E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria i kërkoi fituesve të zgjedhjeve: Jo ndryshim në statusin këshillimor të FMN-së

TIRANE- Konfindustria i kërkon vendimmarrjes politike shqiptare dhe sidomos forcave fituese të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, që të mos ketë asnjë ndryshim të statusit të tanishëm këshillimor të pranisë së Fondit Monetar Ndërkombëtar, pavarësisht këshillës së fundit nga ana e drejtueses në largim të Bankës Botërore në Shqipëri.

Konfindustria vlerësoi se në kushtet kur vendi, në gjithë periudhën e deritashme të zhvillimit të krizës globale financiare, pavarësisht goditjeve të ndjeshme, nuk kaloi në asnjë vit në recesion teorik të ekonomisë, sikurse ndodhi me mjaft vende të tjera, një pjesë e të cilave ishin edhe anëtare të BE, do të ishte krejtësisht e paarsyeshme ndryshimi i statusit të tashëm këshillimor i rolit të pranisë së FMN në vendimmarrjen e politikave fiskale dhe ekonomike të Shqipërisë, thuhet në një njoftim të këtij institucioni. Aq më shumë mbështetet vlerësimi i mësipërm kur në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë vitit të fundit besimi i investitorëve financiarë ndërkombëtare në letrat me vlerë të Qeverisë së Shqipërisë është në kahje të fortë rritëse, në ndryshim të qartë nga vendet e tjera ku pikërisht rënia e besimit përbënte arsyen thelbësore të rikthimit dhe forcimit të rolit të FMN në politikbërje. Shënojmë, se në ankandin e fundit të muajit korrik 2013 interesi i bonove 1 vjeçare të thesarit arriti pikën më të ulët historike prej 5, 35%, duke dëshmuar edhe njëherë për besimin e investitorëve të huaj dhe vendore në aftësinë paguese të shtetit dhe ekonomisë shqiptare.

Konfindustria vlerëson, se ndryshimi drejt forcimit të rolit të tashëm këshillimor të FMN në raport me Qeverinë Shqiptare, do të ishte jo vetëm pa asnjë përfitim të prekshëm, por mbi të gjitha do të prodhonte pasoja tepër të dëmshme në afatgjatë, duke goditur drejtpërdrejt dhe pa asnjë arsye politikën e tërheqjes së investimeve të huaja.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›