport të Organizatës së Transparencës buxhetore, e cila parashikon, ose ka nxjerrë konkluzione se qeveria nuk është transparente për sa i takon buxhetit dhe nuk jep informacionin e nevojshëm për të. A keni ndonjë koment për këtë?      

Kryeministri Berisha: Lexojeni mirë këtë raport. Në fakt, ajo lavdëronte qeverinë dhe rrëzonte bashkinë. Vetëm qeveria, thotë kjo Organizatë, bën transparent buxhetin dhe jo qeveritë vendore. Mirëpo organizata nuk e di se qeveria qendrore nuk ka tagër të diktojë, ajo duhet të jetë një dhunti e brendshme, një normë e çdo institucioni. Ju bëj thirrje edhe institucioneve të pavarura  që ta bëjnë transparent buxhetin e tyre, sepse përmendeshin dhe ato. Në mënyrë absolute ato nuk kanë asnjë shkak për të mos e bërë këtë transparencë, pra për të mos e shpallur në web-et e tyre buxhetin. Ndërsa çështja e Bashkisë së Tiranës  është një problem madhor. Buxheti i tij “mbetet në klasë” sepse është jo transparent. Këshilltarët e mi më bënë me dije se ai nuk e ka të bazuar këtë buxhet në projekte. Referojuni pak buxhetit të qeverisë, rreth 5 miliardë dollarë dhe do të shikoni që çdo gjë është e bazuar në projekte e në zëra, ku përcaktohen dhe  shpenzimet. Ndërsa Kryetari i baskisë dënon vendin, damkos vendin dhe nuk i kanë thënë kot “koçobuxhet”. Unë e kuptoj që edhe ata janë pjesë e Shqipërisë, por jo t’i atribuohet ky buxhet qeverisë. Qeveria nuk e miraton atë buxhet pa bërë transparencën e plotë nga kryetari i bashkisë. Këshilltarët e Partisë Demokratike nuk do ta votojnë atë, sepse ky është një detyrim madhor dhe ata nuk mund ta miratojnë atë pa u bërë transparenca.  Njëherë Kryetari thoshte se janë 6 milionë euro që i kishte mbajtur si kontigjencë, ndërsa tani na dalin 14 milionë. Pra ky buxhet është errësirë, është terr monetar.  Prandaj, në bazë të këtij raporti, çështja transpozohet kryesisht te Bashkia e Tiranës dhe jo te bashkia e Peshkopisë, për faktin se Bashkia e Tiranës e ka buxhetin 20 herë më të  madh se buxheti i bashkisë së Peshkopisë dhe kjo është specifike. Bashkisë së Tiranës nuk i gjendet kurrë buxheti.

Pyetje: Zoti Kryeministër, Shefi i Misionit të FMN-së ka deklaruar sot se efektet e krizës ekonomike globale do të thellohen gjatë këtij  viti edhe për Shqipërinë dhe se do të ketë një rritje ekonomike më të ulët se ajo e parashikimit fillestar që ka bërë FMN. Cili është mendimi juaj për këtë? SË dyti, FMN, për sa i përket Shqipërisë, ka vlerësuar si problem borxhet dhe faturat e energjisë elektrike që kanë pa shlyer institucionet shtetërore. Çfarë do të bëhet në këtë drejtim?

Kryeministri Berisha: Në të gjitha ballafaqimet, mund t’ju them në mënyrën më transparente dhe me bindjen më të thellë se politikat ekonomike tonat janë politikat më të mira antikrizë. Unë informoja bashkëbiseduesit e mi se ne, në vitin 2008, kemi investuar 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në infrastrukturë, ndërkohë që qeveria e dytë që investonte më shumë në infrastrukturë kishte një investim prej 5. 5 për qind të PBB-së. Së dyti, ne jemi një vend me taksa të  ulëta në Europë, ndërkohë që të tjerët po ulin taksat. Në këtë kontekst, FMN, i cili po e monitoron krizën, sugjeron më shumë rritje shpenzimesh sesa ulje taksash. Për rastin e Shqipërisë, unë jam shumë dakord, sepse ne i kemi ulur taksat, jemi vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë. Por, edhe për sa u përket shpenzimeve, ne po ndjekim dhe do të vazhdojmë të ndjekim zbatimin e këtyre shpenzimeve, pa  ndërmarrë rritje të mëtejshme të tyre, pasi janë rritje të mëdha këto që kemi përcaktuar. Në tërësi, ne do të qëndrojmë brenda zotimeve që kemi ndërmarrë në marrëveshjen e fundit më Fondin Monetar Ndërkombëtar. 

