OSBE: Korrupsion në shumë sektorë, duhet gjyqësor i pavarur
TIRANË- Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, duke pranuar se në Shqipëri janë marrë masa të guximshme kundër korrupsionit, ka kujtuar se sërish ai mbetet shumë shqetësues dhe pengesë për integrimin e vendit.
I pranishëm në konferencën "Bashkë kundër korrupsionit", në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, Robert Bosch theksoi se ky fenomen mbetet shqetësues dhe i pranishëm në shumë sektorë në Shqipëri, në të cilët mungesa e transparencës është e dukshme.
Ai vuri theksin te pavarësia e gjyqësorit, pasi vetëm me gjykata të pavarura mund të luftohet korrupsioni.
"Problemi i parë është mungesa e transparencës për të përcaktuar qartë të drejtat e pronës. Shqetësim tjetër mbetet edhe transparenca e financimit të partive. Edhe pse kodi e parashikon dhe KQZ-ja ka për detyrë të bëjë balance, i mungojnë instrumentet për të hetuar burimin e financimit të partive. Po kështu angazhimi i disa institucioneve në luftën kundër korrupsionit shpesh herë nuk reflektohet në mënyrën e duhur për zbatimin e ligjit", tha Bosch.
Sipas tij, korrupsioni është problematik, pasi rrit informalitetin, taksat duke dëmtuar kështu shtresën e mesme dhe të varfër të popullsisë.
"Lufta nuk mund të fitohet pa një gjyqësor funksional. Gjyqësori shqiptar duhet të jetë plotësisht i pavarur. Gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga ndikimet politike, por dhe gjyqtarët nuk mund të blihen apo tu bëhet presion nga palët në gjykim. Kohët e fundit kemi parë një mungesë transparence në trajtimin e rasteve të dyshuara për korrupsion, kjo i sjell gjyqësorit një reputacion të keq"- tha ai.
Nga ana e tij, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Adriatik Llalla kërkoi bashkëpunimin në luftë ndaj korrupsionit. Sipas tij, ILDKP nuk duhet të jetë e vetmja qe të kontrollojë e denoncojë informalitetin.