Kryeministri Berisha takon senatorin e njohur amerikan, Richard Lugar

Në vazhdim të vizitës së tij në Uashington, Kryeministri Berisha shtroi një darkë për nder të personaliteteve të politikës amerikane, të institucioneve të mendimit politik në Uashington dhe zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, në Newseum, një nga godinat më moderne në shëtitoren Pensilvania dhe New Street.
I ftuar nderi në këtë darkë ishte senatori Richard Lugar, një nga politikanët më me eksperiencë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një nga mbrojtësit më të mëdhenj të proceseve integruese të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare në tërësi dhe senatori Rogers Wicker.
Të ftuar të tjerë në këtë darkë ishin zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, znj. Marci Ries, Ndihmës/asistenti i Sekretarit të Shtetit z. Steward Johnson, zyrtarë të lartë të Pentagonit, etj. Gjithashtu, ishin të pranishëm ish-Kryeadministratori i OKB-së në Kosovë Soren Jessen Petersen dhe analistë të politikës amerikane nga institucionet më të njohura të mendimit politik në Uashington.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha, pasi i falënderoi zyrtarët e lartë për pjesëmarrjen, i njohu ata me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për integrimin në NATO.
Ndër të tjera Kryeministri tha: “të nderuar shkëlqesi senatorë, të nderuar zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Mbrojtjes, të nderuar analistë të politikës amerikane. Është një nder i madh sot për mua t’ju mirëpres dhe t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë darkë. Shqipëria tashmë ecën e sigurt në proceset e saj integruese, në reformat në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në reformat e saj ekonomike., duke e ndryshuar imazhin e Shqipërisë dita ditës dhe rolin e saj në rajon dhe duke e shndërruar së shpejti atë në një anëtare të denjë të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Më tej, Kryeministri Berisha vlerësoi figurën e Senatorit Lugar, si një mbrojtës të madh të çështjes së integrimit të Shqipërisë në NATO dhe çështjes shqiptare në tërësi.
Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e Senatorit Lugar në programin e tij për shkatërrimin e armëve kimike, program i cili ka përzgjedhur Shqipërinë si një nga vendet më të suksesshme në aplikimin e tij. Gjithashtu, Kryeministri u ndal tek integrimi i Shqipërisë në NATO, partneriteti me SHBA-në dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të qeverisë së tij për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë pjesë gjithmonë e më shumë e iniciativave ndërkombëtare në luftën kundër terriorizmit për vendosjen e paqes në botë.
I ftuari i nderit Richard Lugar falënderoi Kryeministrin për ftesën dhe për mundësinë që iu dha për të diskutuar me miq dhe dashamirës të Shqipërisë në Uashington. Senatori Lugar e vlerësoi të përkryer aplikimin e programit të tij “Nunn-Lugar” për shkatërrimin e armëve kimike dhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në këtë program. Gjithashtu, ai vlerësoi reformat e qeverisë Berisha për integrimin e sigurtë të Shqipërisë në NATO, si dhe reformat e ndërmarra nga qeveria Berisha, ndërsa shprehu vendosmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Darka u zhvillua në një bashkëbisedim të lirë e miqësor mes pjesëmarrësve, ku u prekën tema të ndryshme si, integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatlantike, çështje të ndryshme të politikës rajonale dhe ndërkombëtare.
06/02/2009