E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfinduatria: Të mos lejohet dalja jashtë kufijve e kapitaleve financiare

Pasojat e mundshme të krizës greke në Shqipëri, kanë ngjallur shqetësimin e Konfederatës së Industrive, e cila bën thirrje për ndalimin e daljes së paligjshme të kapitaleve financiare shqiptarë jashtë vendit. Administratori i Konfidustrisë, Gjergj Buxhuku thotë se nëse ndërmerren në kohë një sërë veprimesh institucionale dhe ligjore, është e mundur që ekonomia shqiptare jo vetëm të mos preket rëndë nga kriza në Greqi, por edhe të përfitojë në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

“Konfindustria, shpreh domosdoshmërinë e përfitimit më të madh të mundshëm nga statusi i sotëm i Shqipërisë për mosliberalizimin e lëvizjes së kapitalit përfshi edhe nga sistemi bankar, duke i kërkuar institucioneve përkatëse si Qeverisë, Bankës së Shqipërisë dhe sidomos Shërbimit Informativ Shtetëror të parandalojnë çdo përpjekje për daljen e paligjshme të parave shqiptare jashtë vendit. Duhet patur parasysh, se pavarësisht se një pjesë e ndjeshme e sistemit bankar shqiptar është në pronësi të bankave “mëmë” në Greqi, mbështetur në ligjet në fuqi në Republikën e Shqipërisë, lejohet kalimi jashtë vendit vetëm të dividentit të krijuar. Kjo do të thotë, se sistemi bankar shqiptar përfshi edhe bankat me kapital grek është krejtesisht i mbrojtur nga goditjet nga jashtë si dhe gjendja e sistemit bankar grek” thuhet në njoftimin për shtyp të Konfindustrisë.

Ndërkaq pak ditë më parë guvernatori I bankës së Shqipërisë Ardian Fullani tha se efektet e krizës së thellë fianciare të Greqisë nuk do të jenë të ndjeshme për ekonominë shqiptare, ndërsa dha garanci të plotë për sistemin bankar, e vecanërisht për bankat greke në Shqipëri.

Em/Ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›