E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Të ngrihet urgjent Enti Rregullator i Karburanteve

Në kushtet kur çmimi i karburanteve po rritet në nivele të frikshme, vetë organizatat e biznesit kërkojnë ngritjen dhe funksionimit urgjent të tregut të karburanteve. Konfindustria Shqiptare, i ka kërkuar së fundmi zyrtarisht Kryeministrit Sali Berisha, krijimin dhe fillimin sa më të shpejtë të veprimit të Entit Rregullator të Karburanteve (ERK, duke marrë shkak nga shenjat e dukshme të keqfunksionimit në vazhdimësi të tregut të karburanteve. Institucioni në fjalë duhet të shërbejë si vëzhgues dhe rregullator për çrregullimet dhe keqpërdorimet e “cilësisë”, “çmimeve” të karburanteve në qarkullim në Shqipëri, sikundër edhe “licencimet” e operatorëve në tregun strategjik të karburanteve, si tregu më i madh në vend me qarkullim 850 milion-1 miliard euro/vit dhe me pasoja të drejtpërdrejta të dëmshme në kostot e biznesit, industrive dhe qytetarëve shqiptare, e argumenton kërkesën e saj organizata e biznesit. Konfindustria, në kushtet kur shteti shqiptar nuk ka më asnjë operator publik për të ndërhyrë drejtpërdrejt për të rregulluar çrregullimet e tregut strategjik të karburanteve, kërkon ngritjen sa më shpejt të Entit Rregullator të Karburanteve. Shembuj të institucioneve të tilla i gjejmë, jo vetëm në vendet e zhvilluara të BE dhe botës, por edhe në vende të rajonit tonë si p.sh Maqedonia.

Kostot shtesë të drejtpërdrejta nga “cilësia”, “çmimi” dhe abuzimet me “vëllimet” e shitjes për konsumatoret të krijuara në vazhdimësi nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve vlerësohen në mbi 150 milion/vit. Nëse llogariten edhe dëmet ekonomike në shëndetin publik, mjedis dhe makineri dhe pajisje dëmet ekonomike janë të papërballueshme për ekonominë kombëtare dhe rrezikojnë seriozisht rritjen ekonomike të vendit përfshi edhe parashikimin qeveritar në shifrat 6.5% në PBB për vitin 2011.

Konfindustria shpreh vlerësimin për veprimet institucionale të ditëve të fundit të ndërmarra nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për rritjen e kontrollit shtetëror me qëllim përmirësimin e funksionimit të tregut të karburanteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›