E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banesat te Liqeni, shpallen hipotekat e reja

SHKRUAN: Sabina Veizaj 21-02-2011 10:59

Nis afishimi publik i regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, për zonën e Parkut të Liqenit Artificial. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka bërë me dije, nëpërmjet një njoftimi publik, se afishimi bëhet pranë Fakultetit të Gjeologji-Miniera dhe do të zgjasë për një muaj e gjysmë. Ky proces është pjesë e projektit të Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës të nisur nga qeveria, pjesë e të cilit është mbi të gjitha ndërtimi i Sistemit të Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në këtë mënyrë, të gjithë individët, familjet, personat juridikë, privatë ose shtetërorë, që zotërojnë dokumente, me të cilat provojnë pronësinë mbi një pasuri të paluajtshme për zonën kadastrale në fjalë, duhet të verifikojnë regjistrimin fillestar të tyre. Oraret do të jenë çdo ditë, nga e hëna në të premte, 12:00 me 18:00, dhe të shtunë të dielë, 09:00 - 14:00. Në këtë fazë të procesit, të gjithë personat, që kanë të drejtë mbi pasurinë, sëbashku me ekspertët, do të verifikojnë të dhënat në listat e afishuara. Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, do të bëjnë plotësimet e nevojshme dhe do t’i paraqesin vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë, që është Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës. Të gjitha pretendimet do të shqyrtohen dhe do të paraqiten në listat e afishuara brenda periudhës së afishimit Publik. Ndërkaq, procesi i Regjistrimit Fillestar është falas për të gjithë pronarët dhe personat që kanë të drejta mbi pasuritë e paluajtshme. Ky proces është bazuar në Ligjin Nr. 7843, i datës 13. 07. 1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” (i ndryshuar). Ligji në fjalë synon organizimin e sistemit të organizimit të pasurive të paluajtshme, hartat, pasuritë e paluajtshme, kufijtë, regjistrimi i parë i një pasurie të paluajtshme, certifikatat dhe kontrollet, regjistrimin e kontratave të qirasë, hipotekave dhe tapive "në përdorim" dhe interesave të tjera për pasuritë e paluajtshme, korrigjimin dhe kompensimin për gabimet në regjistër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›