E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Ashton emëron drejtor të ri për Ballkanin

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Europian, Catherine Ashton, prezantoi tre drejtorët e rinj në shërbimin e Jashtëm europian. Kështu, Frans Jacob Potuyt, diplomat holandez, do të jetë drejtori për Sigurinë në Bashkimin Europian. Sakaq, Koen Vervaeke, një diplomat belg, do të jetë drejtor për Afrikën, Lindjen dhe rajonin e Oqeanit Indian. Fernando Gentilini, diplomat italian, është emëruar drejtor për Europën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Ashton tha se “jam shumë e kënaqur për këto tre emërime të kandidaturave të shkëlqyera në poste kyçe në shërbimin e Jashtëm. Eksperienca e tyre dhe ekspertiza do të jenë të vlefshme në ndërtimin e shërbimit të Jashtëm”. Fernando Gentilini është aktualisht këshilltar në shërbimin e Jashtëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Më parë, ai ka mbajtur pozicione të ndryshme në NATO, BE dhe në Ministrinë e Jashtme italiane. Frans Jacob Potuyt është aktualisht kreu i misionit në Ambasadën Holandeze në Kazakistan. Si një drejtor për sigurinë në Ministrinë e Jashtme Holandeze, ai ka pasur një eksperiencë të mirë në menaxhimin e zonave si Bejruti, Ballkani, Palestina dhe Afganistani. Koen Vervaeke nga ana tjetër është një përfaqësues special dhe shef i delegacionit në Etiopi. Ai ka qenë më parë këshilltar politik në Gjenevë dhe në Burundi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›