Unë nuk jap shifra pa i pasur ato në dorë, nuk mund të them, duke iu referuar shifrave, cilat do  të jenë pasojat e krizës për Shqipërinë, por ajo çka dua të them është se masat tona antikrizë janë masa shumë të përshtatshme. Ne nuk kemi bërë asnjë presion për uljen e interesave, por banka i uli interesat atëherë kur filloi rritja e depozitave dhe e bëri në kohë shumë të përshtatshme, pasi gjatë muajit janar ka pasur një rritje të ndjeshme të depozitave.

A  është ekonomia shqiptare në krizë? Jo, në mënyrë absolute ajo nuk është në krizë. A ka pasqyrim kriza? Në mënyrë të pashmangshme kjo krizë ka pasqyrim, por në krizë janë vendet të cilat janë futur tashmë në recension, vende të cilat janë detyruar të rrisin deficitin buxhetor në 10 për qind dhe disa prej këtyre vendeve  janë anëtare të BE-së. Ne e kemi këtë deficit 4 për qind.

Gjithsesi, ne po e ndjekim këtë situatë bashkë me FMN.

Për sa i përket çështjes së faturave të KESH-it, absolutisht, të gjitha institucionet shtetërore, pa përjashtim, do të detyrohen t’i japin këtij institucioni çdo qindarkë, sikundër KESH, do të detyrohet të paguajë deri në çdo qindarkë taksat. Ky është qëndrimi im më i palëkundur. A do të ketë subvencion në këtë aspekt? Parimi i qeverisë që unë drejtoj është; çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj. Ne nuk do të pranojmë në mënyrë kategorike të ndërpresim energjinë, për sa kohë ta gjejmë atë në treg. Kjo është politike. Ne do të importojmë të gjithë sasinë që ne do të gjejmë, për të plotësuar nevojat e vendit me energji. Tani për tani nuk shtrohet ky problem sepse ka sasi reshjesh të mëdha dhe digat janë në gjendje shumë të mirë.   Kjo është politika jonë, politika e nxjerrjes së vendit nga ndërprerjet e energjisë elektrike, një proces poshtërues, torturues dhe mundues për qytetarët, politikë të cilën e kanë mbajtur për 10 vjet me papërgjegjshmërinë më të madhe, për të shpallur teoritë se humbjet e KESH-it janë të vogla. Sigurisht, nëse pret energjinë elektrike, nuk ka çfarë të humbasë, sepse nuk ka energji.

Pyetje: Duke iu referuar bisedimeve tuaja në SHBA, krahas premtimit se Shqipëria në prill të këtij viti do të jetë e anëtarësuar në NATO, a ka pasur bisedime mbi marrëdhëniet ekonomike dypalëshe?

Kryeministri Berisha: Marrëdhëniet ekonomike dhe nxitja e investimeve amerikane në Shqipëri, kanë qenë pa diskutim një nga çështjet që e kam trajtuar për tre ditë të vizitës sime në SHBA, në të gjitha takimet që kam zhvilluar.  

Pyetje: Në këtë prezantim tuajin para medieve, shohim dhe foto të takimit tuaj me Sekretaren e Shtetit, a mund të na thoni se kur do të vijë zonja Clinton, apo Zëvendëspresidenti amerikan Biden,  në Shqipëri?

Kryeministri Berisha: Në rast se unë isha Kryeministri i parë që takova Sekretaren e Shtetit, nuk mund të them se Shqipëria do të jetë ndër vendet e para që do të vizitohet prej saj. Por mund t’ju them me bindje se Sekretarja e Shtetit do ta vizitojë Shqipërinë. Për këtë, jam shumë i sigurt.


08/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›